Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani mbi veprën dhe kontributin e teologut të mirënjohur z. Theofan Popa për konservimin dhe mbrojten e pasurive kishtare në kohën e errët të ateizmit komunist.

“Theofani, jo vetëm që nuk humbi, jo vetëm që nuk u mundua më kot, por fitoi shumë. Fitoi Perëndinë që është e vetmja pasuri”.

Figura e Theofan Popës

Fjala e mbajtur në Sesionin Shkencor të organizuar nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë nga: Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani.

 

THEOFAN POPA

I

Sot jemi mbledhur për të përkujtuar një njeri të dashur, të cilin shumë nga ne e kanë njohur personalisht. Jam i gëzuar dhe i përmalluar që ky përkujtim po bëhet në këtë vend ku ruhen ikonat, të cilat aq shumë i deshi dhe për të cilat aq shumë punoi për t’i mbledhur dhe për t’i ruajtur, në ato kohë të vështira ku pushteti i errësirës donte të shkatërronte çdo shpresë dhe të shuante çdo dritë. Por shpresa nuk vdes kurrë dhe drita e së Vërtetës, sic thoshte edhe vetë, nuk mund të shuhet kurrë, sepse ajo është “dritë që nuk perëndon”.

Por sot, do të doja të flisja më tepër për Theofanin si njeri dhe për botën e tij të brendshme shpirtërore, sepse për Theofanin si studiues do të flasin sot shumë lektorë të tjerë, të mirinformuar dhe dashamirës për kontributin e jashtëzakonshëm të tij në ruajtjen e kulturës të vendit tonë. Për të kuptuar më mirë biografinë e një njeriu, si edhe motivimet e aktivitetit të tij, duhet të njihet edhe bota e tij shpirtërore. Po ashtu, për të njohur më mirë historinë e një vendi, duhet të njihet edhe gjendja psiko-kulturore e atij vendi.

Do të ndalem pak për ta shtjelluar më qartë këtë mendim, sepse përsa i përket evidentimit dhe paraqitjes së gjendjes psiko-kulturore të një individi apo të një populli, pa të cilat vështirësohet një kuptim më i mirë dhe më i thellë i ngjarjeve të jashtme, ne kemi një mangësi dhe besoj se kjo është një temë që duhet hulumtuar dhe shtjelluar më tej. I njohim nga jashtë heronjtë dhe njerëzit e shquar të vendit tonë, por pak e njohim botën e tyre të brendshme.

Ngjarjet historike nuk mund të shpjegohen dhe të interpretohen vetëm në kushtet materiale të një shoqërie ose të një kohe të caktuar, Në histori ndikojnë, si kushtet gjeopolitike, ekonomike dhe shoqërore, po ashtu edhe kushtet kulturore (ku përfshihen botëkuptimet, mentalitetet, zakonet, arti, përjetimi fetar dhe gjendja psikologjike) të kohës kur ndodhnin ngjarjet. Sepse, jo rrallë, historianët i kanë shkruar ngjarjet e së kaluarës, jo në kontekstin e kohës kur ato kanë ndodhur, por në kontekstin e kohës së tyre. Historiografia moderne i shikon ngjarjet historike në shumë dimensione, sepse të gjitha këto janë të pandashme dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Qysh në shekullin XVIII, që përkon edhe me shekullin e lulëzimit të Voskopojës, Volteri shkruante: “Objekti im kryesor nuk është historia politike ose ushtarake, por është historia e arteve, e tregtisë, e qytetërimit – me një fjalë – e mendjes njerëzore. Dy Librat e tij historikë, shumë të famshëm, Shekulli i Luigjit XIV dhe Ese e zakoneve dhe mendjes (ose e frymës) së kombeve, me të cilat fillon historiografia moderne e Francës, u bënë gjithashtu një gur themeli për të gjithë historiografinë moderne, sepse, pa paraqitjen gjithashtu të frymës dhe mendjes njerëzore, d.m.th. të gjendjes kulturore, historia nuk mund të jetë e plotë.

Mendja dhe kultura janë të pandara nga njëra tjetra, sepse njerëzit formohen nga kultura e tyre dhe janë po ata që formojnë vazhdimësinë e kulturës. Prandaj, është jetike për ne që vlerat e krijuara në vendin tonë, të paraqiten ashtu siç janë, me tërë bukurinë, madhështinë dhe dobësitë që ato mund të kenë. Sepse, jo rrallë, ato janë paraqitur të deformuara, sa që shpesh është vështirë të kuptohet përse po bëhet fjalë.

