– Apostulli – 2 Korinthianëve 7:10-16

Sepse hidhërimi sipas udhës së Perëndisë sjell pendim për shpëtim, për të cilin nuk pendohet njeriu; por hidhërimi i botës sjell vdekje. Sepse ja, po ajo punë, hidhërimi juaj sipas Perëndisë, sa kujdes solli tek ju! Po sa shfajësim, po sa zemëratë, po sa frikë, po sa mall, po sa zell, po sa shpagim! Në të gjitha e treguat veten tuaj se jeni të pastër në këtë punë.

Prandaj, edhe nëse ju shkrova, nuk e bëra këtë për atë që ka bërë padrejtësi, as për atë të cilit iu bë padrejtësi, po që të tregohet tek ju kujdesi ynë që kemi për ju përpara Perëndisë.

Prandaj u ngushëlluam; edhe mbi ngushëllimin tuaj u gëzuam shumë më tepër për gëzimin e Titos, se iu preh shpirti nga ju të gjithë. Se nëse u mburra për gjë tek ai për ju, nuk u turpërova; po siç jua thamë juve të gjitha në të vërtetën, kështu edhe mburrja jonë tek Titoja për ju doli e vërtetë. Edhe dashuria e tij për ju atij i shtohet më tepër, kur kujton bindjen e të gjithëve ju, se si me frikë e me drithërim e pritët atë. Gëzohem pra, që guxoj për gjithçka tek ju.