Fjetja e Kryepiskopit të Qipros, Z. Krisostom.

 Lidhur me fjetjen e Kryepiskopit të ndjerë të Qipros, z. Krisostom, Fortlumturia e tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imz. Anastasi, u shpreh:

“Me dhimbje në zemër morëm lajmin fjetjes më Zotin të vëllait dhe bashkëmeshtarit tonë fort të shtenjtë, Kryepiskopit të Qipros, z. Krisostom, me të cilin kemi patur një miqësi të gjatë e të përzemërt.

I ndjeri shquhej për spiritualitetin orthodhodoks, për guximin dhe atdhedashurinë e tij. Ai i shërbeu popullit shpresëtar orthodhoks të Qipros si kryebari “me urtësi dhe mençuri shpirtërore”, me nisma thelbësore dhe me vepra frytdhënëse. Ai ka marrë pjesë me përgjegjshmëri në takimet panorthodhokse dhe, në mënyrë të veçantë, në Sinodin e Madh dhe të Shenjtë të Kretës.

Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në shërbesën e përmortshme të varrimit, do ta përfaqësojnë Hirësia e tij, Mitropoliti i Amantias, z. Nathanail, Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë, dhe Protopresviter atë Joan Mërkuri.

Pasi i shprehëm keqardhjen tonë të thellë Hierakisë së hirshme të Kishës së Qipros dhe popullit të zgjedhur orthodhoks, në kishëzën e Kryepiskopatës së Tiranës, kryem shërbesën e Trisaisë për prehjen e tij “në tendat e të drejtëve”.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Sekretaria e Sinodit të Shenjtë

Tiranë më 7.11.2022