E Diela e Etërve të Sinodit I Ekumenik, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla 05.06.2022 (Tekst)
“Bashkëbisedim me Atin”, nga Shën Joan Gojarti!
Si tha këto gjëra Jisui ngriti sytë nga qielli.
Këto fjalë të dashur besimtarë, i referohen Ungjillit të sotëm, të cilat janë marr nga pasazhi i ungjillorit Joan dhe i përkasin lutjes që Jisui bëri në kopështin e Gjethsemanisë, pak para se ta arrestonin. Ndryshe kjo lutje quhet lutja Kryepriftërore. Meqënëse sot ne festojmë Etërit e Sinodit të I Ekumenik, do t’i referohemi sot njërit nga etërit më të mëdhenj të kishës sonë, i cili komenton mbi këtë pjesë të Ungjillit, pikërisht Shën Joan Gojartit.
Shën Joan Gojarti e quan “Ngriti sytë nga qielli”(Jn. 17:1) si një bashkëbisedim me Atin. Herë tjetër e quan lutje. Tjetër herë Jisuin e tregon të gjunjëzuar, dhe herë tjetër e tregon duke ngritur sytë nga qielli, duke na treguar kështu, thotë shenjtori, lutjen e pandërprerë. Kur të qëndrojmë në lutje të shohim jo vetëm me sytë e trupit por edhe me sytë e mendjes. Duke u gjunjëzuar të dërmojmë zemrën tonë, sepse Jisui nuk erdhi thjesht të na tregojë veten e Tij, por erdhi të na mësojë. Të na mësojë jetën e virtytëshme jo vetëm me fjalë por me veprat e Tij.
“Unë kryer veprën që më ke dhënë”( Jn. 17:4) – thotë Jisui në këtë lutje.
Shenjtori komenton: “ Jisui ka përfunduar veprën e Atit që e kishte dërgua. Po pse e thotë këtë kur në të vërtetë vepra e Tij,-thotë Shën Joan Gojarti,- ishte akoma në fillesat e saj, madje as në fillesat e saj”?
Shpjegon më poshtë: “ Thotë këto Krishti për të treguar që sa duhej të bëhej prej tij deri tani Ai e bëri, e plotësoi. Madje mund të quhej e përfunduar përderisa ishte vendosur gjithçka mbi një rrënjë të mirë. Sigurisht nga kjo rrënjë e mirë kanë për të dalë me siguri fruta të mira.”
Sa e rëndësishme të themelojmë jetën tonë mbi rrënjën e mirësisë së Zotit. Sa e rëndësishme të rrisim fëmijët me rrënjët e besimit.
“Ruaj ata në emrin tënd” (Jn.17:11) .
Kështu vazhdon Jisui në lutjen e Tij Kryepriftërore. Shën Joan Gojarti thotë: “ Drejton këto fjalë duke dashur që dishepujt të rriten shpirtërisht, t’i lër ata edhe për pak kohë nën përkujdesjen e Atit, por kur shikon se ata nuk janë të bindur u drejton shumë fjalë ngushëlluese. Bisedon me Atin e Tij duke treguar dashurinë dhe dhembshurinë e Tij për ata.”
“ Që Ati ti ruaj ata në emrin e tij” ( vrg.11)
“që gëzimi im të bëhet i plotë në ta” (vrg.13)
“që ti mbrojë nga i ligu” (vrg.15)
“ ti shenjtëroi në të vërtetën” (vrg.17)
Të kujdeset për ta si një Atë i dhembshur dhe i dashur që të mos frikësohen sepse janë të papërsosur. Ashtu siç bën dhe një prind i dashur. Ne dimë kur fëmijët janë të vegjel dhe kanë mësuar të hedhin hapat e para, prindi qëndron me kujdes afër, e lehtëson fëmijën e tij, por nga pas qëndron duke e mbajtur që të mos të bjerë. Kështu na mëson edhe neve Zoti, na mëson që të ecim vetë, që të rritemi shpirtërisht, por ai është kurdoherë pranë nesh për të na dhënë ndihmën dhe përkujdesjen e Tij.
