– Apostulli – 2 Korinthianëve 8:7-15.
Po siç teproni në çdo gjë, në besim dhe në fjalë dhe në dituri dhe në çdo kujdes, e në dashurinë tuaj për ne, kështu të teproni edhe në këtë hir.
Nuk e them këtë me urdhër, po që me anë të kujdesit të të tjerëve të provoj edhe pastërtinë e dashurisë suaj. Sepse e njihni hirin e Zotit tonë Jisu Krisht, se, ndonëse ishte i pasur, u bë i varfër për ju, që të bëheni ju të pasur me anë të varfërisë së tij. Edhe për këtë ju jap këshillë; sepse kjo është e mirë për ju që nisët që vjet jo vetëm ta bëni, po edhe ta doni. Tani pra përfundojeni së bëri, që, siç qe dëshira për të kërkuar, kështu të jetë edhe përfundimi nga ajo çfarë keni.
Sepse në është më parë dëshira, është i mirëpritur dikush sipas atyre që ka dhe jo sipas atyre që s’ka. Sepse nuk dua të tjerë të kenë lehtësim, e ju shtrëngim, po të bëhet me barazi, që në këtë kohë teprica juaj të plotësojë mangësitë e tyre, që edhe teprica e tyre të plotësojë mangësitë tuaja në një kohë tjetër; që kështu të bëhet barazi, siç është është shkruar: “Kush mblodhi shumë, nuk mori më shumë, edhe kush mblodhi pak, nuk mori më pak”.