Udhëtim Shpirtëror “Shën Gjergj – Apolloni-Ardenicë”

Këtë të Dielë dt 02.10.2022 Rinia Orthodhokse e Tiranës u nis në 6.30 të mëngjesit drejt qytetit të Fierit. Arritëm në 8.30 në katedralen e “Shën Gjergjit” ku morëm pjesë te gjithë së bashku në adhurimin Liturgjik celebruar dhe kryesuar nga Mitropoliti i Fierit Hirësia e Tij Nikolla. Menjëherë pas këtij takimi u ribashkuam për të kaluar sadopak kohë me Rininë Orthodhokse të Fierit ku gjithmonë takimi është i përzemërt mes nesh. Këtij takimi ja shtoi bukurinë prezenca e Hirësi Nikollës ku ndau me të rinjtë këshilla dhe ndihmesa të vyera sipas pyetjeve për ecurinë e duhur shpirtërore që vet të rinjtë kërkuan ndihmesë. Pas perfundimit të këtij takimi plot ngrohtësi u drejtuam drejt qytetërimit të lashtë të Apollonisë ku kishim kënaqësinë e veçantë që këtë udhëtim të na e zbukuronte vet drejtori i Muzeut Historik të Fierit z. Ilirian Gjika i cili me shumë kënaqësi dhe durim na bëri me dije detaje që edhe ne që e kishim vizituar për të disatën herë na kishin shpëtuar detaje aq të bukura e aq te imëta pa i kuptuar. Ilirjan Gjika gjithashtu ndau me ne dhe zbulimet më të reja që kanë gjetur në këtë qytetërim. Në kishën e “Fjetjes së Hylindëses Mari” që daton që nga shek XIII në hyrje të kishës viheshin re 2 saraqineska shumë të vjetra nga ku mblidhej uji i shiut dhe gjithashtu mjaft ineresante ishin dy gurët e varreve të dy murgjërve që kanë jetuar dikur vite më parë në këtë vend, ato ishin vendosur si mur rrethimi në hyrje të oborrit të kishës. Informacion tepër i veçantë për ne ishte kur na u tregua që shkrimtari i mirënjohur Jakov Xoxa ka jetuar dikur në këto ambjente. Aktualisht ky ambjent eshte kthyer në një mini muze i cili mbrohet nga shteti. Mrekullia e vërtetë e këtij udhëtimi ishte pa asnjë dyshim Manastiri i Ardenicës ku drekuam të gjithë së bashku me murgun e këtij manastiri Pater Serafimin. Manastiri i Ardenicës një monument kaq i rrallë përbëhet nga kisha e “Shën Marisë”, kishëza e “Shën Triadhës”, konaket, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Marisë”. Pater Serafimi me shumë kënaqësi na tregoi kishën madhështore të Shën Marisë e cila është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga veprat e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744. Veprimtaria artistike e ateliesë së piktorëve Zografi është shpalosur në bazilikat e Voskopojës, Vithkuqit, në Myzeqe dhe në malin e Shenjtë në Greqi. Veçantia ishte tek stili i vjetër Bizantin me të cilin ishin punuar afresket. Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpatarakut. Ikonostasi i kesaj kishe ishte tepër madhështor dhe me elemente tepër domethënëse për të gjithë që me mjeshtëri të lartë Kostandin Shpataraku kishte arritur ti punonte. Interesante ishte fakti se si në ikonën e Shën Joan Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë.

Në manastir ndodhen edhe dy pllaka me data të ndryshme që i përkasin shekullit XVII. Njëra pllakë me datën 1754 ndodhet në pjesën perëndimore të hajatit të kishës, ndërsa tjetra që mbart datën 1770 ndodhet në një nga harqet e furrës. Datimet ndodheshin edhe në kambanat që përdorte manastiri. Me kaq shumë histori dhe hire te marra në këtë mrekulli shpirtërore ndalemi për të konsumuar të gjithë së bashku një kafe nga duart e vet Paterit me zemrën dhe kokën e lënë pas. Tek ky vend kaq i bekuar perfunduam këtë udhëtim dhe me bindjen e plotë që shumë shpejt do e vizitojmë sërish, por deri atëherë na presin edhe plot udhëtime dhe përjetime të tjera shpirtërore në plot kisha e manastire të gjenduara kudo nëpër Shqipërinë tonë që vet Zoti e ka bekuar kaq shumë.

Një falenderim i veçantë nga të gjithë të rinjtë shkon edhe për drejtoreshën e Parkut Arkeologjik të Apollonisë znj.Ornela Durmishaj!

Ju keshillojmë të jeni aktiv në publikimet apo postimet që ne realizojmë ku askush të mos humbasë mundësinë për të patur këto përjetime kaq të larta shpirtërore. Deri atëhere urojmë të jeni të gjithë mirë dhe Zoti qoftë me të gjithë ne!

Nga: Anastasia Greta Rapi

 


Foto Album:

 

Udhëtim Shpirtëror "Shën Gjergj - Apolloni-Ardenicë"