Tregojnë të dashur besimtarë një histori. Një djalosh kur ishte fëmijë i vogël shkonte bashkë me prindërit tek gjyshërit e tij me tren. Kur djaloshi u rrit pak u kërkoi prindërve që të shkonte vetëm tek gjyshërit. E mendonte veten se ishte rritur. Prindërit pasi diskutuan me njëri-tjetrin vendosën që ta linin djaloshin të shkonte. Pasi e hipën në tren duke i dhënë këshillat e fundit nga dritarja e trenit, i ati i thotë birit të tij: “ Shiko, nëse ti do të kesh ndonjë shqetësim, do të mërzitesh, hape këtë kuti të vogël dhe sapo ta hapësh frika do të iki”. Treni niset, udhëtimi vazhdon, por shumë njerëz që shikojnë djalin e vogël thoshin : “Ç`bën ky fëmijë i vogël këtu në tren? I vetëm pa përkujdeje? Si e kanë lejuar prindërit? Çfarë do të ndodh me të?”
Fëmija filloi të trembet, të frikësohet, por kujtohet për fjalët e atit, hapi kutinë e vogël dhe lexon atje “Mos u frikëso, unë jam tek vagoni i fundit, nëse do të kesh nevojë për mua”. Zoti është vazhdimisht në vagonin e fundit për të na dhënë ndihmën e Tij.
Vazhdon Jisui në lutjen e Tij Kryepriftërore dhe thotë: “ Atë, Unë dua që atje ku jam Unë të jenë me Mua edhe ata që më ke dhënë.” (vrg.24)
Duke u referuar këtyre fjalëve Shn Jon Gojarti thotë: “Që dishepujt të preferojnë gjërat qiellore, ashtu siç bën edhe bujku i mirë. Ai përkushton grurin, harxhon një pjesë të mirë të grurit, e hedh atë në tokë, në mënyrë që pas korrjes ai të marë një prodhim të shumëfishtë. Kështu duhet të bëj edhe secili prej nesh. Kështu do të bëjmë edhe ne për gjerat e kësaj bote, ti japim me pritshmërinë që ato ti marim shumëfishta dhe të sigurta në Mbretërinë e Perëndisë.”
Shën Joan Gojarti thotë: “ Pavarsisht se për mua thonë shumë fjalë. Thonë që jam i marrë, që jam i mërzitshëm, shqetësues, por unë nuk do të pushoi së thëni dhe do të vazhdoi të këshilloi vazhdimisht, do të vazhdoi të thërras për përkushtimin që duhet të kemi ne që të fitojmë gjërat qiellore. Ashtu siç trupi ka nevojë për ushqimin e tij, ashtu ka nevojë dhe shpirti të ushqehet vazhdimisht. Pa këtë ushqim ai do të bëhet i dobët. Veç kësaj shpirti çdo ditë vuan. Çdo ditë pëson plagë të shumta, prandaj ne duhet të përgatisim ilacin për shërimin e shpirtit tonë.”
Një nga ilaçet që na tregon Shën Joan Gojarti është bamirësia. “Bamirësia është më e lartë se kreshma. Është fitimprurëse. Ndriçon shpirtin dhe e bën atë shumë të bukur.
Shlyej mëkatet dhe paudhësitë e tua me bamirësinë dhe me mirëdashjen tënde ndaj të varfërve. Ashtu si një mjek duke vazhduar punën e tij, duke shëruar plagët e të sëmurëve, e të plagosurve, ai bëhet gjithnjë më njeridashës ndaj dhimbjen njerëzore, kështu duhet të bëjmë edhe ne që nëpërmjet bamirësive ndaj të varfërve. Do të quajmë gjërat e tanishme, të kësaj jete të parëndësishme dhe do të ngjitemi drejt qiellit dhe me lehtësi do të arrijmë të mirat e përjetëshme. Me hirin dhe njeridashjen e Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i përket çdo lavdi bashkë me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin”!