E Diela III e Mateut, Pajtim me Perëndinë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 03.07.2022 (Tekst)

“Sepse, ne qoftë se, kur ishim armiq u pajtuam me Perëndinë me anë të vdekjes së Birit të tij, shumë më tepër, pasi u pajtuam, do të shpëtojmë me anë të jetës së tij” (v. 10)

Blatimin e madh shpërblenjës ndaj gjithë njerëzve, thekson shën Pavli në pjesën e sotme të apostullit. Është tema e pajtimit tonë me Atin tonë Perëndi qiellor. Na thotë se kjo është një ngjarje, një mister i thellë, i pakuptueshëm dhe i madh, që solli si pasojë vdekja shpërblenjëse e Birit të Perëndisë. Ky mister na pajtoi me Atin Perëndi, me të cilin ishim armiq, për shkak të shkeljes së urdhërimit hyjnor. Me këtë pajtim e kemi tashmë te sigurt shpëtimin tonë.

I

Që nga dita kur të parëgatuarit shkelën urdhrin hyjnor dhe kryen mëkatin e parë, e keqja u bë karakteristikë dalluese edhe e pasardhësve të tyre. Dhe, sa më shumë kalonin vitet dhe shekujt, aq më tepër, prirja mëkatare, shtrihej në thellësi dhe gjerësi, gjithashtu edhe faji e hidhërimi rëndonte në zemrat e njerëzve. Bijë të Perëndisë ishin më parë njerëzit, bijë të rebelimit u bënë pas mëkatit. Dhe, sa më shumë fryhej ligësia dhe pabesia e tyre, aq më tepër zmadhohej armiqësia ndaj Perëndisë; me rezultat, të akuzuar rëndë para Perëndisë, fajtorë të zemërimit të Tij të madh, të denjë të dënimit të përjetshëm. Dhe, më e frikshmja, jetën e tyre tokësore, të hidhur e të mundimshme, do ta trashëgonte dhimbja e pashprehur e dënimit të përjetshëm!

Por, kështu do të dështonte plani i Perëndisë. Do të mbetej i paplotësuar premtimi i Tij, sipas të cilit, njeriu, “ikona e Perëndisë”, paracaktohej të bëhej “i ngjashëm” me Atin qiellor. Pa dobi dhe kot do t’i kishte përgatitur, që nga fillimi, Perëndia, të mirat e paçmueshme të Parajsës.

Por, do të ishte vallë e kuptueshme dhe e mundur të bëhej diçka e tillë? Do të ishte vallë e mundur ta braktisë Perëndia njeriun, megjithëse mëkatar e të rebeluar, punën e duarve të Tij, krijesën dhe birin e Tij? Megjithëse njeriu nuk e pranonte si babanë e Tij, Perëndia asnjëherë nuk pushoi ta shikojë njeriun si birin e Tij.

Dhe ja që “Perëndia tregoi dhe vërtetoi, në mënyrë të padiskutueshme, dashurinë e tij ndaj nesh, me ngjarjen se, kur ne ishim mëkatarë, Krishti, Biri dhe Fjala e Atit, u sakrifikua për hirin tonë”. Vdekja e Krishtit është ura që bashkoi humnerën midis qiellit edhe dheut. Personi i Perëndi-njeriut është mjeti i pajtimit, përmbysja e armiqësisë dhe gjithë torturave të frikshme, që solli kjo armiqësi.

Prandaj shpallte Zoti: “Aq shumë e deshi Perëndia botën e zhytur në mëkat, saqë dorëzoi në vdekje mbi kryq, Birin e Tij të vetëmlindur; që të mos dënohet në humbjen e përjetshme kushdo që do të besojë tek Ai, por të ketë jetë të amshuar” Joani 3:16. Dhe apostull Pavli theksonte: “Krishti na shpërbleu nga mallkimi i ligjit duke u bërë Ai vetë, për hirin tonë, mallkim, dhe të paguajë si shpërblim vdekjen e Tij mbi kryq” Gal. 3:13. Sepse është shkruar në Dhiatën e Vjetër: “I mallkuar është secilido që varet mbi drurin e kryqit” Ligji i Përtërirë 21:23. Për të na vërtetuar sot Apostulli: “Megjithëse ishim armiq, u pajtuam me anë të vdekjes së Birit të Perëndisë mbi kryq” v. 10.

