E Diela II e Mateut, nga Mitropoliti i Apollonise & Fierit, H. Nikolla, . 26.06.202 (Tekst)
“Kush është kapiteni i anijes së jetës sonë?”
Të dashur besimtarë, të gjithë ne jemi në një udhëtim. Duam apo nuk duam ne, udhëtimi ynë i jetës vazhdon. Në një moment ky udhëtim do të përfundojë, por e rëndësishme është se ku do e përfundojmë udhëtimin tonë.
Ku do të ankorohet anija e jetës sonë?!
A do të arrijmë në destinacionin që duam?
A do ta prekim Tokën e premtuar?!
E dimë shumë mirë, që anija të ankorohet me sukses duhet të ketë kapiten të zotë, me shumë eksperiencë, i cili mund të përballojë të priturat dhe të papriturat, stuhitë e jetës sonë.
Askush nuk mund të jetë kapiten më i zoti se vet Krishti, vet Perëndia.
Të dashur besimtarë, le të shikojmë me kujdes pjesët që na tregojnë ungjijtë, të cilat kanë të bëjnë me Krishtin, Apostujt, me lundrimin e tyre në det dhe me peshkimin e tyre.
Sot ne kujtojmë thirrjen e Apostujve të parë nga Krishti.
Në pjesën e sotme të ungjillit na thuhet se Petro dhe Andrea ishin duke hedhur rrjetat. Dy vëllezërit e tjerë Joani dhe Jakovi ishin bashkë me të atin duke rregulluar rrjetat.
Në një pjesë tjetër nga ungjilli i ungjillor Markut na përsëritet e njëjta ngjarje.
Ungjillor Llukai na thotë se Krishti i tha Petros të largohej pak nga bregu me varkën e tij dhe vetë Krishti filloi të mësonte turmat. Pasi përfundoi mësimin e Tij, Ai i thotë Petros që të futet në ujëra të thella dhe të hidhnin rrjetat.
Nuk kishin zënë asgjë gjithë natën, por duke besuar në fjalën e Krishtit, hodhën rrjetat dhe zunë aq shumë peshk sa thirrën për ndihmë Joanin dhe Jakovin, që të mbushnin varkat e tyre.
Një pjesë tjetër na që Krishti ishte me nxënësit e Tij në detin e Galilesë, e kishte zënë gjumi, ndërkohë që nisi një stuhi e madhe. Ata e zgjuan Krishtin shumë të frikësuar duke pritur ndihmën e Tij. Kishin besim se Ai do qetësonte stuhinë.
Një histori afërsisht e njëjtë. Apostujt po lundronin, por Krishti nuk ishte me ta, një stuhi e madhe nisi, ata u frikësuan, por panë Krishtin që vinte në këmbë mbi ujëra drejt tyre dhe u qetësuan dhe stuhia pushoi sapo Krishti hipi në varkë.
Një ngjarje e fundit na tregohet mbas ngjalljes së Krishtit. Gjashtë prej apostujve po peshkonin dhe gjatë gjithë natës nuk kishin zënë asgjë dhe në të gdhirë shohin Krishtin në breg të detit i cili i pyet a zutë diçka?
Ata me dëshpërim tregojnë që nuk zunë asgjë.
Krishti i urdhëroi të hidhnin përsëri rrjetat dhe ata zunë një shumicë peshqish.
Po të shohim me kujdes të gjitha ngjarjet që na tregohen, nuk na thuhet në asnjë moment që nxënësit shkuan dhe zunë peshk, nuk na thuhet që udhëtimi i tyre në det ishte i qetë. Na tregohen vetëm rastet në të cilët ata kishin nevojë për ndihmën e Krishtit, për bekimet e Tij dhe ndihmën e Tij.
Pse na tregohen vetëm të tilla raste?!
Me qëllim ungjillorët na treguan këto momente, për të na treguar që Krishti është Ai që bekon jetën tonë, na ndihmon ne në furtunat e jetës sonë, i vetmi kapiten që shpëton anijen. Pra një kapiten i tillë na duhet.
Shpesh herë ne përpiqemi të ndërtojmë varka të mëdha, të bukura, të shtrenjta. E mbushim anijen e jetës sonë plot me gjëra të tjera, por bëjmë një gabim të madh, nuk zgjedhim kapitenin e duhur për këtë anije.
Le të kujtojmë pak çfarë ndodhi me “Titanikun” anijen më të famshme të asaj kohe!
Në 15 Prill 1912, kjo anije e nisur nga Anglia për në New York, kjo anije kaq moderne e madhe dhe e bukur u mbyt dhe bashkë me të rreth 1500 persona. Kjo ndodhi sepse kapiteni nuk arriti t’i mbronte nga rreziqet.
Kjo ndodh edhe me jetën tonë, kërkojmë të bëjmë gjëra të mëdha, por fatkeqësisht nuk zgjedhim kapitenin e duhur. Zgjedhim paranë, argëtimet, kënaqësitë, pasionet dhe qëllime të tjera, gjithëçfarë kapitenësh të tjerë, përveç Krishtit. Këta kapitenë është e sigurt, që nuk do të shpien në destinacionin e duhur.
Nëse zgjedhim të kemi kapitenin e vërtetë, Krishtin, atëherë është e sigurt, që do të arrijmë të ankorohemi në portin e duhur, që do të arrijmë në limanin e shpëtimit, do të mbërrijmë në Tokën e premtuar.
Le ta bëjmë, të dashur besimtarë, Krishtin kapitenin e anijes sonë! Amin!
Nga predikimi i Mitropolitit te Apollonise & Fierit, +Nikolla, e Diela e II e Mattheut, dt. 26/06/202