E Diela II e Mateut, ligji i natyrshëm moral, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 26.06.2022 (Tekst)

“Tregojnë punën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre, sepse kanë ndërgjegjen e tyre duke dëshmuar bashkë me ta” (v. 15)

Përveç ligjeve të shkruara, të cilat rregullojnë jetën shoqërore dhe synojnë bashkëjetesën harmonike të njerëzve, ekziston dhe një ligj i natyrshëm brenda çdo njeriu normal. Për atë që dyshon, ekziston një argument i madh, është ajo që quajmë ndërgjegje. Cili njeri s’e ka dëgjuar zërin e saj, në momente të rëndësishëm të jetës së tij? Ndërgjegjja është edhe një dëshmi e rëndësishme, se kemi shpirt të pavdekshëm. Por është edhe një fakt i jashtëzakonshëm se, mbi shpirtin tonë, është skalitur nga krijuesi i madh i tij, ligji moral.

Këtë të vërtetë thekson në pjesën e sotme apostull Pavli: “kombet që s’kanë ligj, prej natyre bëjnë punët e ligjit. Këta, ndonëse s’kanë ligj, janë vetë ligj në veten e tyre, të cilët tregojnë punën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre, kur ndërgjegjja e tyre jep dëshmi dhe i siguron ata për veprat e tyre, nëse janë të mira apo të liga” (v. 14-15).

* * *

Çdo njeri që vjen në botë, ka të shkruar brenda tij ligjin e Perëndisë; “ekziston zëri i Perëndisë në zemrat tona”, ashtu siç përmend në një pikë tjetër apostull Pavli. Është ai zë i pandalshëm, që gjykon, aprovon, nuk miraton, qorton, dënon. Përbën një argument për ekzistencën e ligjit moral. Para se të bëjmë diçka, na paralajmëron: Mos e bëj këtë, mos i bëj padrejtësi të afërmit tënd, nuk është e drejtë. Përsëri, kur dikush bën diçka jo të mirë, për shembull kur në atë moment ndjek në televizor një veprim të pamoralshëm, e lajmëron: Ajo që po bëhet tani, ndot mendjen dhe mendimet e tua. Nëse ndërron kanal, i thërret: Bravo, mirë bëre. Shpëtove nga kurthi i satanait. Dhe kur bëjmë një vepër dashurie, kur ndihmojmë dikë, kur i shërbejmë një të moshuari në vështirësinë e tij, atëherë, ndërgjegjja jonë, na jep një dëshmi. Ky veprim ishte shumë i mirë dhe i pëlqyeshëm nga Perëndia.

* * *

Për një gjyq të çuditshëm bën fjalë sot, Fryma e Perëndisë, në pjesën e apostullit, që dëgjuam pak më parë. Për një gjyq që nuk mblidhet dhe nuk funksionon brenda mureve prej guri, dhe nuk ka njerëz si gjykatës, si akuzues, si mbrojtës dhe si dëgjues. Njeriu i vetëm që paraqitet në këtë gjyq, është i akuzuari. Ai është edhe salla ku bëhet gjyqi, sepse gjyqi bëhet brenda mendjes së këtij njeriu. Dhe, gjykatës, akuzues dhe mbrojtës, janë vetë mendimet e tij. Disa prej tyre i paraqesin dhe i tregojnë fajin e tij. Disa të tjera e mbrojnë, qa ta paraqesin fajin të paqenë. Madje, brenda të akuzuarit, gjendet i shkruar edhe ligji sipas të cilit gjykohet për fajin që bëri.

Dëgjuat pak më parë, si na i kujtoi të gjitha këto apostull Pavli, kërkuesi i madh i ekzistencës njerëzore, sonda e shpirtit, polombari hyjnor i thellësive të zemrës. Thotë se, secilido prej nesh ka të shkruar brenda zemrës së tij, në këtë pllakë prej mishi, vullnetin dhe ligjin e Perëndisë. Dhe ndërgjegjja e tij është një zë që flet dhe predikon, dhe e mban të gjallë jehonën e këtij ligji në veshët e shpirtit, në çdo rrethanë, duke i treguar cila është dëshira e Perëndisë, e drejta dhe e mira.

