E Diela V e Mattheut, e Etërve të Shenjtë të Sinodit të IV Ekumenik, Pemë frytdhënëse, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 17.07.2022 (Tekst)

“Le të mësojnë edhe tanët të jenë të parë për punë të mira për nevojat e domosdoshme, që të mos jenë të pafrytshëm” (v. 14)

Në pjesën e sotme të Apostullit, shën Pavli, i rekomandon nxënësit të tij dhe episkopit të Kretës, Titos, t’i vërtetojë dhe t’i bindë gjithë ata që besojnë te Perëndia, që të mos mbeten në besimin e thjeshtë, por të pranojnë me zell veprat e mira, dhe madje në nevojat e domosdoshme të vëllezërve, që të mos mbeten të pafrytshëm.

Besa e Krishterë -thotë- nuk është një teori e zhveshur, e konceptuar vetëm në mëndje. Është fuqi që vë në lëvizje zemrën, dhe i tregon besimtarët përparues në punë dashurie dhe solidariteti. Është një lulëzim që sjell fryte të shumta. “Fryti i Shpirtit të Shenjtë është dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri, butësi, vetëpërmbajtje” (Galat. 5:22-23). Por, që të piqen ato fryte, njeriu ka nevojë për gjithë ato ndikime bamirëse që merr fidani i ri.

I

Nevoja e parë është kultivimi intensiv dhe sistematik. Njeriu me të vërtetë frytdhënës, është ai që e pranon kultivimin e shpirtit të tij nga ana e Atit Perëndi, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Pikërisht ashtu si për një bimë, një pemë, një arë, për të dhënë fryte, nevojitet së pari dhe kryesisht ta kultivojë bujku, të punojë tokën, në mënyrë që të marrë ajrin diellin dhe ujin, të gjitha këto elemente të domosdoshme, që të zhvillohet dhe të japë fryte pema, kështu edhe për kultivimin e shpirtit, nevojitet së pari dhe kryesisht, parmenda shpirtërore, lërimi. Në shpirtin tonë, parmenda është fjala e Perëndisë, e cila, në një pjesë tjetër të Shkrimit të Shenjtë, përmendet se është “e gjallë dhe vepruese dhe më e mprehtë se çdo thikë me dy presa” (Heb. 4:12). Pret “zemrat dhe veshkat” (Zbul. 2:23), dhe depërton në thellësitë e zemrës së njeriut dhe realizon rilindjen e njeriut, e nxit së brendshmi, e kultivon, e përtërin, e shpëton nëpërmjet jetës së virtytshme.

Prandaj themi shpesh se Shkrimi i Shenjtë duhet të jetë kënaqësia e përditshme dhe njeriu nuk duhet ta lërë nga dora asnjë ditë. Qoftë edhe dhjetë minuta, një çerek ore, njëzet minuta, gjysmë ore, një orë, sa mundet njeriu të thellojë shikimin shpirtëror të tij brenda Shkrimit të Shenjtë, për të hyrë fjala e Perëndisë si një parmendë dhe të rrëmojë dheun e shpirtit, ta bëjë të shkrifët, pjellor, frytdhënës.

* * *

 

Veprimi i dytë që duhet të bëjmë në arën e shpirtit tonë është ta vadisim. Por cila është vaditja e shpirtit tonë? Shpirti vaditet me misteret hirëburuese të Kishës sonë, që e çojnë butë në zemrën tonë ushqimin shpirtëror. Kur njeriu merr pjesë në misterin e pendimit të sinqertë dhe të rrëfimit të pastër, çlirohet nga mëkatet e papastra që janë vendosur dhe kanë krijuar shtufa brenda shpirtit të tij, dhe bëhet i pastër. “Spërkatmë me hisop dhe do të pastrohem, lajmë dhe do të bëhem më i bardhë se dëbora” thotë psalmisti, mbreti dhe profeti David.

Kështu, kur marrim pjesë në misterin e kungatës hyjnore për ndjesën e mëkateve dhe jetën e amshuar, atëherë fronëzojmë në të brendshmet e shpirtit, Krishtin tonë, i cili edhe e ringjall, e forcon dhe e shpëton shpirtin.

