UNGJILLI – Joani 14:1-11.

Le të mos trazohet zemra juaj; besoni Perëndinë, më besoni edhe mua. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe, do t’ju thosha juve: Shkoj t’ju bëj juve gati vend. Edhe si të shkoj e t’ju bëj juve gati vend, vij përsëri, edhe do t’ju marr pranë vetes sime, që të jeni edhe ju atje ku jam unë. Edhe ku shkoj unë e dini, edhe udhën e dini.

Thomai i thotë: Zot, nuk e dimë se ku shkon; edhe si mund ta dimë udhën? Jisui i thotë: Unë jam udha edhe e vërteta edhe jeta. Asnjë s’vjen tek Ati, veçse me anën time. Në qoftë se do të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim; edhe që tani e njihni dhe e keni parë.

Filipi i thotë: Zot, tregona Atin, edhe na mjafton. Jisui i thotë: Kaq kohë jam bashkë me ju dhe s’më ke njohur, Filip? Ai që më ka parë mua, ka parë Atin; edhe si thua ti: Tregona Atin? Nuk beson se unë jam tek Ati dhe Ati është tek unë? Fjalët që ju flas unë, nuk i flas nga vetja; po Ati që rri në mua, ai i bën punët. Besomëni se unë jam tek Ati, edhe Ati tek unë; në mos, besomëni për këto punë.