– Apostulli – 1 Korinthianëve 15:1-11

Edhe tani, o vëllezër, ju tregoj ungjillin që ju ungjillëzova, të cilin edhe e morët, në të cilin edhe qëndroni. Me anë të tij edhe shpëtoni, po ta mbani atë, siç jua ungjillëzova, veç në besuat më kot.

Sepse ju dhashë më përpara atë që mora edhe unë, se Krishti vdiq për mëkatet tona, sipas Shkrimeve; edhe se u varros, edhe se u ngjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve; 5 edhe se iu duk Kefait, pastaj të Dymbëdhjetëve. Pastaj iu duk më tepër se mbi pesëqind vëllezërve njëherësh, prej të cilëve më të shumtët rrojnë deri sot, por disa kanë fjetur. Pastaj iu duk Jakovit, pastaj gjithë apostujve. Edhe më në fund nga të gjithë m’u shfaq edhe mua, si një të dështuari. Sepse unë jam më i vogli i apostujve, edhe s’jam i denjë të quhem apostull, sepse përndoqa Kishën e Perëndisë.

Po me hirin e Perëndisë jam ai që jam; edhe hiri i atij që është tek unë nuk u bë i kotë, por u mundova më tepër se ata të gjithë; edhe jo unë, po hiri i Perëndisë që është bashkë me mua. Qoftë unë pra, qoftë ata, kështu predikojmë dhe kështu besuat.