U Shenjtërua Kisha e Shën Kozmait të Etolisë në Çarshovë në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës.

Mallëngjyese dhe kataniktike ishte e gjithë atmosfera, në Enorinë skajore, të vogël por simpatike, të Çarshovës, sot, e Dielë, 4 Shtator 2022. Kisha e Enorisë që nderohet në kujtimin e “Shën Kozmait të Etolisë” u shenjtërua sipas gjithë tipikosë që parashikon tradita Orthodhokse.

Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri kryesoi shërbesën e Shenjtërimit dhe në vijim kreu Liturgjinë Hyjnore në Kishën e porsa inaguruar së bashku me klerikë të shumtë të zonës së Përmetit por edhe nga enori kufitare nga Greqia.

Herë pas here Mitropoliti sqaronte për besimtarët e shumtë pjesëmarrës dhe bashkëlutës rëndësinë e Shenjtërimit të Tryezës së Shenjtë për konsolidimin si qendër shpirtërore dhe adhuruese të një Kishe për komunitetin i cili thirret ta mbulojë atë me respektin dhe kujdesin shpirtëror. Interpretonte gjithashtu të gjitha hapat që hidheshin me vendosjen e Lipsaneve të Shentja, vulosjen e Tryezës së Shenjtë, si dhe Mirosjen.

Gjatë Liturgjisë Hyjnore pjesëmarrja në psaljen e tropareve prej Grave Orthodhokse të Përmetit edhe një herë tjetër krijoi klimën e veçantë të përjetimit të Misterit të Eukaristisë.

Mitropoliti duke shprehur falenderimin për Perëndinë Jetëdhënës që denjësoi komunitetin e besimtarëve të Çarshovës dhe në fakt të gjithë besimtarët në Mitropolinë e Gjirokastrës dhe gjithë Kishën Orthodhokse në Shqipëri në përjetimin e kësaj mrekullie të Shenjtërimit të Kishës, nxiti gjithashtu për të qenë mirënjohës për Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin tonë Anastas. Ai hapi rrugët e hierapostullimit në vendin tonë dhe në Çarshovë se është dëshmi e gjallë dashuria dhe kontributi i tij sakrifikues. Sepse në një djerrinë, në një fshat aq skajor dhe të braktisur ngriti atë kishë të mrekullueshme dhe ia dedikoi Shën Kozmait, Hieromartir dhe Isapostull për të gjallëruar shpresën dhe për të qenë mbrojtës i banorëve të tij. Kishat e tjera të fshatit ishin rrënuar gjatë viteve të persekutimit ndërkaq që vendbanimi ishte transferuar në territorin aktual. Dhe jo vetëm e ndërtoi dhe e pajisi atë me gjithçka të nevojshme për funksionim por siguroi dhe siguron mundësinë e prezencës herë pas here të klerikëve për të kryer Liturgjinë apo të tjera shërbesa sidomos gjatë periudhave të mëdha të vitit kishtar.

Në afërsi me Çarshovën, pranë kufirit shterëror me Greqinë, ndodhet edhe Manastiri i “Fjetjes së Tërëshenjtës” së Molivdoskepastos, Igumeni i të cilit Arkimandrit Arseni dhe gjithë vëllazëria në veçanti, kontribuan në përgatitjen e Shenjtërimit dhe sidomos në pajisjen e Tryezës së Shenjtë dhe Hierores. Për këtë dhe kontributin të shtrirë në kohë për të gjitha enoritë dhe besimtarët përreth, Mitropoliti i Gjirokastrës përcolli edhe falenderime të klerikëve dhe besimtarëve të pranishëm.

Në fund të Liturgjisë dhe me rastin e Shenjtërimit u ofrua qerasje në ambientet rrethuese të Kishës për të gjithë pjesëmarrësit.

***

Kisha e “Shën Kozmait të Etolisë” në Çarshovë ndodhet në një pozicion të favorshëm buzë rrugës nacionale që të shpie drejt Leskovikut dhe Pikës Kufitare të “Tre Urave” dhe si e tillë është një vend adhurimi hierapostolik për kalimtarë të shumtë dhe jo vetëm besimtarët e atij fshati.

U ndërtua me iniciativë, udhëheqje të vazhdueshme dhe fonde që grumbulloi dashuria e Kryepiskopit Anastas në periudhën 1998 – 2000. Njëherësh në atë kohë u bënë ndërhyrje për të rehabilituar edhe godinën shkollore publike në krah të kishës e cila në atë kohë grumbullonte një numër të rëndësishëm nxënësish edhe nga komunitetet përreth.

Kisha është bazilikë e thjeshtë, me tre nefe dhe tavan prej druri dhe ka hajat me çati të mbuluar mbi harkada në dy anët gjatësore. Sipërfaqja e ndërtuar e kishës është 240m2 dhe ka truall përreth prej 800m2.

Nga: Orfea Beci


Foto Album:

 

U Shenjtërua Kisha e Shën Kozmait të Etolisë në Çarshovë në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës.