E Diela Para Lartësimit, Dashuria E Perëndisë Për Botën, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 11.09.2022 (Tekst)

“Sikurse Moisiu ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lartë edhe i Biri i njeriut” (v.14)

 

E diela e sotme, në librat e shenjtë të Kishës sonë, quhet dhe është “E diela para Lartësimit”, domethënë e diela para të kremtes së madhe Zotërore të Lartësimit të Kryqit të Nderuar. Si e tillë, e diela e sotme, paralajmëron të kremten e madhe, që na vjen dhe na parapërgatit shpirtërisht për ta pritur denjësisht. Për këtë, Ungjilli që dëgjuam sot na flet për vdekjen çlirimtare të Zotit dhe na fut në temën e madhe të besimit tonë, që është Kryqi i Nderuar. Le të dëgjojmë pra, edhe sot, fjalët e Ungjillit, të frymëzuara nga Perëndia.

I

Në librin e Numrave, që është një ndër librat e parë të Dhiatës së Vjetër, përmendet historia që na kujton Zoti. Kur hebrenjtë ishin duke shkuar nga Egjipti për në tokën e premtuar, arritën pranë një vendi që quhej Edom, u treguan frikacak dhe filluan të zemërohen. Ecën në shkretëtirë për shumë ditë dhe nuk kishin bukë dhe ujë. Kujtuan, pra, skllavërinë në Egjipt dhe e konsideruan më të mirë se vdekja, të cilën besonin se do t’i gjente në shkretëtirë.

Besëpakësia e tyre, pra, u ndëshkua në mënyrë shembullore. Vdekja nuk erdhi nga uria dhe etja, siç e prisnin. Erdhi me disa gjarpërinj helmues, të cilët kafshonin hebrenjtë, duke bërë që të vdisnin shumë kështu. Kjo gjë i ndërgjegjësoi. Iu afruan, pra, Moisiut dhe i thanë: -“Mëkatuam duke thënë fjalë të hidhura për Perëndinë dhe për ty. Lutju, pra, Zotit që të na shpëtojë nga gjarpërinjtë”. Moisiu, me të vërtetë, u lut. Dhe Zoti iu përgjigj: -“Bëj një gjarpër prej bakri dhe vëre mbi një shkop të gjatë. Kushdo që do kafshohet nga gjarpërinjtë dhe kthen sytë e tij nga gjarpri prej bakri, që do bësh, nuk do të vdesë”. Ndërtoi pra, Moisiu, një gjarpër prej bakri, e vuri mbi shkop dhe ndodhi ajo që tha Perëndia. Kushdo që kafshohej dhe shikonte tek ai gjarpër, jetonte.

Dhiata e Vjetër, është një profeci e madhe për Krishtin. Ngjarjet që shkruhen atje, kanë një kuptim alegorik, janë simbole që paratregojnë për ato që do të ndodhin në Dhiatën e Re. Ai gjarpër simbolizon Zotin tonë Jisu Krisht, që u ngrit në Kryq; dhe kushdo që e shikon me besë, nuk vdes nga kafshimet e gjarprit, që është djalli, por jeton. Vetë Jisui e shpjegoi shumë qartë atë simbol të lashtë duke thënë: “Sikurse Moisiu ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lartë edhe i Biri i njeriut, domethënë unë, në mënyrë që kushto që do të më besojë të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (v. 14-15).

II

Si shkretëtirë është jeta e tashme, brenda së cilës udhëtojmë drejt tokës së premtuar, Mbretërisë së Perëndisë. Në këtë shkretëtirë, pra, na gjejnë gjarpërinjtë e pasioneve, nga goja e të cilëve rrjedh vdekje. Nëse do të kishim mbetur të vetëm, askush nuk do të shpëtonte nga ajo vdekje, sepse askush nuk është i pacënueshëm nga mëkati. Por ja që Perëndia, pikërisht se na do dhe na e mban të hapur Parajsën, nuk lë asnjë nga ne të pambrojtur. Ngrini, na thotë, sytë tuaj dhe shikoni me besë Birin tim të kryqëzuar.

