NGA LIBRI I PROFETIT EZEKIEL 37:1-14.

Dora e Zotit u ndodh mbi mua, më çoi jashtë në Frymën e Zotit, dhe më lëshoi në mes të një lugine që ishte plot me kocka. Pastaj më bëri të kaloj afër tyre, rreth e qark; dhe ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata. Më tha: “Bir njeriu, a mund të rijetojnë këto kocka?”. Unë u përgjigja: “O Zot, o Zot, ti e di”. Më tha akoma: “Profetizo këtyre kockave dhe u thuaj atyre: Kocka të thata, dëgjoni fjalën e Zotit. Kështu ju thotë Zoti, Zoti, këtyre kockave: Ja, unë po fus te ju frymën dhe ju do të rijetoni. Do të vë mbi ju mishin, do t’ju mbuloj me lëkurë dhe do të shtie te ju frymën, dhe do të jetoni; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti”.

Profetizova ashtu si më ishte urdhëruar; ndërsa profetizoja, pati një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra tjetrës. Ndërsa po shikoja, ja ku u rritën mbi ta dejet dhe mishi, që lëkura i mbuloi; por fryma nuk ishte tek ato. Atëherë ai më tha: “Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë”. Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to, dhe u kthyen në jetë dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe.

Pastaj më tha: “Bir njeriu, këto kocka janë gjithë shtëpia e Izraelit. Ja, ato thonë: “Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur dhe ne jemi të humbur”. Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t’ju çoj përsëri në vendin e Izraelit. Do të pranoni që unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im. Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t’ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë”, thotë Zoti.

* * * * *

NGA LETRA 1 KORINTHIANËVE 5:6-8.

Nuk është e mirë mburrja juaj; a nuk e dini se pak brumë mbrun gjithë mbrujtjen? Pastrohuni pra nga brumi i vjetër, që të jeni brumë i ri, siç jeni pa brumë; sepse pashka jonë, që është Krishti, u bë theror për ne. Prandaj le të kremtojmë jo me brumë të vjetër, as me brumë keqësie e ligësie, por me bukë të pambrumëta çiltërsie e të vërtete.

* * * * *

NGA LETRA DREJTUAR GALATIANËVE 3:13-14.

Krishti na shpërbleu nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne; se është shkruar: “I mallkuar është cilido që varet në dru”, që të vijë bekimi i Abrahamit në kombet me anë të Krishtit Jisu, që të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.

* * * * *

NGA UNGJILLI I MATTHEUT 27:62-66.

Edhe të nesërmen, që është pas së premtes, u mblodhën kryepriftërinjtë dhe Farisenjtë tek Pilati, duke thënë: Zot, na ra ndër mend, se ai mashtruesi tha kur qe ende i gjallë: Pas tri ditësh do të ngjallem. Urdhëro pra të ruhet mirë varri deri në të tretën ditë, se mos vijnë nxënësit e tij natën edhe e vjedhin, edhe i thonë popullit se u ngjall prej së vdekurish. Edhe gënjeshtra e fundit do të jetë më e keqe se e para. Edhe Pilati u tha atyre: Keni roje, shkoni dhe sigurojeni si të dini. Edhe ata shkuan dhe siguruan varrin, duke vulosur gurin bashkë me rojet.