Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë për largimin
nga jeta drejt Zotit të Mitropolitit të Filomilit, Z. Ilia (Katre)
Kryepiskopi i Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, z. Anastas, pasi mori lajmin e vdekjes së Mitropolitit të Filomilit, z. Ilia Katre, tha:
“Me hidhërim të thellë morëm lajmin e largimit nga kjo jetë drejt Zotit të vëllait tonë të shtrenjtë, Mitropolitit të Filomilit, z. Ilia (Katre), bashkëpunëtorit tonë të zgjedhur më Zotin në periudha të ndryshme të ringritjes nga rrënojat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Mitropoliti i ndjerë, z. Ilia, në vitin 1992, në atë kohë protopresviter, bashkë me Mitropolitin e ndjerë të Pergjit, z. Evangjelos, dhe me Mitropolitin e Filadelfias, z. Meliton, mori pjesë në komisionin e Patriarkanës Ekumenike, që nisi bisedimet me Presidencën e Shqipërisë lidhur me administrimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas vdekjes së priftëreshës së tij, Elenit (2001), ai u zgjodh Episkop Titullar i Filomilit për Episkopatën Orthodhokse Shqiptare në Amerikë (2002), nën juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike. Gjithashtu, ai ka qenë Drejtor i Akademisë Teologjike “Ngjallja” në Durrës (2003-2007) dhe përfaqësues i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë deri në vitin 2022, në bashkëbisedimet teologjike dypalëshe të Orthodhoksëve me Romano-Katolikët, me Anglikanët dhe me Reformatorët (Protestantët).
Hierarku i paharruar kishte besim të patundur në Krishtin, spiritualitet të thellë orthodhoks, seriozitet dhe përkushtim të plotë ndaj Kishës. Dallohej për dashamirësinë e tij për popullin besimtar dhe për kujdesin e veçantë për studentët e Akademisë. Ai ishte bashkëpunëtor i çmuar në përpjekjet e vështira e të mundimshme për zhvillimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila do ta kujtojë atë me respekt e mirënjohje.
Pasi i shprehëm me gjithë shpirt ngushëllimet tona familjes së Mitropolitit të ndjerë, z. Ilia, të dielën, në datën 9 tetor, në paraklisin e Kryepiskopatës së Tiranës, bëmë shërbesën e përshpirtjes për prehjen e shpirtit të tij të zgjedhur në tendat e të drejtëve.
Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në shërbesat e përmortshme, do ta përfaqësojnë: në Boston, protopresviter atë Joan Trebicka, ish-Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë; dhe në Las Vegas, atë Konstandin Tuda.
“Lum të gjithë ata që e kanë frikë Zotin, ata që ecin në udhët e tij”
Nga Kryepiskopata e Tiranës,
9 tetor 2022