– Apostulli – 2 Korinthianëve 3:4-11.

Edhe të tillë besim kemi në Perëndinë me anë të Krishtit. Jo se jemi të aftë të mendojmë gjë si prej vetes sonë, por aftësia jonë është nga Perëndia, i cili edhe na bëri të zotët të jemi shërbëtorë të dhiatës së re, jo të shkronjës, por të frymës; sepse shkronja vret, kurse fryma jep jetë.

Po në qoftë se shërbesa e vdekjes, që është gdhendur me shkronja në gur, u bë e lavdishme, aq sa bijtë e Izraelit nuk mundeshin të ngulnin sytë në fytyrën e Moisiut nga lavdia e fytyrës së tij, që ishte për t’u prishur, si nuk do të jetë më shumë e lavdishme shërbesa e Frymës? Sepse në qoftë se shërbesa e dënimit është lavdi, shumë më tepër tepron në lavdi shërbesa e drejtësisë. Sepse as nuk u lavdërua nga kjo anë ajo që qe e lavdishme, për shkak të lavdisë që kapërcen çdo masë. Sepse, në qoftë se ajo që ishte për t’u prishur qe e lavdishme, ajo që mbetet është shumë më tepër e lavdishme.