UNGJILLI – Mattheu 13:36-43
Atëherë Jisui la turmën e erdhi në shtëpi, edhe nxënësit e tij i erdhën pranë e i thanë: Shpjegona paravolinë e egjrave të arës.
Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ai që mbjell farën e mirë është i Biri i njeriut; edhe ara është bota; edhe fara e mirë, këta janë të bijtë e mbretërisë; edhe egjërat janë bijtë e të ligut. Edhe armiku që mbolli atë, është djalli; edhe korrja është mbarimi i jetës; edhe korrësit janë engjëjt. Pra siç mblidhen egjrat dhe digjen në zjarr, kështu do të jetë në mbarim të kësaj jete.
I Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij, edhe do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet edhe ata që punojnë paudhësinë. Edhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve. Atëherë të drejtët do të ndrisin si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.
Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.