Kryepiskopi Anastas – Doktor nderi i Akademisë së krishterë të Varshavës.
Me mesazhin që “Misioni dhe përgjegjësia e Kishës është të lidhë njerëzimin me Perëndinë e Vërtetë të Dashurisë”, Kryepiskopi i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, Profesor Nderi i Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës dhe Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës, përfundoi fjalën e tij me temë “Të jetuarit më Krishtin në shoqërinë e mbarëbotshme multifetare.” Kjo fjalë u mbajt gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e shpalljes së Fortlumturisë Doktor Nderi i Akademisë Theologjike të krishterë të Varshavës.
Mesditën e së enjtes, më 6 tetor 2022, në sallën e tejmbushur të konferencave të Akademisë Theologjike të krishterë të Varshavës, në prani të krerëve fetarë, politikë e diplomatikë, të Senatit, profesorëve dhe studentëve të Akademisë, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasi u nderua me titullin Doktor Nderi i këtij Fondacioni Arsimor të lartë ndër të krishterë. Propozimi për këtë çmim u bë nga Mitropoliti i Varshavës, Sava, me vendim unanim të Sinodit të Shenjtë.
Akademia Theologjike e krishterë e Varshavës u themelua nga shteti në vitin 1954, si rezultat i shkrirjes së departamenteve teologjike individuale luterane, orthodhokse dhe katolike të vjetër.
Pas fjalës së rektorit të Akademisë, Kryepiskopit të Wroclavës dhe Çeçinit, prof. Jerzy Pankowski, u lexua teksti i nderimit, hartuar nga Mitropoliti i Kitros, prof. Georgios, bashkëpunëtor i Akademisë. Më pas vijoi dorëzimi i titullit dhe simbolit të nderimit Kryepiskopit Anastas, i cili është tashmë Doktor Nderi i shumë Departamenteve të Shkencave Humane e Sociale nga 27 universitete të shteteve të ndryshme të Evropës, Lindjes së Mesme dhe të SHBA-ve. Në vazhdim, Fortlumturia e Tij mbajti fjalën me temë: “Të jetuarit më Krishtin në shoqërinë e mbarëbotshme multifetare”.
Mes të tjerash, Kryepiskopi Anastas përmendi se pikëpamjet e të krishterëve mbi bindjet e shumëllojshme fetare shfaqin mospërputhje serioze dhe teoritë e ndryshme të formuluara përgjatë shekujve paraqesin një spektër të gjerë, nisur që nga tërësisht mohueset deri në ato tërësisht afirmuese. Duke sjellë ndërmend se me studimet sistematike në fushën e religjionit, fe të ndryshme kanë theksuar disa parime morale universale, Fortlumturia e Tij nënvizoi se: “Përvoja fetare nuk kufizohet në vlerat morale. Ajo mbështetet sidomos në rrugëtimin personal drejt Transhendentes. Feja përbën një shumësi komplekse dhe të gjithanshme adhurimesh, bindjesh, rrugëtimesh e parimesh, të cilat lidhen me të Hirshmen, të Shenjtën, dhe ndikojnë mbarë gjindjen dhe shoqërinë”.
Gjithashtu, në lidhje me qëndrimin e të krishterëve në shoqërinë bashkëkohore, ai tha: “të qëndruarit në Perëndinë” “të jetuarit më Krishtin” është ajo çka përcakton përmbushjen e përvojës së krishterë. Bëhet fjalë për një marrëdhënie me të Vërtetin, një lidhje personale dashurie me Atë që është vetë Dashuri. Sa jetojmë brenda shoqërisë së mbarëbotshme multifetare, paralelisht me respektin dhe lirinë e çdo personi njerëzor dhe përpjekjen për bashkekzistencë paqësore, le të mos lëmë pas dore faktin se nxënësit e Krishtit duhet të jenë “drita e botës” (Mt. 5:14).
“Misioni dhe përgjegjësia e Kishës, përfundoi fjalën e tij Kryepiskopi Anastas, është të lidhë njerëzimin me Perëndinë e Vërtetë të Dashurisë”.