UNGJILLI – Joani 6:56-69.
Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë, edhe unë tek ai. Siç më dërgoi Ati që rron, edhe unë rroj për Atin; edhe ai që më ha mua, do të rrojë edhe ai për mua. Kjo është buka që zbriti nga qielli; jo sikurse etërit tanë hëngrën mannën dhe vdiqën; ai që ha këtë bukë, do të rrojë për jetë.
Këto tha në sinagogë duke mësuar në Kapernaum. Shumë, pra, nga nxënësit e tij kur dëgjuan, thanë: Kjo fjalë është e ashpër. Cili mund ta dëgjojë? Edhe Jisui si e kuptoi në vete se nxënësit e tij po ankoheshin për këtë, u tha atyre: Kjo ju skandalizon ju? Ç’do të thoni pra, në qoftë se shihni të Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më përpara? Fryma është ajo që jep jetë, mishi nuk vlen asgjë.
Fjalët që ju flas unë juve, janë frymë dhe janë jetë. Po janë disa prej jush që nuk besojnë. Sepse Jisui e dinte që në fillim cilët janë ata që s’besojnë, dhe cili është ai që do ta tradhtonte. Edhe thoshte: Prandaj ju thashë juve se asnjë s’mund të vijë tek unë, në mos i është dhënë prej Atit tim. Që atëherë pra, shumë nga nxënësit e tij u kthyen prapa, dhe nuk ecnin më bashkë me të.