– Ungjilli – Llukai 17:26-37, 18:8.
Edhe siç u bë në ditët e Noes, kështu do të jetë në ditët e të Birit të njeriut. Hanin, pinin, martoheshin, martonin, deri në atë ditë që hyri Noeja në arkë. Dhe erdhi përmbytja dhe i humbi të gjithë. Kështu siç u bë edhe në ditët e Lotit; hanin, pinin, blinin, shisnin, mbillnin, ndërtonin. Edhe ditën që doli Loti nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i humbi të gjithë. Kështu do të jetë në ditën që do të shfaqet i Biri i njeriut.
Në atë ditë kush të gjendet në dhomë, edhe enët e tij brenda në shtëpi le të mos zbresë t’i ngrerë; dhe ai që të gjendet në arë, gjithashtu le të mos kthehet prapa. Kujtoni gruan e Lotit. Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbë; edhe ai që ta humbë, do ta ruajë. Po ju them juve, atë natë do të jenë dy veta mbi një shtrat; njëri do të merret, e tjetri do të lihet. Dy gra do të jenë duke bluar bashkë; njëra do të merret, e tjetra do të lihet. Dy do të jenë në arë; njëri do të merret, e tjetri do të lihet.
Edhe ata u përgjigjën e i thonë: Ku, o Zot? Edhe ai u tha atyre: Ku është trupi, atje do të mblidhen shqiponjat.
Ju them juve, se do t’ua japë atyre të drejtën për së shpejti. Po kur të vijë i Biri i njeriut, vallë, a do ta gjejë besimin mbi dhé?