E Diela VII e Mateut, Zemërgjerësi ndaj të afërmit tonë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 31.07.2022 (Tekst)
“Ne të fortët kemi detyrë të mbajmë dobësitë e të dobtëve, e jo t’i pëlqejmë vetes” (v. 1)
Pa dyshim, njeriu është pajisur nga Perëndia me aftësi dhe virtyte shumë të vlefshme, të cilat, nëse i përdor mirë mund të bëhet bamirës dhe i dobishëm ndaj të tjerëve. Por ka njëkohësisht edhe dobësi dhe të meta të ndryshme, të cilat, nëse nuk i lufton, bëhet i bezdisshëm dhe shqetësues. Një përzierje aftësish dhe dobësish është njeriu; avantazhesh dhe mangësish. Pranë të fortit qëndron i dobëti. Pranë gjeniut, mendja e zakonshme, apo madje edhe ai me të meta mendore. Pranë gjigantit, xhuxhi. Pranë të fuqishmit, delikati dhe shëndetligu. Pranë të pasurit, i varfri. Pra, si do të bashkohet kjo humnerë midis njerëzve? Apostull Pavli në pjesën e sotme të apostullit na propozon urën për të kapërcyer humnerën.
Pra, përderisa kemi të gjithë dobi nga aftësitë dhe avantazhet e të tjerëve, e kemi për detyrë edhe të tolerojmë dobësitë dhe të metat e tyre. Dhe kjo detyrë rëndon më tepër tek të fortët, tek të krishterët e përparuar në virtyt. Këtë të vërtetë predikon apostulli me fjalët e tij: “Ne të fortët kemi detyrë të mbajmë dobësitë e të dobëtëve, e jo t’i pëlqejmë vetes”. Ja një temë interesante me të cilën do të merret predikimi i sotëm, tema e tolerancës dhe zemërgjerësisë për dobësitë dhe të metat e të tjerëve.
* * *
Vëllezër, na thotë apostull Pavli, sa nga ne ndihemi “të fortë” le të sjellim ndërmend se pikërisht për këtë arsye “kemi detyrë të mbajmë dobësitë e të dobëtëve”, të durojmë me tolerancë dhe simpati mangësitë e vëllezërve tanë.
Të mos interesohemi si të shërbehemi dhe të rehatohemi, por të synojmë si të çlodhim dhe të kënaqim të afërmin tonë, sigurisht, gjithmonë për të mirën dhe ndërtimin e tij shpirtëror, duke e ndihmuar të përmirësohet dhe të përparojë shpirtërisht. Kemi për detyrë të vëmë “tepricën tonë në plotësimin e mungesës së tyre” (2 Kor. 8:13-14). Tepricën tonë shpirtërore, morale, materiale. Sepse epërsia që disponojmë nuk është arritje personale, por dhuratë nga qielli. Prandaj, nuk është një e drejtë e jona e pakontrolluar, por një përgjegjësi e rëndë. Mbajmë përgjegjësinë e kombinimit të fuqisë me dobësinë, që të vijë ajo barazi krijuese e anëtarëve të trupit të shoqërisë. Ndarja e drejtë e peshave, në mënyrë që, nga njëra anë, të dobëtit të mos shtrëngohen dhe nga ana tjetër të fortët “të mos mburren” (2 Kor. 12:7).
