E Diela VI e Mateut, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 24.07.2022 (Tekst)

“Kemi dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha…” (v. 6)

Kisha është një organizatë. Është një trup. Është trupi mistik i Krishtit. Dhe ashtu si në trupin njerëzor ekzistojnë pjesë të ndryshme, dhe çdo pjesë ka vendin e vet dhe funksionin e vet, dhe të gjitha pjesët bashkëpunojnë midis tyre, sepse të gjitha drejtohen nga mendja, kështu ndodh edhe brenda trupit të Kishës. Çdo besimtar ka vendin e tij, misionin e tij dhe punën e tij. Dhe të gjithë pjesëtarët, të gjithë besimtarët, në çdo vend që të ndodhen, duhet të bashkëpunojnë dhe të gjithë duhet t’i binden Mendjes, Fjalës, Fjalës së Perëndisë, Krishtit. Të gjithë janë të pajisur me dhunti të ndryshme nga Perëndia.

I

Por së pari kush quhen dhunti? Dhunti janë aftësitë që kanë njerëzit. Meqenëse këto aftësi janë të ndryshme, të ndryshme janë edhe dhuntitë. Ekzistojnë dhunti trupore, si: shtati i gjatë, bukuria, fuqi për të ngritur pesha, të bëjë punë të rënda, të jetë i palodhur, i shpejtë në vrapim ashtu si atletët, të ketë shëndet të plotë etj. Ekzistojnë edhe dhunti mendore, si: memoria, perceptimi, zgjuarsia; dhuntia e pikturës, e poezisë, e muzikës – me këngë apo me instrumente -. Këto aftësi dhe shkathtësi rreth jetës, artit, shkencës, quhen dhunti, dhurata të Perëndisë.

* * *

Siç është e njohur, menjëherë pas pagëzimit të shenjtë kryhet edhe misteri i mirosjes. Domethënë prifti lyen me miron e shenjtë të pagëzuarin dhe në këtë mënyrë transmetohen tek i mirosuri dhunti të ndryshme dhe dhurata të Shpirtit të Shenjtë.

Dhuntitë që numëron Shën Pavli janë: profecia, shërbesa kishtare, profesioni i predikimit të fjalës së Perëndisë, fjala ngushëlluese, dhurata e transmetimit të mësimeve, e drejtimit dhe mbikëqyrjes, lëmosha, dashuria, vëlladashja, përulësia, heshtja, zelli, bindja, shpresa, durimi, lutja, simpatia, mikpritja, zemërgjerësia.

* * *

Përveç profecisë, të gjitha këto dhunti janë dhe quhen virtyte. Virtytet, janë dhurata të Perëndisë që, si fara, mbillen në tokën e zemrës sonë dhe që të zhvillohen dhe të bëhen punë dhe vepra, si frytet e bimëve dhe pemëve, duan, kërkojnë edhe kontributin dhe bashkëpunimin tonë. Rrjedhimisht, virtyti është dhuratë e Perëndisë, por edhe me përpjekjen, mundimin dhe punën e njeriut, të krishterit.

Me virtytet luftojmë barërat e egra të pasioneve: padijen e luftojmë me dije; pakujdesinë me kujdesin dhe studimin; përtacinë, me punë të zellshme si bleta; harresën, me zhvillimin e kujtesës; mungesën e vullnetit me gatishmërinë; urrejtjen me dashurinë; mërimbajtjen dhe ashpërsinë me butësinë; egoizmin me përulësin; koprracinë me lëmoshën etj. Çdo pasion, që është edhe një sëmundje shpirtërore, e ka edhe ilaçin e tij, që është dhuntia dhe virtyti përkatës.

II

Vlerësimi dhe zhvillimi i dhuntive të Perëndisë.

Apostull Pavli duke folur për këto dhunti, të cilat Shpirti i Shenjtë dha tek besimtarët, nuk harron të na rekomandojë edhe mënyrën e kultivimit të tyre për dobinë shpirtërore individuale edhe të të tjerëve. Njeriu nuk duhet të harrojë se çdo përfitim në jetën shpirtërore nuk është arritje e fuqisë dhe aftësisë së tij, por e Hirit të Perëndisë. Kjo energji e Hirit të Perëndisë, që i jep Zoti njeriut, varet nga fakti se sa ekzistenca e njeriut qëndron e hapur në kontaktin dhe komunikimin që do të ketë me dashurinë e Perëndisë. Veprimi i Hirit të shenjtë tek njeriu shfaqet nga ndjenja e pandërprerë e të qenit mëkatar.