Ç’gjë tjetër bëjmë ndaj një peme për të sjellë fryte? E krasisim. “Çdo hardhi që sjell pemë, e pastron, që të sjellë më tepër pemë” (Joani 15:2). Pemën frytdhënëse, për të sjellë më tepër fryte, e krasit bujku, duke prerë degët e padobishme, në mënyrë që ta marrin ushqimin degët pjellore dhe të lulëzuara, dhe të lidhë fryte dhe të rritet dhe të piqet.

Kështu pra dhe në shpirtin tonë kemi krasitjen, krasitjen e pasioneve dhe të dobësive tona. Sepse të gjithë kemi pasione dhe dobësi, dhe nevojitet të gërmojmë thellë dhe t’i nxjerrim nga brenda nesh, sepse na krijojnë shumë vështirësi në jetën tonë shpirtërore dhe në lidhjet tona, si me njerëzit e tjerë ashtu edhe me Perëndinë. Kur Krishti, Dielli i Drejtësisë, do të lindë në shpirtin tonë, do të shpërndajë retë dhe mjegullën e pasioneve, dhe do të krijojë brenda nesh rilindjen shpirtërore, dhe atëherë, “do të dalë njeriu në punën e tij”, sipas psalmistit, dhe ky Diell i Drejtësisë do të na japë aftësi dhe shumë hir që të bëhemi përparues “në veprat e mira”.

II

Vepra të mira janë përgjithësisht ato gjëra që i shërbejnë të afërmit tonë dhe kanë miratimin e Perëndisë. Atëherë janë dhe të dobishme për njerëzit. Por veprat e mira, që janë fryte të besës së krishterë, nuk do t’i kufizojmë vetëm në spektrin e ngushtë “të mirëbërjes dhe lëmoshës” (Heb. 13:16). Njeriu bashkëkohor ka shumicë nevojash, sa materiale aq edhe shpirtërore. Përkujdesja jonë e sinqertë duhet të përqafojë, pa dallim, gjithë njerëzit rreth nesh. Sepse janë vëllezërit tanë dhe bijtë e Perëndisë. Duhet të jemi të gatshëm për çdo vepër të mirë (Titi 3:1).

Po rendisim këtu disa vepra të mira dhe të dobishme: vizita tek të sëmurët, tek të burgosurit. Mbështetja e jetimëve dhe e të veve. Të ushqyerit e të uriturve. Ngushëllimi i atyre që mbajnë zi dhe janë të hidhëruar. Ndihma e të papërkrahurve. Mbështetja e familjeve të mëdha dhe të varfra. Punësimi i të papunëve. I krishteri duhet të japë prezencën e tij në çdo përpjekje të mirë. Fatkeqësisht, jo rrallë herë, kufizohemi në fjalë të bukura për veprat e mira. Dhe nuk përparojmë në shfaqje praktike të dashurisë.

Ç’ti bëjë fjalët e bukura bashkëshortja, kur bashkëshorti i saj, në veprimet e jetës së përditshme është i dhunshëm, i rrëmbyer, gjaknxehtë dhe i ashpër? Ç’rëndësi mund të kenë për bashkëshortin ato që gruaja e tij i lexon nga një revistë e krishterë apo një libër rreth dashurisë, kur nuk kujdeset të tregojë edhe interesim praktik në vështirësitë e tij? Kur nuk e çlodh nga mundimet dhe dëshpërimet e punës së tij, me mirëkuptimin dhe mirësinë e saj? Si do të pranojë besimtari i thjeshtë, nxitjet dhe këshillat e famullitarit të tij, kur ai nuk tregon kujdes për vështirësitë dhe nevojat urgjente që e dërrmojnë?

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Njeriu që është i dobishëm për të tjerët, nuk rrezikon të paraqitet para Perëndisë vetëm me gjethe, por do të paraqitet si pemë frytdhënëse dhe e bekuar, për tu mbjellë në mënyrë të përhershme dhe të përjetshme në kopshtin e Parajsës, ku mbizotëron lumturia e patrazuar dhe gëzimi. Fitimi, rrjedhimisht, nuk është vetëm i të tjerëve, por edhe i vetë besimtarëve që janë paraprirës të dashurisë dhe zelot të veprave të mira, ashtu si na do Zoti. Pemë frytdhënëse! U bëftë.