E Diela VIII e Mateut, Hallka e artë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 07.08.2022 (Tekst)
“Ju lutemi juve, vëllezër, në emrin e Zotit tonë Jisu Krisht, që të thoni të gjithë të njëjtën gjë” (v. 10)
Pjesa e sotme e apostullit, i referohet një teme gjithmonë aktuale, gjithmonë interesante. Në kishën “e porsalindur”të Korinthit, i ligu u përpoq të mbjellë egjrën e tij. Dhe egjra më e keqe, që arriti të mbjellë, ishte fara e përçarjes.
Të krishterët, që kishin një Zot, Jisu Krishtin, një besë, një pagëzim, një Mbretëri Qiellore, kishin filluar të grinden midis tyre. Shkaku? Jo dallime dogmatike, as skandale morale. Ishin parapëlqimet e tyre, simpatia e veçantë që kishte çdo korinthian, ndaj një apostulli apo predikuesi të ungjillit. E njihnin Pavlin banorët e korinthit. Njihnin dhe Apolloin. Njihnin dhe Petron, që quhej edhe Qefa. Kishin filluar, pra, të ndahen. Unë, thoshte dikush, jam i Pavlit!… Unë, thoshte një tjetër, jam i Apolloit!… Unë, thoshte dikush tjetër, jam i Qefait. Ne, thoshin të tjerë akoma, jemi të Krishtit!…
I
Çfarë është ajo që i ndan njerëzit midis tyre, dhe ç’është ajo që e ndan njeriun nga Perëndia? Le të fillojmë nga e dyta. Që në momentin e parë të krijimit të njeriut, shikojmë të ekzistojë një harmoni midis Perëndisë dhe njeriut. Adami dhe Eva, do të thoshim se, kishin marrëdhënie shoqërore me Perëndinë. Perëndia zbriste në parajsën e Edenit dhe bisedonte me të parëgatuarit, duke u ofruar atyre një gëzim të papërshkruar dhe lumturi.
Por, që nga momenti, kur mëkati hyri tek njeriu, që nga momenti kur njeriu nuk iu bind Perëndisë, u krijua përçarja. Mëkati është arsyeja kryesore e ndarjes së njeriut me Perëndinë. Por, cilat janë shkaqet që përçajnë njerëzit? Kur krijohen ftohje midis njerëzve? Kur ekziston egoizmi.
Krijohen përçarje midis pjesëtarëve të familjes sonë. Nëse kërkojmë të gjejmë cili është shkaku kryesor i përçarjeve, do të shikojmë se është, përsëri, egoizmi. Që aty fillon interesi vetjak, të dukurit, prirja për të imponuar dëshirën vetjake. Atë që thotë gruaja, nuk e pranon burri. Diçka tjetër që do të thotë burri, nuk e pranon gruaja. Prindërit do të thonë diçka, që fëmijët nuk e pranojnë. Kështu, formohen distanca midis njerëzve, jo vetëm në rrethin e ngushtë familjar, por edhe më gjerë. Ekzistojnë edhe shkaqe ekonomike. Të ashtuquajturat trashëgimi, të cilat shpien të afërm në gjyqe, madje edhe në vrasje.
