E Diela IX e Llukait, I Pasuri i pamend, Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, 20.11.2022 (Tekst – Video)

 

 

 

Egoizmi, një nga rrënjët e sëmundjes së shoqërisë sonë!

Keni dëgjuar, të dashur besimtarë në vendin tonë në këtë periudhë të flitet me seriozitet, me zë të fuqishëm, për një nga problemet që shqetësojnë shumë shoqërinë tonë dhe vendin tonë. Problemi i largimit masiv të shqiptarëve jashtë vendit. Dhe më tragjike se kjo, që ka ndodhur është dëshira e madhe akoma e shumë njerëzve që të lënë vendin tonë. Një nga arsyet kryesore që thuhet për këtë largim i’a dedikojnë varfërisë. Po a është vërtetë rrënja kryesore varfëria?

Fatmirësisht ne në Shqipëri jetojmë në një vend të bekuar, Shqipëria nuk është vend i varfër, është aq e bekuar nga Perëndia, me një klimë mesdhetare që dimë që është një nga klimat më të mira në botë. Gjatë periudhës së vitit kemi shumë ditë me diell, kemi ujëra të shumtë, lumenj që përshkrojnë vendin tonë. Vendi është i pasur me minerale të shumta, kemi bregdete që përshkrojnë gjithë vendin, gjithë pjesën perëndimore, kemi kodra dhe fusha, gjithçka ka ky vend. Ky vend nuk është i varfër, që mund të themi që jetojmë brenda një vendi të varfër, prandaj ne duam të lëmë këtë vend.

Shkaku ose rrënja kryesore, ndoshta mund të përmendim sot, na jepet ajo historia që dëgjuam në pjesën e ungjillit. Tregohet historia nga vetë goja e Shpëtimtarit dhe Ai thotë: “Tokat e një të pasuri dhanë shumë prodhim atë vit”. Deri këtu gjithçka është mirë, është bekim që dëgjojmë që tokat të japin prodhime të shumta. Por, më pas dëgjojmë që të thuhet: “Ky pasanik po mendonte tani hambarët i kam të vegjël, prodhimet i kam të shumta, duhet ti prish këta hambarë”. Dhe fillon dalëngadalë të shfaqet sëmundja e tij. Do të prish këto hambarë thotë sepse nuk kam ku të vë frytet e mia. Sapo dëgjojmë; “frytet e mia”, fillojmë të kuptojmë që diçka nuk shkon, por më pas ai vazhdon dhe zbulon sëmundjen e tij.

Dhe këtë do të bëjë thotë: “do të prish hambarët e mi”. Dëgjojmë prapë hambarët e mi, do të ndërtoj hambarë më të mëdhenj dhe do të mbledh të gjithë pasurinë time dhe gjithë të mirat e mia dhe do t’i them shpirtit tim ke shumë të mira: pusho, ha, pi dhe gëzohu. Na zbulon në këto fjalë gjithë sëmundjen e tij. Kush ishte sëmundja e tij?​ Që gjithçka i’a konsideronte vetes së tij. Sëmundja e tij ishte egoizmi, egoja e tij. Me të vërtetë ky person ishte i vetëm? Me të vërtetë nuk ishte martuar, nuk kishte grua? Nëse nuk ishte martuar nuk kishte asnjë të afërm? Nuk kishte asnjë vëlla ose motër? Nuk kishte prindër, kushurinj, nuk kishte asnjë njeri në fisin e tij? Nuk na përmend asnjë person tjetër, e vetmja gjë që mendon është vetja e tij. Edhe më pas tregohet se çfarë ndodh me të. Zoti thotë: “Sot do të vij, të marrë shpirtin tënd, dhe ato që ti mblodhe kujt do t’ja lësh”? Na zbulon ky pasanik sëmundjen e egoizmit, të përqëndrimit tek vetja jonë dhe këtu është rrënja, ose një nga rrënjët e sëmundjes së shoqërisë sonë.

Mendojmë vetëm për veten tonë, nuk mendojmë më gjerë, nuk mendojmë për familjen tonë, për fare fisin tonë, për komunitetin tonë, për qytetin tonë, për atdheun tonë. Duke menduar vetëm për veten tonë si të pasurojmë dhe si të shtojmë pasuritë tona. Bëjmë gjithçka, ashtu si kanë bërë me vite në këtë vend dhe kur themi, nuk i themi vetëm për kushtetarët dhe qeveritarët, por edhe për shumë njerëz në fusha të ndryshme të vendit tonë. Gjithmonë kanë menduar vetëm për veten e tyre, si të pasurohemi, si të shtojmë sa më tepër fitimin dhe jo të mendojnë për vendin e tyre. Në kaq vite, ky vend kaq i bekuar do të ishte krejt ndryshe. Jo që të dëshironim të largoheshim nga ky vend, por që njerëz të tjerë të dëshironin të jetonin në këtë vend.

Por, sëmundja e egoizmit që është e përhapur në shumë fusha, nuk e shikojmë vetëm tek qeveritarët, politikanët, e shikojmë edhe tek mjekët, e shikojmë edhe tek mësuesit, tek gjyqtarët, kudo e shikojmë këtë sëmundje. Ngadalë, ngadalë kjo sëmundje do të futet edhe brenda nesh, brenda komunitetit tonë. Nëse, secili prej nesh mendon kështu, mendon vetëm për veten e tij, mendon vetëm për familjen e tij, neës mendon vetëm për komunitetin e tij, nëse mendon vetëm për vendin e tij, Zoti do të na thoshte:” Jeni njerëz të pamend”. Ashtu si u quajt pasaniku atje, njeri i pamend. Edhe kjo pamendësi, edhe ky egoizëm është shkatërrues.

Kështu po shkatërrojmë shoqërinë tonë, kështu do të shkatërrojmë veten tonë, kështu do të shkatërrojmë familjen tonë, kështu do të shkatërrojmë komunitetin tonë, nëse mendojmë vetëm për veten tonë. Zoti na tregon dhe na ka mësuar dhe na mëson vazhdimisht, të dalim nga egoja jonë, të dalim nga egoizmi jonë, të shikojmë tjetrin si vëllain dhe motrën tonë, akoma të duam armiqtë tanë na thotë Zoti. Edhe në ungjillin e gjykimit Zoti na thotë:” Do t’ju gjykojë ju nga mënyra se si do të silleni ju me të tjerët, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë, nga kjo do t’ju gjykoj unë juve”.

Këto fjalë, të dashur besimtarë, le të na bëjnë që të ndërgjegjësojmë veten tonë, duke filluar nga vetja jonë dhe familja jonë dhe nga komuniteti ynë. Le të shkulim këtë rrënjë të egoizmit që dalëngadalë është futur pak a shumë në shpirtin tonë. Le ta dedikojmë veten tonë në shërbim të familjes, në shërbim të komunitetit, në shërbim të atdheut. Dhe nëse do bëjmë diçka të tillë, patjetër Zoti do të bekoj përpjekjen tonë dhe Zoti do të bekoj komunitetit tonë, do të bekoj atdheun tonë. Amin!