Fjeti më Zotin atë Kristofor Lani.
Të hënën, 3 tetor, ndërroi jetë në mënyrë të papritur, në moshën 72 vjeçare, atë Kristofor Lani.
Ceremonia e përcjelljes u krye nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri, në vendlindjen dhe njëherësh në enorinë ku shërbeu me përkushtim, të Ipapandisë së Zotit Krisht, në Labovën e Madhe të Zhapës. Në shërbesë morën pjesë shumë klerikë nga zona të ndryshme të Mitropolisë, me bashkëlutjen edhe të besimtarëve të trevës së Odries.
Atë Kristofori, pasi studioi dhe punoi si ekonomist, me hapjen e kufijve u zhvendos në Volos të Greqisë. Dashuria për Perëndinë dhe për vendlindjen, i priu hapat e tij drejt Kryepiskopit Anastas. Dëgjoi me kujdes këshillat dhe nxitjen e tij atërore dhe ndoqi, pavarësisht moshës, mësimet në Akademinë Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në Manastirin e Ri të Shën Vlashit. Ai kthye në Shqipëri në vitin 2002 dhe u hirotonis dhjakon nga Kryepiskopi në vitin 2005 e pak më vonë prift nga Mitropoliti i Gjirokastrës.
U denjësua në kryerjen e Liturgjisë Hyjnore dhe shërbesën e Kishës së Perëndisë kryesisht në Labovën e Zhapës, në kishën e re, madhështore dhe fort të hirshme, që Kryepiskopi ka ndërtuar mbi themelet e së vjetrës që u shemb dhe në fshatrat përreth.
Sikundër Mitropoliti i Gjirokastrës theksoi në fjalën e tij ngushëlluese dhe mbështetëse pas Shërbesës, atë Kristofori rilindi shpresën në vende të vështira, ku besimtarët e mbetur ishin të paktë dhe mundësitë ekonomike të kufizuara. Prania e tij krijonte mundësi për më shumë punë nga bashkëpunëtorë të Kishës në katekizmin e fëmijëve, në punën me gratë orthodhokse etj. Ishin shkëlqime të së kaluarës së ndritur të zonës, kur bamirësit dhe humanistët e mëdhenj, të nxitur nga besimi i thellë në Perëndinë, nga dashuria e krishterë Orthodhokse, Vangjel dhe Konstantin Zhapa, e kishin shndërruar Labovën dhe jo vetëm, në punishte të dijes, të prosperitetit human dhe mbrothësisë sociale.
Mitropoliti, duke përshkruar vështirësitë që kalon vendi dhe shoqëria jonë, sprovën për Kishën që mbetet akoma me nevoja të mëdha për klerikë, i ftoi të pranishmit dhe përmes tyre gjithë besimtarët e zonës, që të ndjekin shembullin e të ndjerit dhe të zënë vend në llogoren e betejave të besimit dhe Kishës Orthodhokse.