Manastiri i Shën Vlashit u kthye sërish
në qendër mikpritjeje, shprese dhe dashurie.

Kësaj radhe, Manastiri nuk i hapi portat për të strehuar viktimat e tërmetit, siç ndodhi në nëntor të vitit 2019, por për të mirëpritur refugjatët nga Ukraina, të cilët u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre për shkak të pushtimit rus.

Refugjatët u pritën me dashuri atërore nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi.

Qëllimi i vizitës ishte të shihnin nga afër aktivitetet e Kishës në kompleksin e larmishëm të mana-stirit, të njihnin historinë e saj dhe të luanin me fëmijët në ambientet moderne sportive. Me këtë rast, ishte hartuar një program i larmishëm e i detajuar, si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit. Ai u realizua nga stafi dhe studentët e Akademisë, nga Zyra e Fëmijëve dhe ajo e Katekizmit të Kryepiskopatës.

Pas pritjes, Fortlumturia e Tij u lut për paqen në Ukrainë, për përfundimin e luftës dhe për kthimin sa më të shpejtë të refugjatëve në shtëpitë e tyre:

“Dashuria është më e fortë dhe do të fitojë… Ne jemi një familje e madhe dhe e ndiejmë kalvarin tuaj. Dhimbja juaj është edhe jona. Gëzimi juaj është edhe yni dhe jemi të sigurt se me fuqinë e Zotit çdo gjë do të kapërcehet”, theksoi Kryepiskopi.

Refugjatët ukrainas shprehën mirënjohjen e tyre për ndihmën  dhe ofrimin e kushteve të mira të jetesës në Qendrën e Akomodimit në Durrës.

Kryepiskopi i dhuroi secilit nga një qiri, për të shkëmbyer mesazhin se Krishti u Ngjall, duke shpërndarë bekime dhe dhurata të ndryshme për fëmijët.

Së fundmi, ai shprehu edhe një herë mbështetjen ndaj tyre, duke u shprehur se interesimi dhe kujdesi i tij do të jetë i menjëhershëm për të gjithë refugjatët e luftës që ndodhen aktualisht në Shqipëri.

Veçanërisht prekës ishte momenti kur fëmijët nga Ukraina këndonin “Krishti u Ngjall” në gjuhën e tyre. Refugjatët, nga ana e tyre, ofruan dhurata të punuara me dorë për manastirin dhe “Shtëpinë Orthodhokse të Shpresës”. Vizita u zhvillua në prani të ambasadorit të Ukrainës në Shqipëri.

Në mesazhin e tij paskal, Kryepiskopi iu referua edhe luftës në Ukrainë. Njëkohësisht, ai theksoi edhe kuptimin e shumanshëm të dashurisë në thelb të së kremtes së Ngjalljes së Krishtit: “Në ditët tona, kur hidhërimi, dhembja dhe pështjellimi, për shkak të luftës vëllavrasëse të Rusisë kundër Ukrainës, e kanë përmbytur mendimin dhe shpirtin tonë, ndoshta duket e çuditshme që t’i referohemi dashurisë. Lufta agresive përbën cenimin dhe mohimin më tragjik e mizor të saj. Por, në këto kushte të dhimbshme është e natyrshme që vëmendja jonë, duke kërkuar rrugëdalje, të kthehet drejt vlerave themelore të besimit tonë. Njëkohësisht me dënimin e krimeve, mbi të gjitha, është urgjente që të fuqizohet brenda dhe përreth nesh fuqia e dashurisë që kapërcen çdo mendje. Vetëm kjo mund të mposhtë përfundimisht fuqinë arrogante të pushtetit dhe të sigurojë lidhjen tonë me Perëndinë e paqes dhe të pajtimit.”

Gjatë javës së Madhe, Kryepiskopi Anastas gjithashtu u bëri thirrje besimtarëve në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, për të dhuruar ndihma për refugjatët.

 

Përshtatur nga  “Orthodox News Agency”.

 


 

Foto Album:

 

Manastiri i Shën Vlashit u kthye sërish në qendër mikpritjeje, shprese dhe dashurie.