E Diela V e Llukait, Rruga e Llazarit do të na cojë në parajsë, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, 30.10.2022 (Tekst)

Pothuajse në të gjitha fetë, të dashur besimtarë, flitet për jetën e perjetshme, ndërsa ne të krishterët orthodhoksë kemi sigurinë e besimin në jetën e përjetshme dhe këtë siguri na e jep, vetë Shpëtimtari, Biri i Perëndisë Jisu Krishti.

E dëgjuam edhe në historinë që Ai tregoi, të cilën e dëgjuam në pjesën e Ungjillit të sotëm, që i referohet njeriut të pasur dhe Llazarit të varfër, lypës. Tregon historinë që pasaniku, i cili kalonte një jetë të këndshme, të kënaqshme, me dëfrime dhe të gjitha gjërat e mira të kësaj jete, vdiq dhe shkoi në ferr në vendin e mundimeve. Vdes dhe lypësi, por ai shkon në gjirin e Abrahamit. Shkoi në Parajsë, në vendin e të cilit gjendet paqja, qetësia, gëzimi të cilën neve shpeshherë e kërkojmë këtë vend, e kërkojmë në jetën tonë një vend të jetë i tillë që të na sjellë paqe dhe gëzim në zemrën tonë.

Fatkeqësisht jeta jonë është e mbushur me plot vështirësi, me plot sfida dhe momente të tilla të gëzueshme, të paqshme janë të pakta, por nuk duhet të humbim fokusin nga qëllimi i jetës sonë.

Krishti na siguron që Parajsa është e vërtetë dhe ferri është i vërtetë. Na siguron që Parajsa është një vend i lumturisë së përjetshme dhe ferri është një vend i vuajtjeve të përjetshme.

Kushdo nga ne do të dëshironte të jetonte në Parajsë. Nuk besoj që është dikush nga ne që do të dëshironte të jetojë në ferr?! Të gjithë duam të jetojmë në Parajsë, por nëse dëshirojmë aq shumë të jetojmë në Parajsë fatkeqësisht shpesh herë në jetën tonë ne nuk veprojmë si ai lypësi si Llazari, por ne jetojmë si pasaniku. Ndjekim rrugën e pasanikut dhe dëshirojmë që kjo rrugë të na çojë në Parajsë. Jo, është rruga e gabuar, rruga e pasanikut do të na cojë në ferr. Rruga e Llazarit do të na cojë në parajsë. Ne shpeshherë ndjekim jetën e pasanikut, jetojmë si pasaniku edhe presim të fitojmë Parajsën.

Pse jetojmë si pasaniku? Cfarë bëri pasaniku? Nuk thuhej që ai ishte njeri i keq, por thjesht jetonte jetën e tij në luks dhe nuk interesohej fare për të tjerët. Nuk interesohej as për Llazarin e varfër që ishte në prag të shtëpisë së tij. Ne duam të fitojmë Parajsën por nuk jetojmë si Llazari i varfër. Nuk jemi gati që të pranojmë të gjitha ato sfidat dhe vështirësitë që na lejon Zoti të ndodhin në jetën tonë. Ne sapo na ndodh diçka fillojmë të tronditemi, të shqetësohemi. Fillojmë të ankohemi ndaj jetës sonë, ndaj të afërmve tanë, ndaj shoqërisë, ndaj politikanëve, akoma më shumë edhe ndaj Zotit fillojmë të ankohemi. Llazari i varfër nuk u ankua fare ndaj vuajtjeve të tij. Nuk u ankua as ndaj atij pasanikut në pragun e të cilit ai qëndronte dhe ushqehej me thërrimet e tryezës së tij. Nuk u ankua aspak as nga plagët e shumta që ai kishte. Kjo e bëri që ai të fitonte Parajsën, Mbretërinë e Perëndisë.