Ligji i kësaj ndarjeje të drejtë nuk mund të jetë gjë tjetër përveç se dashuria, e cila “të gjitha i mban”, dhe “të gjitha i duron…” (1 Kor. 13:7). Dashuria është plotësia e ligjit ungjillor. Me dashurinë, mbizotëron në lidhjet tona njerëzore, njëmendësia dhe njëzëshmëria. Me frymën e dashurisë nuk krijohen as grindje as mosmarrëveshje. Me interesimin për njëri-tjetrin mbizotëron uniteti brenda në familje. Bashkëshorti, me dashuri, interesohet për mbështetjen dhe ndihmën e bashkëshortes, ashtu si anasjelltas ekziston përkujdesja e mirë e bashkëshortes ndaj bashkëshortit. Prindërit kujdesen dhe mundohen me përkujdesje atërore për fëmijët e tyre. Jo thjesht përkujdesen për të ofruar të mirat jetike, por edhe për formimin e karakterit dhe shpirtit të fëmijëve, të cilët ua besoi dashuria e Perëndisë. Kisha e parë kujdesej, përtej adhurimit hyjnor dhe mësimdhënies, edhe për shërbimin ndaj vejushave dhe jetimëve. U krijua një shoqëri dashurie, pa qëllime politike, dhe të mirat tepronin për të gjithë besimtarët, të pasur e të varfër.
* * *
Karakteristika e njeriut të epokës sonë është individualizmi dhe nevrikosja. Synimi i secilit, si do të plotësojë dëshirat personale duke u treguar indiferent ndaj tjetrit. Madje edhe brenda të njëjtës familje. Secili kërkon respekt dhe mirëkuptim por këto nuk i disponon për të tjerët. Humbet lidhja e dashurisë, që e zbukuron dhe e mirëmban, bërja e lëshimeve të ndërsjellta. Fillon me këtë taktikë dhe egoizëm zbehja e lidhjeve të anëtarëve të familjes. Shtëpia katandiset në një hotel të rëndomtë. Nëse kërkojmë këtë zbehje të marrëdhënieve dhe na shqetëson ky fenomen, le të mos tregohemi më tepër indiferent. Duhet që secili të kontrollojë veten e tij, sjelljen e tij. Të hedh tej dëshirën e tij egoiste, që ngre mure dhe e izolon nga njerëzit e tij. Të gjithë duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe sistematikisht duke kufizuar pretendimet dhe duke korrigjuar veten tonë. Të zgjerojmë zemrat tona që të nxënë të gjithë njerëzit në to. Të nderojmë çdo njeri dhe bashkëpunëtor. Të pranojmë se edhe ai ka të drejtat e tij. Me të meta edhe ai, ashtu si edhe vetja jonë. Ka nevojë për mirëkuptim dhe dashuri. Një buzëqeshje e çiltër, një shprehje simpatie, bëhen shumë herë hallka që na bashkojnë. Shkrijnë akullin që mbizotëron në lidhjet tona. Parapërgatitin terrenin për një afrimitet. Për themelimin e mirëkuptimit të ndërsjelltë dhe bashkëpunimit.
* * *
Duke patur si armë të pamposhtur shpresën dhe besën tek Zoti dhe shpëtimtari ynë Jisu Krisht, mund dhe duhet të forcojmë vëllezërit tanë: me durimin, i cili, sipas Gojartit të Hirshëm, është themeli i arritjeve. Mos mbajtja mëri është nëna e virtyteve, e cila na përngjason me Perëndinë dhe mundet, që si magnet shpirtëror, të tërheqë mirpëlqimin e Perëndisë. Me faljen, e cila është një virtyt që na e mësoi vetë Perëndia, virtyti i Kryqit, nga lartësia e të cilit u dëgjua: “o Atë, ndjei ata; sepse nuk dinë se ç’bëjnë” (Luk. 23:34). Thonë, se: të falësh mikun tënd është diçka njerëzore; të falësh armikun tënd është diçka hyjnore.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Të gjithë jemi bij të një ati. Kemi për detyrë të studiojmë Shkrimin e Shenjtë dhe të zbatojmë vullnetin e Perëndisë. Të pranojmë me mirësi dhe t’i shërbejmë me gatishmëri njeri-tjetrit; të tolerojmë me dashuri njeri-tjetrin, pikërisht ashtu si Krishti, Perëndia i zemërgjerësisë, i Cili na pranon me dashuri të paanë, si vëllezër të Tij, për lavdinë e Perëndisë. U bëftë.