APOSTULLI – Veprat e Apostujve 15:5-12.
Po u ngritën disa nga sekti i Farisenjve që kishin besuar, e thoshin se duhet t’i rrethpresim ata e t’i porositim të ruajnë ligjin e Moisiut.
Edhe u mblodhën apostujt e pleqtë të shikojnë për këtë çështje.
Edhe pasi u bënë shumë diskutime, u ngrit Pjetri, e u tha atyre: O burra vëllezër, ju e dini se që në ditët e lashta Perëndia në mes tonë zgjodhi që me anë të gojës sime të dëgjojnë kombet fjalën e ungjillit dhe të besojnë. Edhe zemërnjohësi Perëndi dha dëshmi tek ata, duke u dhënë atyre Frymën e Shenjtë sikurse edhe neve. Edhe nuk bëri ndonjë dallim në mes tonë e atyre, duke pastruar zemrat e tyre me anë të besimit. Tani pra përse ngisni Perëndinë, e kërkoni të vini mbi qafën e nxënësve një zgjedhë, të cilën as etërit tanë as ne nuk mundëm ta mbajmë? Po me anë të hirit të Zotit Jisu Krisht besojmë se do të shpëtojmë, sikurse edhe ata.
Edhe gjithë populli heshti dhe dëgjonin Varnavën e Pavlin që tregonin sa shenja e çudira bëri Perëndia me anë të tyre në mes kombeve.