U zhvillua Asambleja e 11- të E Këshillit Botëror të Kishave.
U zhvillua Asambleja e 11-të e Përgjithshme e Këshillit Botëror të Kishave (World Council of Churches – WCC) në Karlsruhe, Gjermani, në datat 30 gusht – 8 shtator 2022.
Këshilli Botëror i Kishave është organizatë e krishterë botërore e themeluar në vitin 1948, e cila ka rol mjaft të rëndësishëm në nxitjen dhe promovimin e dialogut ndër të krishterë mes Kishave, si dhe është një zë i fortë në përçimin e ndërgjegjes së krishterë në mbarë botën. Asambleja është organi më i lartë vendimmarrës i tij, dhe mblidhet një herë në 7 vjet (kjo mbledhje e 11-të ishte programuar për në vitin 2020, por u shty për shkak të pandemisë).
Titulli i kësaj asambleje “Dashuria e Krishtit e vë botën në lëvizje drejt pajtimit dhe unitetit”, ishte drejtues dhe udhëzues për frymën e ecurisë së tij në vazhdim.
Në të morën pjesë mbi 4.000 persona, përfaqësues dhe delegatë të 352 Kishave të denominacioneve të ndryshme nga 5 kontinentet, duke përfshirë pjesën më të madhe të kishave orthodhokse, anglikane, baptiste, luterane, metodiste, presbiteriane si edhe kishat e reformuara e të pavarura.
Ndër të tjera, në këtë Asamble u përzgjodhën dhe delegatët e Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave. Nga Kisha jonë u përzgjodh Mitropoliti Nikolla i Apollonisë dhe Fierit.
Mesazhi konkludues, i titulluar “Thirrje për të vepruar së bashku”, frymëzuar nga Letra II drejtuar Korinthianëve (5:14): “Dashuria e Krishtit na nxit”, theksoi thirrjen diakronike të Krishtit për ta ndjekur pas e për të vepruar me Të, në një lëvizje të vazhdueshme, e cila përqafon dhe ndikon në mbarë botën.
Vëmendje thelbësore iu kushtua nevojës imediate për paqe dhe ndihmë e lutje intensive për të gjithë të prekurit nga krizat e kohëve të fundit, konfliktet e armatosura, persekutimet, diskriminimet, uria e varfëria.
U theksua përgjegjësia që ka çdo individ, si anëtar organik i Kishës, për pasojat katastrofike që vijnë nga kriza klimaterike dhe ngrohja globale, rrjedhojë e keqadministrimit të krijimit, mbi të cilin Perëndia e ngarkoi njeriun si kujdestar dhe jo zotërues.
Në këtë asamble, bota orthodhokse përfaqësohej nga delegacione të shteteve të ndryshme, si Konstandinopoja, Jerusalemi, Antiokia, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Polonia, Serbia, Rumania, Shqipëria, Greqia, Qiproja, Ukraina, Finlanda, Kenia etj., klerikë, laikë, si dhe të rinj, djem e vajza.
Programi i Asamblesë ishte i larmishëm. Krahas mbledhjeve kryesore dhe seancave plenare të delegatëve, në të cilat u përcaktuan objektivat e punës së WCC-së për vitet në vazhdim, kishte edhe reflektime e diskutime të specifikave të ndryshme në grupime të vogla, studime biblike, workshope etj.