UNGJILLI – Joani 7:1-13.

Edhe pas këtyre Jisui lëvizte nëpër Galile; sepse s’donte të lëvizte nëpër Jude, se judenjtë kërkonin ta vrisnin. Edhe ishte afër e kremtja e Judenjve, Tendëngritja.

Vëllezërit pra i thanë: Ik së këtejmi, edhe shko në Jude, që të shohin edhe nxënësit e tu punët e tua që bën. Sepse asnjë s’bën gjë fshehurazi, ndërsa kërkon vetë të shfaqet hapur. Nëse bën këto, shfaq veten tënde në botë. Sepse as të vëllezërit e tij nuk i besonin.

Jisui u thotë pra atyre: Nuk është ende koha ime, kurse koha juaj është përherë gati. Bota s’mund t’ju urrejë ju; por mua më urren, sepse unë dëshmoj për të se punët e saj janë të liga. Ju ngjituni në këtë të kremte; unë ende nuk ngjitem në këtë të kremte, sepse koha ime ende nuk është plotësuar. Edhe si u tha atyre këto, qëndroi në Galile.

Edhe kur u ngjitën të vëllezërit, atëherë u ngjit edhe ai në të kremten, jo haptas, por fshehurazi. Judenjtë pra e kërkonin në të kremten, dhe thoshin: Ku është ai? Edhe kishte për atë shumë pëshpëritje në mes të turmës. Disa thoshin se është i mirë, e të tjerë thoshin: Jo, por gënjen turmën. Po askush nuk fliste sheshit për të, nga frika e judenjve.