APOSTULLI – Romakëve 14:9-18.

 

Sepse për këtë Krishti edhe vdiq, edhe u ngjall, edhe rroi, që të zotërojë edhe mbi të vdekurit edhe mbi të gjallët. Po ti pse gjykon vëllanë tënd? Apo edhe ti pse përbuz vëllanë tënd? Sepse ne të gjithë do të dalim para gjykatës së Krishtit. Sepse është shkruar: “Rroj unë, thotë Zoti, se mua do të më përkulet çdo gju, edhe çdo gjuhë do të lavdërojë Perëndinë”. Kështu pra gjithësecili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.

Pra, le të mos gjykojmë më njëri-tjetrin; po gjykoni më tepër këtë, mos i vini vëllait pengesë ose skandal. E di dhe jam i bindur në Zotin Jisu, se s’ka asgjë të papastër nga vetvetja; vetëm për atë që mendon se ndonjë gjë është e papastër, për atë është e papastër. Po nëse hidhërohet yt vëlla për ushqimin tënd, ti nuk ecën më sipas dashurisë. Mos e bëj të humbasë prej ushqimit tënd atë, për të cilin Krishti vdiq. Le të mos shahet pra e mira juaj. Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënë e të pirë, po drejtësi e paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë; sepse ai që i shërben Krishtit me këto, është i pëlqyeshëm për Perëndinë dhe i miratuar nga njerëzit.