Le të marrim si shembull paraqitjen që i është bërë ikonografisë tonë. Ato janë paraqitur sikur të ishin bërë vetvetiu. Nuk është folur pothuajse fare për frymën që i frymëzonte ikonografët dhe për ambientin e tyre fetaro-kulturor ku ata jetonin. Që Onufri ka qenë protopapë (prift i parë) pak përmendet. Edhe kur përmendet, kjo bëhet vetëm thjesht si pjesë e biografisë së tij dhe jo si pjesa kryesore e frymëzimit dhe e përjetimit të asaj që ai pikturonte. Sepse, stili që karakterizon artin bizantin, ka të bëj kryesisht me shprehjen fetare, ose e thënë ndryshe, me përkthimin e teologjisë së kishës në mjete artistike, qofshin ato muzikore, arkitekturore, ikonografike etj. Qëllimi i këtij arti ishte të shprehte misterin e besimit, prandaj ky art është i mbushur me një simbolizëm shpirtëror kaq të pasur dhe të thellë. Kisha Ortodokse, e cila ishte krijuesja e kësaj trashëgimie të pasur kulturore, për arsye të ndryshme, përmendej fare pak ose aspak, duke u lënë pothuajse në hije. Po ashtu, përmendet pak, ose aspak, kostoja e lartë financiare, pa të cilën këto vlera nuk do të mund të krijoheshin.

Duke i paraqitur kështu të gjymtuara, ne vetë i gjymtojmë vlerat tona historike dhe kulturore dhe për më tepër ne cenojmë vazhdimësinë psiko-kulturore të popullit tonë, duke krijuar çoroditje dhe mjegullim. E vërteta nuk dëmton askënd, dhe për më tepër, ne nuk mund të kemi tagrin ta fshehim ose ta shtrembërojmë atë. Njerëzit mund të mos ta pëlqejnë të vërtetën, mund ta shikojnë të vërtetën të papërshtatshme dhe lënduese, mund ta persekutojnë të vërtetën, ta shkatërrojnë dhe të përpiqen ta shtypin edhe nëpërmjet ligjit. Por të mendosh se njerëzit kanë pushtetin përfundimtar mbi të vërtetën është një iluzion. E vërteta është përgjithmonë, njerëzit jo.

Në historiografinë tonë, me gjithë punën e madhe, e cila duhet vlerësuar, bërë nga një brez i talentuar dhe i aftë historianësh, por interpretimi i ngjarjeve historike, në veprat e tyre, u deformua rëndë nga presioni i regjimit të kaluar. Ky deformim krijoi paragjykime dhe opinione të paracaktuara, të cilat pengojnë akoma edhe sot zbulimin e të vërtetës, sepse paragjykimet dhe opinionet e paracaktuara janë realisht një pengesë e madhe. “Ajo që i kundërvihet më shumë zbulimin e të vërtetës – shkruan Shopenhauri – nuk është paraqitja e rreme që rrjedh nga gjërat dhe që të drejton në gabim, ose drejtpërsëdrejti nga dobësia e fuqisë së arsyetimit. Përkundrazi, ajo vjen nga mendimi i paracaktuar, nga paragjykimi, i cili si i rremë a priori, i kundërvihet të vërtetës. Është pra si një erë e kundërt që e shtyn anijen mbrapa nga drejtimi ku ndodhet bregu, kështu që timoni dhe velat punojnë më kot.

II

E bëra këtë hyrje pak të gjatë, sepse mendoj se kjo do të na ndihmojë për ta kuptuar dhe vlerësuar edhe më shumë jetën dhe veprën e Theofanit tonë të dashur. Ai ia përkushtoi tërë jetën e tij të vërtetës, studioi për Atë dhe punoi për atë, duke u bërë një shembull për shumë e shumë njerëz. Fjala e tij e dashur jepte shpresë, qortimi i tij nuk zemëronte dhe këshillat e tij ndërtonin. Tek ai ishte kombinuar dijetari me shpresëtarin, duke i dhënë fjalëve të tij, të dala nga një mendje e ditur, edhe ngrohtësinë e një zemre të prekur nga dashuria e Krishtit.

Theofani lindi në vitin 1914 në Elbasan, në një familje të njohur të lagjes Kala. Shkollën fillore e bëri në Elbasan dhe më pas studjoi në Seminarin Teologjik në qytetin e Manastirit. Studimet e larta teologjike i vazhdoi në Athinë. I pajisur kështu me një njohuri të madhe teologjike dhe njohës i disa gjuhëve të huaja ai ishte personi i duhur që Perëndia e kishte përgatitur në ruajtjen e kulturës së vendit tonë dhe të pasurisë shpirtërore të tij. Ne jemi mbledhur pikërisht për të përkujtuar atë dhe veprën e tij. për mbrojtjen e kishave dhe kulturës së vendit tonë, si edhe për mbledhjen dhe ruajtjen e ikonave, kësaj pasurie të rrallë shpirtërore dhe kulturore, e cila dëshmon për besimin e fortë dhe devotshmërinë e vazhdueshme të popullit tonë. Me vështirë të mëdha dhe me rrezik real ai mblodhi mijëra ikona, të cilat tashmë janë në këtë museum dhe në muzeume të tjera në mbarë vendin.

