– Apostulli – Efesianëve 6:18-24.

Duke u falur në Frymë në çdo kohë me çdo lloj faljeje e lutjeje, edhe mbi gjithë këtë duke ndenjur zgjuar me çdo durim e lutje për gjithë shenjtorët, edhe për mua, që të më jepet fjalë për të hapur gojën time, që me guxim të bëj të njohur misterin e ungjillit, për të cilin unë jam lajmëtar në vargonjtë, që të flas për atë me guxim, siç më duhet të flas.

Po që t’i dini edhe ju të miat, çfarë bëj, të gjitha do t’jua tregojë juve Tihiku, vëllai i dashur dhe shërbëtor besnik në Zotin, të cilin për këtë e dërgova tek ju, që të mësoni punët tona, edhe që të ngushëllojë zemrat tuaja.

Paqe mbi vëllezërit, edhe dashuri me besë nga Perëndia Atë, edhe nga Zoti Jisu Krisht. Hiri qoftë bashkë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jisu Krisht me zemër të kthjellët. Amin.