Kështu, ai që beson dhe bashkohet me Krishtin, i cili u lartësua mbi kryq, shpëtohet nga vdekja. Edukata dhe pedagogjia bashkëkohore shmanget të flasë për vdekjen. Trembet mos krijon ndjenja frike dhe dëshpërimi tek njerëzit. Por kjo është e gabuar. Shmangia nuk është asnjëherë zgjidhje. Ndërgjegjja dhe edukata e krishterë, përkundrazi, mban qëndrim përkundrejt vdekjes. Flet për të dhe të drejton në fitoren kundër vdekjes. E lidh njeriun me Krishtin dhe e bën Perëndi, sipas hirit. Të pavdekshëm. Asnjë qenie tjetër nuk problematizohet me vdekjen. Asnjë qenie tjetër nuk u krijua e pavdekshme. Drama e vdekjes është dramë, qartësisht, njerëzore. Dhe zgjidhet vetëm kur njeriu bashkohet me Krishtin Perëndi-njeri. Atëherë nuk ekziston vdekje. Vdekja trupore është shkallë për në pavdekësi. Kryqi është shenja e çlirimit dhe e shpëtimit nga dënimi i përjetshëm dhe vdekja përfundimtare.

Kryqi është luga misterioze, që përmban kundërhelmin për gjithë helmet e të ligut. Është bisturia e frikshme, që pret gjithë pjesët e këqija dhe çrrënjos mëkatin. Është çengeli që i tërheq shpirtrat nga thellësitë e humbjes dhe i ngre në qiell. Dhe është gjithë këto, sepse mbi të gjendet Shpëtimtari, Biri i Perëndisë, që u bë njeri për të na shpëtuar. “Sepse Perëndia aq shumë e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme” (v. 16).

* * *

Etërit e Kishës mësojnë se hyjnia e fshehu fuqinë e saj në trupin njerëzor, e mashtroi kështu djallin me dobësinë e dukshme dhe e zmbrapsi. Djalli u mashtrua me një mënyrë të bekuar dhe të mahnitshme dhe kështu ra dhe u dërrmua andej nga nuk e priste. E mposhti Krishti, pasi u përul më parë dhe u kryqëzua dhe u varros si njeri i thjeshtë.

Gojarti i hirshëm bën një krahasim shumë të goditur të asaj ngjarjeje simbolike të shkretëtirës, me Çlirimtarin e kryqëzuar për shpëtimin tonë. “Atje -thotë- judenjtë iu shmangen vdekjes trupore të përkohshme. Këtu, besimtarët iu shmangen vdekjes shpirtërore të përjetshme, të mbushur me dhimbje të vazhdueshme. Atje, kafshimet e gjarpërinjve helmues i shëronte gjarpri i varur mbi dru. Këtu, Jisui i kryqëzuar shëron plagët e frikshme, që shkakton dragoi i padukshëm, djalli. Atje, secilido që shikonte, me sytë e trupit, gjarprin prej bakri, shërohej. Këtu, ai që me sytë e shpirtit shikon Zotin, nxjerr nga vetja e tij dhe hedh poshtë gjithë mëkatet e tij. Gjarpër kafshonte atje, dhe gjarpër shëronte. Kështu edhe këtu, vdekja e drejtoi në humbje njeriun, dhe vdekja e Krishtit mbi kryq e shpëtoi. Por ata gjarpërinj kishin helm vdekjeprurës. Kurse Krishti, që simbolizohej me gjarprin prej bakri, ishte absolutisht i pastër dhe i çliruar nga helmi i mëkatit. Djalli, që simbolizohej me gjarpërinjtë helmues të shkretëtirës, kishte si helm vdekjeprurës mëkatin, që të drejton në humbjen e përjetshme. Kurse vdekja e Zotit tonë mbi kryq, ishte i çliruar, në mënyrë absolute, nga mëkati, ashtu si gjarpri prej bakri i shkretëtirës nuk kishte asnjë gjurmë helmi”!

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Mjet i Kishës sonë, flamur i Kishës sonë dhe ruajtës i jetës sonë është Kryqi i Nderuar. Vetëm shenjën e tij të bëjmë, me shprestari, dhe sikur asgjë të mos thonë buzët tona, është e mjaftueshme për të plotësuar lutjen tonë. Kur na gjunjëzon pikëllimi dhe kur na mposht dhimbja dhe kur na rrethon mëkati, ne le të shohim Krishtin në Kryq që me duart e tij të shtrira na tregon ne dashurinë e Perëndisë. Aq shumë na deshi Perëndia sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të kemi jetë të përjetshme Amin.