– Apostulli – 1 Korinthianëve 10:28-11:8.

Por nëse ju thotë juve ndonjë: Ky është theror idhulli, mos hani për hir të atij që ju tregoi dhe për hir të ndërgjegjes; sepse “I Zotit është dheu edhe plotësia e tij”. Edhe them jo për ndërgjegjen tënde, po të tjetrit; sepse përse të gjykohet liria ime prej ndërgjegjes së tjetrit? Edhe nëse unë marr pjesë në falënderim, përse të shahem për atë që falënderoj? Në ngrënshi pra, a në pifshi, a në bëfshi gjë, të gjitha t’i bëni për lavdi të Perëndisë. Mos iu bëni pengesë as Judenjve, as Grekëve, as kishës së Perëndisë, sikurse edhe unë për çdo gjë u pëlqej të gjithëve, sepse nuk kërkoj të mirën time, po atë të të shumtëve, që të shpëtojnë.

Më imitoni mua, sikurse edhe unë Krishtin.

Edhe ju lëvdoj juve, o vëllezër, se më kujtoni në gjithë gjërat, edhe mbani porositë që ju lashë me gojë, sikundër jua dhashë juve. Edhe dua që ju ta dini se kryet e çdo burri është Krishti; edhe kryet e gruas është burri; edhe kryet e Krishtit është Perëndia. Çdo burrë kur lutet a kur profetizon me krye mbuluar, turpëron kryet e tij. Edhe çdo grua, kur lutet a kur profetizon me krye zbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është një dhe njësoj me gruan që ka rruar kryet. Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, edhe le të qethet. Po nëse është turp për gruan të qethet ose të rruhet, le të mbulohet. Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është figurë dhe lavdi e Perëndisë; po gruaja është lavdi e burrit. Sepse burri nuk është prej gruas, po gruaja prej burrit.