50 Vjet Kryepriftëri e Kryepiskopit Anastas (1972 deri më sot).
Më 19 nëntor 2022 u mbushën 50 vjet nga hirotonisja Episkop i Andrusës, për t’u caktuar Drejtor i Përgjithshëm i Dhjakonisë Apostolike të Kishës së Greqisë, i Anastasit (Jannullatos), sot Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë.
Mëngjesin e së shtunës, 19 nëntor 2022, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” të kryeqytetit, e cila ishte mbushur plot me besimtarë, u krye Liturgjia Hyjnore Sinodike. Gjatë saj u lexuan edhe fjala e mbajtur 50 vjet më parë e Kryepiskopit të ndjerë të Athinës dhe Gjithë Greqisë, Jeronimit I, dhe fjala e Anastasit, të hirotonisurit asokohe Episkop i Andrusës (teksti bashkangjitur në linkun në fund). (Kliko këtu për pdf)
Në vijim, në Qendrën Kulturore të Kompleksit të Katedrales, ku ishin mbledhur më tepër se 700 nxënës dhe nxënëse nga shkolla të ndryshme të Kishës sonë, u transmetua dokumentari “Pashka në Kenia”, i regjizores Maria Mavriku, i cili fliste për shërbimin e Kryepiskopit Anastas në Afrikë. Brenda një atmosfere entuziaste programi vijoi me këngë korale, me recitim poezish, me shfaqje teatrale dhe me valle popullore nga grupet e të rinjve orthodhoksë. Shfaqja u mbyll me fjalën e atë Grigor Pelushit, me temë: “Dëshmia e shumanshme orthodhokse e Kryepiskopit Anastas në botën bashkëkohore” dhe me falënderimet e përzemërta të Kryepiskopit.
Gjithashtu, të gjithë të pranishmit u ngjitën në skenë për të bërë një foto në grup me Kryepiskopin.
* * * *
1972-1992 Episkop i Andrusës.
Si Episkop i Andrusës dhe Drejtor i Përgjithshëm i Dhiakonisë Apostolike të Kishës së Greqisë, promovoi disa programe teologjike dhe arsimore, u përkujdes për shtypshkronjën, për librarinë, për konviktin studentor, për Shkollën e Dhjakoneshave të Dhiakonisë Apostolike. Në mënyrë të veçantë, ai zhvilloi departamentin e Hierapostullimit jashtë vendit.
Si Profesor i Universitetit të Athinës, kreu detyrën e Dekanit të Fakultetit Teologjik të Athinës (1983-36). Botoi studime fetarologjike lidhur me fetë afrikane dhe me Islamin. Mori pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare duke mbajtur ligjërata teologjike. Në vitin 1989 u propozua Anëtar i Rregullt i Akademisë së Athinës, në të cilën, pasi mori detyrën e Kryepiskopit, u zgjodh Anëtar Korrespondent i saj (1993-2005) dhe nga viti 2006 e në vazhdim mban titullin Anëtar Nderi i saj.
Si Mbikëqyrës i Mitropolisë së Hirshme të Irinupojës (1981-1991), ka hirotonisur 62 klerikë afrikanë dhe ka dorëzuar 42 anagnostë-katekistë, me prejardhje nga tetë fise afrikane. Në të njëjtën kohë, ai nxiti përkthimin e Liturgjisë Hyjnore në 4 gjuhë afrikane, u përkujdes për forcimin e 150 famullive orthodhokse dhe për ngritjen e dhjetëra kishave. Hapi 7 qendra hierapostullimi. U kujdes për çeljen e shkollave dhe të qendrave mjekësore. U shpall bamirës i madh i Patriarkanës së Aleksandrisë (2009).
Si anëtar i Komisioneve Ndërkombëtare ka marrë pjesë në disa komisione të Këshillit Botëror të Kishave dhe në vitin 1983, në Vankuvër të Kanadasë, në Mbledhjen e Përgjithshme të Këshillit Botëror të Kishave, u zgjodh Kryetar i Komisionit të Hierapostullimit dhe Ungjillëzimit Botëror. I gjendur në këtë pozicion, ka patur mundësinë të marrë pjesë në diskutimin dhe në vënien në praktikë të dëshmisë së krishterë në botën bashkëkohore dhe të parashtrojë dëshminë orthodhokse në mjedise kishtare dhe akademike në të gjitha kontinentet. Në vitin 1981, në San Antonio të Teksasit, ai ka kryesuar Mbledhjen e Komisionit të Hierapostullimit dhe Ungjillëzimit Botëror.
Të dielën, më 20 nëntor, pas Liturgjisë Hyjnore Kryepriftërore vijoi sërish një shfaqje festive në Qendrën Kulturore me temë kryesore 30 vitet e përpjekjes krijuese në Shqipëri për të ringritur nga rrënojat një Kishë Orthodhokse Autoqefale vendore të shkatërruar. Ndër të tjera, u shfaqën dy dokumentarë të shkurtër lidhur me Ringjalljen e Orthodhoksisë në Shqipëri.
Në dy kartolinat që morën të pranishmit si kujtim, janë të shkruara dy të vërteta themelore, të cilat janë udhërrëfyese për rrugëtimin hierapostolik:
“Perëndia është dashuri dhe kush qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të” – 1 Jn. 4:16.
Gjëja më e bukur në jetë është të dashurosh – sipas Perëndisë. Kjo kushton, ashtu si çdo gjë e çmuar”.
“… Do të jeni dëshmitarët e mi (të Ngjalljes) në Jerusalem, në të gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajet e dheut” – Vep. 1:8.
Ngjallja gjendet brenda Kryqit, kur e pranojmë këtë me liri dhe me dashuri, ashtu si Krishti”.
Foto Album