APOSTULLI – Romakëve 7:1-13.

Apo nuk e dini, vëllezër, sepse u flas njerëzve që njohin ligjin, se ligji ka pushtet mbi njeriun për sa kohë ai rron? Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin deri sa ky është i gjallë; po në vdektë burri, lirohet nga ligji i burrit. Kur rron pra burri, në u bashkoftë me tjetër burrë, do të jetë kurorëshkelëse; po në vdektë burri, është e çliruar nga ligji, që të mos jetë kurorëshkelëse në u bashkoftë me tjetër burrë.

Prandaj, vëllezër, edhe ju jeni të vdekur ndaj ligjit me anë të trupit të Krishtit, që të bashkoheni me tjetër, me atë që u ngjall prej së vdekurish, që të sjellim fryte tek Perëndia. Sepse kur ishim në mish, dëshirimet e mëkateve, që ishin me anë të ligjit, vepronin në gjymtyrët e trupit tonë, për t’i sjellë fryte vdekjes.

Po tani u zgjidhëm nga ligji, pasi vdiqëm nga çfarë na mbante të pushtuar, që të shërbejmë sipas frymës së re, e jo sipas shkronjës së vjetër.

Ç’të themi pra? Ligji është mëkat? Qoftë larg. Por mëkatin nuk e njoha, veç me anë të ligjit; sepse edhe lakmimin nuk do ta njihja, po të mos thoshte ligji “Mos lakmo”.

Po mëkati, duke marrë shkak me anë të urdhërimit, ngjalli tek unë çdo farë dëshirimi; sepse pa ligj mëkati është i vdekur. Edhe unë rroja një herë pa ligj; po kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall përsëri, e unë vdiqa, edhe kështu urdhërimi që u dha për jetë, ai u gjend tek unë për vdekje.

Sepse mëkati, duke marrë shkak me anë të urdhërimit, më mashtroi, edhe me anë të tij më vrau. Prandaj ligji është i shenjtë, edhe urdhërimi i shenjtë dhe i drejtë dhe i mirë.

Ajo pra që është e mirë, u bë tek unë vdekje? Qoftë larg. Por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës pruri tek unë vdekje, që me anë të urdhërimit mëkati të bëhet me të tepërt mëkatar.