APOSTULLI – Romakëve 5:1-10.
Si u drejtësuam pra prej besimi, kemi paqe me Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht, prej të cilit kemi edhe hyrjen me anë të besimit në këtë hir, në të cilin qëndrojmë; edhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Edhe jo vetëm kjo, po edhe mburremi për shtrëngimet, duke ditur se shtrëngimi sjell durim, edhe durimi provë, edhe prova shpresë. Edhe shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.
Sepse kur ishim ne ende të sëmurë, Krishti vdiq në kohën e caktuar për të pabesët. Sepse vështirë edhe për një njeri të drejtë dikush do të vdesë; sepse për të mirin mbase edhe guxon ndonjë të vdesë. Po Perëndia tregon dashurinë e tij për ne, sepse ndërsa ne ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër pra, si dolëm të drejtë tani me anë të gjakut të tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. Sepse, në qoftë se kur ishim armiq u pajtuam me Perëndinë me anë të vdekjes së Birit të tij, shumë më tepër pasi u pajtuam do të shpëtojmë me anë të jetës së tij.