E Diela IX e Mateut, Guri I Themelit, E Diela VIII e Mateut, Hallka e artë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 14.08.2022 (Tekst)

 

 

“Askush nuk mund të vërë themel tjetër, përveç atij që është vënë, i cili është Jisu Krishti” (v. 11)

 

Shën Pavli në pjesën e sotme të apostullit e përngjason Kishën e shenjtë me një ndërtesë hyjnore, gurët e së cilës janë anëtarët e saj, besimtarët, trupi i Kishës, dhe themel i fortë e i patundur, Jisu Krishti, që është kreu i Kishës.

Themeli i fortë është gjithmonë një garanci për rezistencën e ndërtesës. Por edhe metaforikisht, themelimi i jetës sonë luan një rol të pakapërcyeshëm, që garanton lumturinë tonë dhe mbijetesën morale. Këtë, kryesisht, nuk e vë në diskutim askush. Është një e vërtetë e vetvetishme, meqenëse e vërteton përditë përvoja jonë.

I

Ndërtojnë sot njerëzit, ndërtojnë shtëpi, fabrika, ura. I gjithë njerëzimi gjendet në një vrull ndërtimesh. Në të gjitha vendet, madje edhe në ato të pazhvilluarat, përditë ngrihen ndërtesa të reja shumëkatëshe, që ndryshojnë pamjen e qyteteve dhe fshatrave.

Apostull Pavli fton ndërtuesit e qytetërimit bashkëkohorë të vënë re veçanërisht një ndërtim tjetër: ndërtimin e jetës! Dhe, si arkitekt i urtë, jep në pjesën e sotme të apostullit linjat e një ndërtimi shpirtëror të jetës. Ashtu si në çdo ndërtesë, kështu edhe në ndërtimin e jetës, është kryesor dhe i domosdoshëm themeli. Në të gjitha llojet e ndërtimeve, themeli është një shkëmb i fortë, gurë themeli të qëndrueshëm dhe të palëvizshëm. Mbi ta do të mbështetet e gjithë ndërtesa.

* * *

Por njerëzit, çdo herë gjejnë themel të ndryshëm për të ngritur mbi të ndërtesën e jetës së tyre. Dhe këtu ndodhet llojshmëria e rrezikshme, që i drejton disa në shkatërrim. Për shumë njerëz, themel i përshtatshëm për jetën e tyre është shtresa e lartë, paraja dhe pasuria, që sigurojnë lehtësira dhe teprica në botë. Të tjerë e themelojnë jetën e tyre në dijen e shkencës. Dhe të tjerë shikojnë në pushtetin e botës, që u ofron lavdi, terrenin e qëndrueshëm për zhvillim dhe sukses.

Të gjitha këto, në konturet e kohëve të sotme, marrin një vlerë të veçantë, sepse njerëzit ndikohen thelbësisht nga këta elementë. Dhe, analogjikisht, krijojnë kushtet për jetën e tyre dhe fëmijët e tyre. Kjo gjë nuk do të ishte kaq shqetësuese, nëse këto pasoja të qëndrimit të tyre nuk do të ishin fatale dhe nëse nuk do të humbisnin, brenda vorbullës së dëshpërimit, gjithë ëndrrat njerëzore, që lartësojnë në zemrat e tyre dëshirat mbarënjerëzore.

* * *

Themeli i jetës është Krishti, thekson sot apostulli i madh, Pavli. Ai është themeli i jetës dhe i lumturisë së çdo njeriu. Jisu Krishti, Ai që është -sipas Shkrimit të Shenjtë- guri që e hodhën tej ndërtuesit dhe që Perëndia e vendosi “kryecep” (Mat. 21:42), e bëri gur themeli të historisë së njerëzimit.