Theofani jetoi dhe punoi në një kohë ku mbrojtja e së vërtetës kërkonte guxim dhe vendosmëri, ku shumë thonin dhe mendonin se po ai mundohej më kot, madje shumë vetë, edhe nga dashamirësit e tij, i thonin se ç’po fiton nga tërë kjo përpjekje. I thonin këto, se nuk e kuptonin, se të “humbësh” për të vërtetën, kërkon një besim të madh dhe për një besimtar si Theofani të humbësh për Perëndinë është një fitim dhe madje fitim i madh. Ata nuk e kuptonin përse ai po përpiqej të ruante këtë pasuri të madhe shpirtërore, sepse nuk e njihnin botën e tij të brendshme shpirtërore.

Nga një koleg i tij kam dëgjuar në atë kohë këto fjalë: Theofani është një njeri i mirë, i drejtë, i ditur, familjar dhe punëtor, por se kuptoj se përse rrezikon kaq shumë. Tertuliani, një apologjet i madh i krishterë në shekullin e dytë pas Krishtin, në një kohë kur perandoria romake i përndiqte mizorisht të krishterët, shkruan: “Dëgjohen shpesh në Romë këto fjalë, filani është burrë i mirë, i drejtë, i dashur dhe i ndihmon të gjithë ata që janë në nevojë, por ç’e do është i krishterë. Nuk ndalin të mendojnë se përse ai është i drejtë, i dashur dhe zemërdhembshur? Është i tillë pikërisht sepse është i krishterë.”

Atë që nuk kuptonin disa nga kolegët e Theofanit ishte pikërisht kjo gjë. Ai rrezikoi gjithçka, për të ruajtur thesarin shpirtëror të vendit të tij pikërisht sepse ishte besimtar, një njeri me integritet dhe e donte dhe e mbronte të vërtetën edhe kur kjo gjë ishte me rrezik. Këtë e tregon edhe një ngjarje nga jeta e tij, të cilën na e ka treguar vetë, por është thënë edhe nga disa bashkëpunëtorë të tij. Disa nga kolegët e tij, nga cmira, e akuzuan, se nëpërmjet maskimit për punë shkencore, ai bënte propagandë fetare. Në një mbledhje, për ta zënë në kurth, atë e pyetën: “A beson në Zot, apo jo?” Ai iu përgjigj qetë por i vendosur: “T’ju them se nuk besoj do t’ju gënjej dhe gënjeshtrat nuk janë në karakterin tim.

Dua të përsëris diçka që e kam thënë edhe në një tjetër konference kushtuar veprës së Theofanit. Sot, kur shumë nga persekutorëve të tij u është harruar emri, ndonëse nuk kanë kaluar shumë kohë, atij që “u mundua më kot” për të vërtetën po i shkëlqen emri. Një nga shembujt është pikërisht ky i sotmi. Emrin e Theofan Popës u munduan ta linin në harresë, ta denigronin dhe madje ta poshtëronin, por nuk mundën dot, as atëherë dhe aq më pak sot.

Duke u përpjekur për t’i ruajtur ato, ai ishte i ndërgjegjshëm se po ruante një pjesë të shpirtit të popullit tonë, pa të cilin asnjë popull nuk mund të jetojë. Duke i mbledhur dhe duke ruajtur ato, ndonëse shpesh me rrezik, ai ruante atë pak dritë që kishte mundur të shpëtonte nga stuhitë e tmerrshme që kanë fryrë vazhdimisht me tërbim mbi vendin tonë, atë dritë kaq të nevojshme për ne. Populli ynë kishte nevojë për dritë, më shumë se çdo vend tjetër, sepse këtu edhe errësira ishte më e madhe. Njerëz si Theofani, si edhe shumë të tjerë, secili sipas aftësive dhe mundësive që kishin, dhanë një kontribut të madh për ta ruajtur këtë dritë dhe për ta shpërndarë atë kudo. Në qiellin e errët atesit, këta ishin yjet e pakët që rrezatuan dritë, atë dritë aq të domosdoshme për jetën e njeriut dhe përmbushjen e qëllimit të jetës. Këta do të mbeten gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë.

Më kujtohet entuziazmi dhe shpresa e tij e madhe edhe në çastet kur çdo njeri do ta kapej nga dëshpërimi i thellë. Kur u mbyllën kishat, ai e mbajti përsëri shpresën, kur i arrestuan djalin e tij Dhimitrin, ai përsëri u mbështet tek Perëndia dhe nuk u dorëzua. Edhe në çastet e fundit të jetës, kur ishte i sëmurë dhe e kuptoi se Perëndia i tij i dashur, të Cilit i kishte shërbyer me devotshmëri gjatë gjithë jetës, po e thërriste pranë Tij, ai përsëri e përballoi vdekjen me qetësi dhe besimin e madh se ajo nuk është fundi, por fillimi i jetës së plotë, duke dëshmuar edhe në çastet e fundit për Perëndinë dhe dashurinë e tij për njeriun.

Nga: Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani

 


Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani mbi veprën dhe kontributin e teologut të mirënjohur z. Theofan Popa për konservimin dhe mbrojten e pasurive kishtare në kohën e errët të ateizmit komunist.

 

https://fb.watch/gvKtN7FYHL/