II
Sa u trembej apostull Pavli përçarjeve, copëtimeve, grindjeve brenda kishës! Për t’i mbajtur të bashkuar korinthianët rreth personit të Krishtit, detyrohet të bëhet shumë i ashpër dhe u drejtohet me pyetje të tmerrshme: Ndahet vallë Krishti dhe kisha në pjesë dhe grupime? Mos vallë Pavli u kryqëzua për hirin tuaj? Apo u pagëzuat në emrin e Pavlit? (v. 13) Ç’janë këto që bëni? Copëtoni trupin e Krishtit? Unë u kryqëzova për ju, që thoni se më përkisni mua? Në emrin tim u pagëzuat, që thoni se më keni mua kryetar? Ju lutem – flet me shumë fisnikëri të krishterë – mos harroni se në emrin e Krishtit u pagëzuat, se Krishti u kryqëzua për ju. Atij, pra, i përkasin të gjithë, dhe të gjithë jemi pjesëtarë të trupit të Tij, pjesëtarë të Kishës. Pra, ju lutem, mos u ndani. Mos u ngjitni pas personave. Jo grindje dhe përçarje…
Tashmë, 20 e më shumë shekuj kanë kaluar dhe fatkeqësisht edhe sot ekzistojnë grindje dhe përçarje midis të krishterëve. Sepse kultivohet, me ose pa ndërgjegje, kulti i individit. Të krishterë, admirojnë një punëtorë të ungjillit, një atë shpirtëror, një predikues dhe ngjiten pas tij duke lënë mënjanë gjithë të tjerët. Një nga sukseset e mëdha të të ligut është përçarja e fuqive të krishtera, dhe, fatkeqësisht, vitet e fundit, kultivohet shumë fryma e përçarjes. Por, brenda kishës orthodhokse duhet të ekzistojë uniteti në “llojshmëri”. Një kopsht është i bukur atëherë kur ka llojshmëri lulesh me larmi ngjyrash, aromash dhe formash. Dhe kisha është një kopsht, “kopsht hiresh”, me larmi dhuntish, detyrash, me enoritë e saj, me manastiret, me përpjekjet e saj misionare. Dhe kudo ku “shërben” secili prej nesh, duhet të bashkëpunojë me të gjithë në frymë uniteti dhe bashkësie. Secilido prej nesh, me punën që bën, duhet të ndihmojë edhe të tjerët. Të mos u ngjitemi personave, të mos adhurojmë njerëz, sepse admirimi dhe adhurimi ndaj personave, fatkeqësisht, kontribuon në pakësimin dhe uljen e dashurisë dhe përkushtimit të plotë, që i detyrohemi Zotit Krisht. Resht atëherë Zoti, së qeni qendra e jetës sonë dhe bëhen qendra, rreth të cilave vërtitemi, persona, të cilët, sado të virtytshëm dhe të shenjtë të jenë, nuk reshtin së qeni njerëz të vdekshëm, ndaj të cilëve nuk lejohet të ofrojë njeriu atë që i përket Perëndisë.
* * *
Predikuesit e Ungjillit dhe etërit tonë shpirtërorë, janë organe dhe shërbëtorë të Perëndisë, që na transmetojnë dhuratat e Tij. Si të harrojmë, pra, dhe të përbuzim Shpëtimtarin tonë të vetëm dhe të nënvlerësojmë Kryqin e Tij, dhe t’u ngjitemi njerëzve? Një dhe e vetme është mënyra që të gjithë të kemi unitet dhe dashuri në botë; kur të gjithë të bashkohemi me burimin e dashurisë, që është Perëndia. “Perëndia është dashuri” (1 Joan 4:16). Kur i afrohemi Atij dhe lidhemi thellësisht me Të, dhe brendësisht bashkohemi, atëherë do të mundemi të ndiejmë këtë të mirë të dashurisë dhe të bashkimit. Nuk mundet asnjë mjet tjetër të na japë gëzim, lumturi, qetësi dhe bashkim. Pikërisht ashtu siç ndriçojnë llambat të lidhura me të njëjtin burim elektrik, kështu edhe të gjithë besimtarët mund të rrezatojnë dritën e dashurisë dhe të bashkimit, kur janë të lidhur me burimin e dritës, Jisu Krishtin. Shprehje themelore e ofrimit të saktë dhe pranimit të shpëtimit më Krishtin, është për shen Pavlin, bashkimi i njerëzve në trupin perëndinjeri të Kishës. Në këtë drejtim eskatologjik të bashkimit, fton apostulli besimtarët, “që të thonë të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos ekzistojë përçarje midis tyre” (v. 10)
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Nëse do të vinte përsëri, sot, Zoti, dhe të na tregonte kryqin e Tij të përgjakur, ne të krishterët, me gabimet dhe përçarjet tona, si do të përgjigjeshim? Si nuk na tmerron përgjegjësia? “O Zot mos na e zër mëkat këtë” (Vep. 7:60). Bashkoji zemrat tona, bashko dëshirat tona. Bëna të gjithë të kemi një besim, një pagëzim, një Kishë. O Zot, O Zot, dërgo nga qielli hallkën e artë që të na bashkojë.