Tani nuk jemi armiq të Perëndisë. Tani jemi miq. Jemi të shtëpisë së Tij. Jemi bijë dhe trashëgimtarë të Mbretërisë së Tij. Dhe shkaku cili është? Vdekja mbi kryq e Birit të Perëndisë. Kjo vdekje e hoqi armiqësinë dhe solli pajtimin dhe bekimin.

II

“Në qoftë se, kur ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes mbi kryq të Birit të Perëndisë, shumë më tepër tani, që jemi pajtuar me Perëndinë, do të shpëtojmë me ndërmjetimin e Zotit, Kryepriftit dhe ndërmjetuesit tonë Jisu Krisht, që jeton përjetësisht pranë Atit Perëndi” v. 10. Tani nuk ekziston ajo jetë, jetë përulësie dhe dobësie, të cilën si njeri e jetoi mbi tokë. Është një jetë lavdie, fuqie, triumfi, të cilën, fitimtari i vdekjes dhe sunduesi i të gjithave, tokësoreve dhe qielloreve, duke ndenjur në të djathtën e fronit të madhështisë, ku lutet dhe ndërmjeton tek Ati për ne. Mban në duart e shpuara nga gozhdët, çështjen e shpëtimit tonë. E paraqet përditë para dashurisë dhe dhembshurisë së Atit të Tij qiellor dhe kërkon plotësimin e shpëtimit tonë.

* * *

Por, vetëm ndërmjetimi i Shpëtimtarit nuk arrin që të na japë ndjesën e mëkateve dhe të na sigurojë jetën e amshuar dhe shpëtimin, nëse edhe jeta e të krishterit nuk është jetë bese, jetë pendimi, shenjtërie dhe dashurie. Nëse nuk beson, secilido prej nesh, në vdekjen shpëtuese të Krishtit Shpëtimtar dhe nuk do t’i bëjë studim të përditshëm, kënaqësi dhe përjetesë të tij; nëse bashkë me këtë besë nuk paraqet edhe pendimin përkatës dhe vepra pendimi, vepra bese dhe dashurie, atëherë më kot vdiq Krishti. Duhet besë e nxehtë në vdekjen e Krishtit dhe përkushtim i plotë dhe bindje në Ungjillin e Tij, në mënyrë që edhe jeta e tij të jetë e shenjtë, e virtytshme dhe e lavdishme. Të gjitha këto sigurojnë pajtimin dhe shpëtimin.

* * *

 

Njeriu sot, u shastis nga përparimet e mëdha teknologjike. U shfaq një shkencë teknologjike, pa konceptin shpirtëror të jetës. Njeriu i kufizuar vetëm në pajisje, çau personalitetin e tij. Krijon edhe në jetë kontradikta. Njeriu biologjik i kulturës teknologjike, u kufizua në një jetë të njëanshme, në një jetë lumturie materialiste dhe pangopësie.

Brenda antitezave dhe kundërshtimeve të epokës sonë teknologjike, Krishti mbetet personi i vetëm që mund të na ndihmojë: Ai i pastron ndërgjegjet e njerëzve nga veprat e vdekura të mëkatit dhe ofron me mësimdhënien e Tij të pakrahasueshme, pastrimin e brendshëm të mendimeve dhe të ndjenjave, dhe na fal një jetë të ringjallur dhe të çliruar nga pasionet e lartpërmendura dhe nga gabimet tona. Besojmë në një Krisht të ngjallur prej së vdekurish, i cili na fuqizon të mposhtim egoizmin tonë dhe të kuptojmë se jeta është gëzim, kur bashkëjetojmë në paqe me të afërmit tanë. Lidhjet shoqërore, me besën tek Krishti, nuk rregullohen nga fryma e imponimit të së drejtës së më të fortëve. As jeta nuk shtrëngohet nga komplikacionet ekonomike. Ekziston dashuria që i zgjidh të gjitha problemet, pa procedura egoiste.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, sakrifica e Zotit për ne mëkatarët, të pabesët dhe tradhtarët e Perëndisë, është e parëshfaqur dhe një model i pakapshëm i dashurisë hyjnore, dhe duhet ta ndiejmë zëmrën tonë të përmbytet nga mirënjohja e paanë për Shpërblenjësin tonë, dhe shpirtin tonë, nga përkushtimi i plotë ndaj Tij.

U bëftë.