APOSTULLI – Romakëve 8:14-21.
Sepse sa udhëhiqen prej Frymës së Perëndisë, këta janë bij të Perëndisë. Sepse s’keni marrë frymë robërie, që të keni frikë përsëri, po keni marrë frymë birërie, me anë të të cilit thërresim: Ava, o Atë. Vetë Fryma dëshmon bashkë me frymën tonë se jemi bij Perëndie.
Edhe nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë, edhe trashëgimtarë bashkë me Krishtin, në vuajtshim bashkë me atë, që edhe të lavdërohemi bashkë me atë. Sepse unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë të barazohen me lavdinë që do të zbulohet ndër ne. Sepse krijimi pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë.
Sepse krijimi u vu nën urdhër të kotësisë, jo me dashje, po për atë që e vuri nën urdhër, me shpresë se edhe vetë krijimi do të çlirohet nga robëria e prishjes, e të shkojë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.