Në këtë themel të përshtatshëm, Jisu Krishtin, përpiqu edhe ti, vëllai im, të themelosh jetën tënde. Mos vër re të shumtët rreth teje, që shikojnë më kot të themelojnë jetën e tyre mbi rërën e parave, të lukseve, të pseudokulturës. Familjet që ndahen, karrierat që rrënohen, emri i mirë që hidhet në erë, le të të bindin për gabimin e madh të këtyre njerëzve…

Ti zgjidh gurin e përjetshëm, Zotin Jisu Krisht, dhe kërko që atje të mbështetësh synimet, dëshirat dhe vizionet e tua. Në ligjin e ungjillit të Tij, në dashurinë dhe dhembshurinë e Tij, mbështete jetën tënde individuale, familjare dhe profesionale. Bëje të varur gjithë jetën tënde nga Krishti, jo nga dija për Jisu Krishtin, as nga ndjenjat për Jisu Krishtin, por nga vetë Zoti Jisu Krisht. Jeta e krishterë nuk është dija rreth Jisu Krishtit, por varësia e gjallë nga personi i Tij hyjnor.

II

Të gjithë ne të krishterët jemi ndërtues të jetës shpirtërore të Kishës. Vazhdojmë ndërtimin, nga njëra anë, me përsosmërinë tonë morale, dhe nga ana tjetër, me shtrirjen e mbretërisë së qiejve në këtë botë. Çfarëdolloj vepre që bëjmë, të kujdesemi ta ndërtojmë mbi themelin e vetëm, i cili është Jisu Krishti. Ata që tregojnë se bëjnë vepra të krishtera, por që nuk i ndërtojnë mbi themelin e Jisu Krishtit, nuk kryejnë vepra të qashtra, vepra të krishtera, dhe janë heretikë. I krishteri, që të jetë me të vërtetë i krishterë, duhet të pranojë dhe të përjetojë shpëtimin më Krishtin. Të krishterët e rremë të tillë, që paraqiten sot, janë heretikët.

Drejtësia e Perëndisë do të shfaqë punën e çdo punëtori të krishterë brenda arës së Kishës. Nëse dikush e ndërtoi jetën e tij shpirtërore me dru, barishte dhe kallama, domethënë me kotësi dhe interesa, apo ndoshta për shfaqjen e vetes së tij, kjo vepër do të digjet dhe do të humbasë. Të tillë janë ata që nuk punojnë me sinqeritet në ambientin e Kishës. Apostull Pavli, ata nënkuptonte, kur tha në mbledhjen e klerikëve të Melitit: “Edhe prej jush vetë do të ngrihen njerëz duke folur gjëra të shtrembra, që të tërheqin nxënësit pas vetes të tyre” (Vep. 20:30). Fatkeqësisht dhe në kohën e apostull Pavlit, edhe sot, ekzistojnë mashtrues, që shfrytëzojë ungjillin për dobinë e tyre.

* * *

Edhe shpirti i çdo të krishteri është ndërtesë e Perëndisë. Perëndia a nuk i dha vallë çdo njeriu shpirt? Zoti Jisu Krisht, me sakrificën e Tij, a nuk i shpëtoi vallë nga pushteti i mëkatit? Shpirti i Shenjtë, a nuk është ai që e pastron, e hijeshon, e shenjtëron dhe i ofron gjithë mjetet për rilindjen dhe shpëtimin e tij, me misteret e Kishës? Me Pagëzimin, me të cilin regjistrohemi në Mbretërinë e Perëndisë; me Mirosjen, me anën e së cilës marrim dhuratat e Shpirtit të Shenjtë; me Pendimin, nëpërmjet të cilit marrim faljen e mëkateve, pastërtinë e zemrës dhe çlirimin tonë nga ankthi i fajit. Dhe mbi të gjitha, misteri i mistereve, Falënderimi Hyjnor, me anë e të cilit njeriu merr dhe pranon brenda tij, vetë Krishtin.

Ndërtesë shpirtërore, Kisha, e cila, që prej 20 shekujsh ndërtohet vazhdimisht. Të rinj të krishterë, si gurë të gjallë, shtohen, dhe ndërtesa vazhdimisht përparon, dhe askush nuk do të mund ta ndalë përparimin e ndërtimit të saj. Do të shtohet deri në mbarim të shekujve, derisa të shtohet edhe besimtari i fundit.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Kësaj ndërtese të kishës orthodhokse, i përkasim edhe ne. Profetët, apostujt, etërit, dëshmorët e shenjtë, oshënarët dhe të drejtët, janë shtyllat dhe kolonat e Kishës. Po ne, cilët jemi? Të lumur do të jemi, nëse bëhemi një gur i vogël në ndërtesën madhështore, që quhet Kisha Orthodhokse.

U bëftë.