E Diela VIII e Llukait, Samaritani i mirë në Shekullin e njëzetenjë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 13.11.2022 (Tekst).
«Një Samaritan, duke udhëtuar, erdhi në vendin ku ishte ai, dhe kur e pa, iu dhimbs» (v. 33)
Zambak me erë të mirë, nga kopshti shpirtëror i Shkrimit të Shenjtë, është pjesa e sotme e Ungjillit. Me shkëlqimin e saj, ndriçon mendjen, trondit zemrat dhe qetëson shpirtrat tanë. Të vërtetat, që shfaqen dukshëm brenda nesh nga kjo shëmbëlltyrë, ndriçojnë rrugën që drejton hapat tanë, nga toka në qiell. Shëmbëlltyra madhështore e Samaritanit të mirë, është një burim i pashterur fuqie. Por le ta shohim më poshtë në pak rreshta.
I
NJERIU, ja viktima e kusarëve. Krijesa e përkryer, e plagosur dhe gati për të vdekur, në rrugë të shkreta, në zona të humbura. Por, cilët ftohen ta ndihmojnë? Fqinjët e tij. I plagosuri nuk ishte i huaj ndaj priftit dhe levitit. Ishte jude si ata. Pra, i të njëjtit atdhe dhe i së njëjtës fe. Dhe meqenëse të lartpërmendurit ishin përfaqësues të Perëndisë, shërbyes të të Lartit, duhej të vraponin të parët pranë të plagosurit, për t’i dhënë ndihmën e parë dhe ta shpëtojnë.
E megjithatë, as prifti, as leviti, nuk treguan aspak interes! Por ekziston edhe Samaritani i mirë. Është Zoti ynë. Biri dhe Fjala e Perëndisë, që u trupëzua. Ai, shekuj pas rënies së Adamit, e ndërkohë që, për breza të tërë, njerëzit plagoseshin nga shigjetat e të ligut, vrapoi poshtë në tokë, dhe tregoi ndaj “të rënit”, gjithë dashurinë e Tij. U përul dhe u bë njeri për ne. Predikoi Ungjillin për ndriçimin e shpirtrave tanë. U kryqëzua dhe derdhi gjakun e Tij, që të na gjallërojë, të lajë plagët tona, të na ngjallë nga veprat e vdekura të mëkatit, të na shpëtojë nga vdekja e përjetshme. Bujtina është Kisha, ku Krishti na dorëzon të gjithë ne, për shërimin tonë shpirtëror. Vaji dhe vera, janë Misteret e Kishës sonë. Dy dinarët, janë Dhiata e Vjetër dhe e Re. Samaritani i mirë është Krishti, që do të rikthehet “në ardhjen e dytë, për të gjykuar të gjallët e të vdekurit”.
Zoti ynë, dha një dimension të ri, një kuptim të ri, në urdhrin e dashurisë. Dhe në gjithë shëmbëlltyrën, qartëson cila është dashuria e vërtetë, reale dhe e përsosur. Dashuria e vërtetë është të duam të afërmin tonë. Dhe madje ta ndihmojmë në momentet e vështira të jetës së tij. Në nevojat materiale dhe shpirtërore, në nevojat e trupit dhe të shpirtit.
II
Samaritanë të mirë nevojiten edhe sot. Të plagosurit, nga armiqtë e dukshëm dhe të padukshëm, janë të shumtë. Rreth nesh, ndoshta brenda shtëpisë dhe ambientit tonë, janë të shumtë të plagosurit për vdekje, nga ligësia e botës apo mjerime të tjera. Nuk ekziston shtëpi, nuk ekziston individ, që të mos ngrejë një kryq të lehtë apo të rëndë. Tek të gjithë ata le të tregojmë dashuri, ashtu sikurse ne dëshirojmë të na tregojnë të tjerët, kur ndodhemi në vështirësi. “Ta duash të afërmin tënd, porsi veten tënde”, thërret sot Zoti, dhe kjo do të thotë, të mendojmë për të tjerët si për veten tonë! Por, që të duam të tjerët me pastërti, duhet të shkëputemi nga prangat e vetëdashjes dhe egoizmit, dhe të zbatojmë porosinë e hyjfrymëzuar të apostull Pavlit: “Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë” (Rom. 12:15). Të jetojmë duke menduar mjerimin e të tjerëve. Të ndiejmë dhimbjen e tyre.
Zgjidhjen e dramës së atij që ra në duart e kusarëve, njeriut bashkëkohor, do të japin samaritanët e mirë të epokës sonë; të shumtë apo të paktë, ata që besojnë akoma në ndershmërinë e njeriut dhe paracaktimin e tij, ata që besojnë në botën shpirtërore dhe vlerat e saj. Ata që besojnë në Perëndinë e ngjallur dhe të vërtetë. Ata do të dalin në rrugë, do të gjejnë të plagosurit dhe të sëmurët për vdekje, vëllezërit e tyre.