Ne me gjërat më të para fillojmë të shqetësohemi, të ankohemi, fillojmë të humbasim besimin tonë tek Zoti dhe sigurisht nëse do të vazhdojmë këtë rrugë do të humbasim Mbretërinë e Perëndisë. Kush këmbëngul në rrugën e Llazarit, ai do ta fitojë Mbretërinë e Perëndisë. Në jetën tonë ndeshim plot njerëz që vuajnë, vuajnë shumë. Kemi dëgjuar për njerëz që kishin një sëmundje të rëndë të vështirë dhe jeta e tyre do të mbaronte pas pak dhe prisnin me paqe dhe qetësi fundin e jetës së tyre. Pavarësisht se do të linin gruan pas, pavarësisht se do të linin tre fëmijë pas jetës së tyre, përsëri ata kishin siguri se Zoti do të kujdesej për bashkëshorten e tyre, për fëmijët. E kishin sigurinë, prandaj dhe Zoti, kur ata mbyllin sytë i paqëson në Mbreterinë e Perëndisë. Ndërsa ne, ne ankohemi. Njerëzit që kanë me të vërtet vuajtje, ata i durojnë me qetësi dhe paqe në zemrën e tyre.

Një shkrimtar, ndoshta është i dëgjuar prej jush, Elhaid Cufi, në një nga veprat e tij “I varfën me zemër t`pasun” shkruan:

 

ARRATISU NGA VETJA

E shef atë grun atje?

Atë me të zeza

si shija andrrave të tradhtume,

n`ditët ma t’mira i ka vdek burri

ka rrit dy frymë jete

në kopshtin e halleve

por shife

sa e fortë asht,

si dritë që shpon terret

e i vret,

qëndron

e si dorëzohet lotëve,

e pse djali i ka ikë

dhe se din ku ja xen nata

prej alkolit,

ajo rrin e fortë

se lëshon veten,

merr shembull…

Shife atë burrin që po kalon

i veshun me nji xhaketë shiut

tan pellgje

et’shkyme

që duken si vetim jetët

të shkrepuna në trupin e tij

por ai prap qesh

e vazhdon me jetu

me zemër të përcjellun n`dhe

prejherit me djalë,

a nuk te mjafton kurajoja e tij

me harru gjithçka t`ka ndodhë

e mos me u dorzu?

Shife dhe atë grun

që shet cingare mbas tavolinës

në trotuar

e braktisun nga i shoqi

pa veshun

e grisun ditësh nga fati

me nji fëmi të sëmurë

imagjinoi vujtjet e saj,

e shihe se me njerëzit qesh

nuk veçohet nga bota,

e ti,

ti që pikëllohesh nga llastimi,

nga tekat,

nga lakmia,

nga xhelozia,

nga inati

që tjerët kanë ma shume

e ndoshta ma shumë halle…

Ti që je shëndosh

me tana,

ke nji shtëpi,

ke nji dhomë të ngrohtë,

nji shtrat të butë,

nji frigorifer plot

nji raft plot me ndërresa

e s’din ça me veshë,

ke punë,

ke makinë,

ke s’di se ça,

e ke dhe nji familje

e mërzitesh?

Shkapërceje kajher vedin

e mendo

para se me u mërzit…

Shpeshherë edhe ne jemi si ata fëmijët e llastuar, i kemi të gjitha siç përmend dhe shkrimtari pak më lart edhe ankohemi.

Le të falenderojmë Zotin të dashur besimtarë për bekimet e shumta që na ka dhënë dhe na jep në jetën tonë. Nëse shikojmë vërdallë dhe nëse shikojmë jetën tonë do të shikojmë që ai na e ka mbushur plot me bekime.

Ata që vuajnë na jepin një shembull të fortë për të thënë se duhet të durojmë sfidat tona të vështira të jetës. Duhet t’i durojmë me qetësi, me paqe, Zoti ka një arsye pse i lejon sfidat në jetën tonë dhe nëse do të durojmë si Llazari, si ai lypësi, atëherë jemi të sigurtë që do ta fitojmë Mbretërinë e Perëndisë. Amin