Pra, pas çdo veprimi të keq, nga çdo shkelës i ligjit hyjnor, vendoset tribunë gjyqi në mendjen e njeriut, dhe mendimet, bazuar në njoftimet e ndërgjegjes, e ulin njeriun në bankën e të akuzuarve dhe e gjykojnë. Disa mendime, nga njëra anë, e akuzojnë për fajet që bëri, duke e konsideruar si të keq e të paudhë, dhe mendime të tjera, nga ana tjetër, përpiqen të gjejnë lehtësira dhe argumente të tjera për ta nxjerrë të pafajshëm.

Ndodh shumë herë -vazhdon Apostulli- që gjykata të mos nxjerrë vendimin e saktë e të drejtë. Mbizotërojnë mendimet mbrojtëse dhe i mbytin mendimet e tjera akuzuese. Dhe atëherë, i akuzuari mbetet i qetë, sepse është si të merrte letër faljeje.

Por ashtu si në regjimet tokësore, ekzistojnë gjykata më të larta, nga të cilat rigjykohen vendimet e mashtruara dhe të padrejta, kështu ndodh edhe këtu. Ditën e gjyqit, ditën e ardhjes së dytë, kur Jisu Krishti do të vijë në botë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit, të gjitha gjyqet që u bënë brenda çdo njeriu dhe kishin si fryte të tyre vendime të kundërta me ligjin hyjnor dhe të vërtetën, do të rishqyrtohen, do të ribëhen përpara gjykatores së Jisu Krishtit.

* * *

Shpesh, njeriu bashkëkohorë kërkon ta mbysë këtë zë hyjnor. Kërkon mendime që ta mbrojnë. Gjen justifikime për gjithë veprimet e tij. Kështu bëjnë të gjithë, thonë më të shumtët. Nuk mund të jetosh ndryshe në epokën tonë, pretendojnë të tjerë. Dhe përpiqen me këto mendime mbrojtëse të shuajnë zërin që i akuzon.

Të tjerë, fillojnë pijen, kumarin, argëtimet, për tu “harruar”, për të dëbuar tronditjen që lëkund, si det i trazuar, qenien e tyre. Të tjerë, përsëri, me udhëtime të kushtueshme dhe të vazhdueshme, kërkojnë, tek shpërqendrimi, të gjejnë qetësinë e tyre të brendshme. Ekzistojnë disa prej tyre, që arrijnë të pushojnë për pak kohë zërin e ndërgjegjes së tyre. Dhe të tjerë, që arrijnë në ngurtësimin shpirtëror, që edhe krimet më të mëdha t’i justifikojnë. Dhe të jetojnë në thellësitë e së keqes, indiferent, ndonjëherë të kënaqur. Por, këto nuk përbëjnë rregullin. Në shumë raste, me gjithë përpjekjet e tyre, edhe brenda jetës mëkatare, brenda udhëtimeve shpërdoruese, ndërgjegjja i shqetëson, trondit jetën e tyre gjoja të qetë. Kështu, paqja largohet nga shpirti dhe shqetësimi mbretëron.

Por, megjithatë, ekziston që të mbretërojë vazhdimisht në zemër, paqja. Është rregullimi i botës sonë të brendshme. Korrigjimi i të këqijave dhe kërkimi i përdëllimit hyjnor me misterin e pendimit dhe rrëfimit. Vetëm kështu vjen qetësia shpirtërore.

* * *

Por, vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, për të pasur sukses në këtë arritje shpirtërore, duhet që brendësia jonë të ndriçohet nga ligji i Perëndisë. Ligji i Perëndisë, Shkrimi i Shenjtë, është pasqyra e shpirtit. Dhe kjo arrihet kur hapim plotësisht shpirtit tonë, që të derdhet e bollshme drita hyjnore, me studimin e Shkrimit të Shenjtë, të Etërve të mëdhenj të Kishës sonë dhe librave të tjerë shpirtëror. Atëherë, ndërgjegjja e pastër na tregon rrugën, rrugën e saktë, rrugën e jetës së krishterë.

U bëftë.