Do të vrapojnë pranë fëmijëve të tyre, në këtë rini të zemëruar, dhe do të marrin në duar, jo kamxhikun, por vaj dhe verë, për të lidhur plagët e hapura, që kusarët e shumëllojshëm hapën në shpirtrat e tyre.
Samaritanët e mirë, të gjithë besimtarët, por veçanërisht prifti, mësuesi, profesori, agronomi, ftohen të japin ushqim thelbësor dhe edukatë shpirtërore tek populli. Të frymëzojnë tek populli i braktisur, respektin ndaj martesës, respektin ndaj gruas, respektin ndaj personalitetit njerëzor. Të bëjnë çdo përpjekje për parashikimin pozitiv, për pastrimin dhe shëndetin e jetës shoqërore publike.
III
Bujtinë, për të gjithë njerëzit, pa përjashtim, dhe spital i trupit dhe i shpirtit, vend shërimi për të sëmurin, është Kisha jonë e shenjtë. Shërbëtorë dhe mjekë, janë klerikët e Mistereve Hyjnore, të cilët, me vajin e dashurisë dhe verën e mësimdhënies, shërojnë ulçerat e mëkatit. Portat e bujtinës janë të hapura për të gjithë. Të gjithë i pranon dhe për të gjithë kujdeset. Nuk e largon të pamoralshmin, nuk e urren idhujtarin, asnjë të pabesë apo të ndotur nuk e dëbon, por i përqafon të gjithë me dhembshuri, i preh me dashuri, i freskon me mirësi, i fuqizon me Misteret e Kulluara dhe i shëron me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë. “Cili i munduar, që vrapon në këtë liman të Kishës, nuk shpëtohet? Apo, cili ka dhimbje dhe, duke nxituar për në këtë spital, nuk shërohet?”, psal një nga himnet ngushëlluese të Kishës sonë.
Njeriu i sotëm, i lidhur pas karros së shpejtësisë pa fre, e ka humbur rrugën që të drejton në spitalin e Kishës, që shëron trupin dhe shpirtin. Duke ndjekur rrugën e përparimit dhe të kulturës, pa mençuri dhe dallim, bie shpesh në kurthet e kusarëve, që vënë në rrezik lumturinë dhe përparimin e tij; me përfundim, të humbasë atë që dëshiron dhe të mbetet gjysmë i vdekur, në anë të bulevardit të shumë-frekuentuar të dëfrimeve të botës. Dhe më tragjikja, është se mohon me inat ndihmën e atij që do ta çojë në bujtinë, në Kishën e shenjtë, brenda së cilës, do të prehet nga dhimbjet e plagëve dhe marramendja e pështjellimit shpirtëror.
Pa ndihmën e Samaritanit të mirë, të Zotit tonë Jisu Krisht, rrezikon të japë frymën e fundit, i braktisur, i dëshpëruar, nga indiferentizmi i miqve dhe të afërmve; i vetmuar, me shoqërues të vetëm pikëllimin dhe dekurajimin.
Në bujtinën e Kishës, janë të pafund mjetet shpëtuese dhe shenjtëruese të hirit, që vihen në dispozicion të të sëmurëve. Pagëzimi i shenjtë, e çliron shpirtin tonë nga dënimi i mëkatit stërgjyshëror. Pendimi dhe Rrëfimi, pastron ndotjen e çdo mëkatari. Kungata Hyjnore, forcon shpirtin dhe realizon bashkimin tonë shpirtëror me Shpëtimtarin. Atje, brenda bujtinës së Kishës, drita e mësimdhënies së Tij, hiri i Shpirtit të Shenjtë, të gjitha mjetet, të drejtojnë në mënyrë të qëndrueshme, në lumturinë e kësaj jete dhe të asaj të përjetshme.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
“Perëndia aq shumë e deshi botën e njerëzve, e cila jetonte në mëkat, sa që dha Birin e tij të vetëlindur” (Joani 3:16), dhe u tregua dashuri, ngushëllim dhe qetësi ndaj të mjerëve, shpëtim dhe ngjallje tek të vdekurit, dashuri e kryqëzuar, dhe shembull i gjallë dashurie për ne. Kur dashuria e tij bëhet përjetimi ynë dhe vepra jonë, shkrin në zemrën e njerëzve akullin e indiferentizmit, e bën të gjerë për të dashur, dhe atëherë, lulëzojnë kudo zambakët e gëzimit dhe të lumturisë. Si samaritanë të mirë, nxënës të Samaritanit të mirë, le të qëndrojmë pranë në dhimbjen e të afërmit tonë. Jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra vetëmohimi dhe ofrese. Ja misioni i çdo samaritani të mirë të kohërave tona!
U bëftë!