Për ne, që i besojmë Zotit tonë Jisu Krisht, sot Shen Pavli na thotë dhe na kujton se kemi dhurata të ndryshme sipas Hirit që na është dhënë nga Shpirti i Shenjtë. Le ti kultivojmë, le të përpiqemi të punojmë shpirtërisht për to.

Nëse kemi dhunti profecie, ose të parashikojmë të ardhmen, apo të predikojmë vullnetin e Perëndisë, le ta vlerësojmë duke analizuar mësimdhënien hyjnore sipas Hirit që na është dhënë dhe sipas shkallës së besës sonë. Nëse kemi Hirin e ndonjë detyre kishtare, le të mbetemi në atë; le të zbatojmë besnikërisht detyrimet që na imponon. Dhe le të mos kërkojmë pozita më të larta. Nëse dikush është caktuar mësues i të drejtave hyjnore, le të jetë i kënaqur në këtë punë. Le të shpjegojë me frikë Perëndie dhe le të ofrojë tek njerëzit të vërtetat e larta të ungjillit.

Ai që ka dhunti të ngushëllojë të pikëlluarit, tu japë kurajë të dëshpëruarve, të nxisë, përgjithësisht, besimtarët në rrugën e virtytit. Le të mbetet në këtë vepër të rëndësishme të forcimit moral të besimtarëve. Ai që ka të mira materiale dhe prirjen e brendshme për t’i ndarë, le t’i ndajë tek të varfrit, le të veprojë me thjeshtësi, me dobi dhe me dallim, pa plagosur të ndihmuarin. Kush është caktuar drejtues le ta administrojë këtë pushtet dhe të mbikëqyrë, në çdo punë të mirë, me devotshmëri dhe me gatishmëri. Ai që bën lëmoshë, le ta ofrojë lëmoshën e tij me ëmbëlsi dhe mirësi.

III

Dhe vazhdon apostulli, i frymëzuar nga Perëndia, këshillat e tij të çmueshme: dashuria juaj, thotë, duhet të jetë gjithmonë e sinqertë, e çliruar nga interesat dhe hipokrizia. E mbushur nga një dashuri vëllazërore pa dinakëri. Të jeni dhe të tregoheni midis jush të dhimbsur. Secilido prej jush, le të ofrojë përparësitë e nderit dhe të respektit tek të tjerët, dhe të mos kërkojë për veten e tij nderime dhe vende të para.

Paraqiten shumë raste për të bërë vepra të mira për shërbimin e vëllezërve tanë dhe për lavdinë e Perëndisë. Në këto rrethana të mos jeni të pavullnetshëm dhe të plogët, por me zell, me entuziazëm dhe me gatishmëri të merrni përsipër dhe të mbaroni çdo punë të mirë që mundeni.

Fryma juaj, mendja juaj, zemra juaj, dhe fuqitë tuaja shpirtërore, të jenë të vaditura nga zelli i Perëndisë dhe nga flaka e besës. Ndërmjet gjithë dhuntive që keni marrë, t’i shërbeni me devotshmëri Zotit. Të tregoni durim dhe trimëri në hidhërimet tuaja; të këmbëngulni, gjithmonë me besë dhe zell, tek lutja; me mjetet dhe mënyrat që u ofron Perëndia të bëheni pjesëmarrës dhe ndihmës në nevojat e të krishterëve; të jeni mikpritës pa pritur që t’jua kërkojnë. Dhe e mbyll këtë rekomandim me nxitjen që të luten për armiqtë dhe për përndjekësit e tyre; të flasin për ata me fjalë të mira dhe të mos i mallkojnë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Me të vërtetë, të çmueshme dhe të frymëzuara nga Perëndia, janë këshillat e apostull Pavlit. Pra, me të gjitha këto dhunti dhe virtyte le ti shërbejmë me gatishmëri dhe le ta falënderojmë Zotin. Ajo që duhet tani nga ne është t’i zbatojmë, që në këtë mënyrë të arrijmë në mbretërinë e qiejve. Ia vlejnë këto të mira shumë më tepër nga mundimet dhe sakrificat tona. U bëftë.