Mëngjesorja
MATTHEU 21:1-11, 15-17.
Edhe kur u afruan në Jerusalem, dhe erdhën në Betfagji pranë Malit të Ullinjve, atëherë Jisui dërgoi dy nxënës, duke u thënë: Shkoni në fshatin përballë jush, edhe menjëherë do të gjeni një gomar të lidhur dhe një pulisht bashkë me të; edhe si t’i zgjidhini, m’i sillni. Edhe në u thëntë gjë juve ndonjë njeri, do të thoni se Zoti ka nevojë për atë; edhe menjëherë do t’i dërgojë.
Edhe gjithë kjo u bë që të përmbushet ç’është thënë me anë të profetit, që thotë: “Thuajini bijës Sion: Ja mbreti yt tek po të vjen i butë dhe hipur mbi gomar dhe mbi pulisht”.
Edhe nxënësit, si shkuan, dhe bënë siç i urdhëroi Jisui, prunë gomarin dhe pulishtin. Edhe vunë mbi ata rrobat e tyre edhe e hipën atë sipër tyre. Edhe më e shumta e turmës shtruan rrobat e tyre në udhë; edhe të tjerë këputnin degë pemësh e i shtronin në udhë. Edhe turmat që paraprinin dhe ata që vinin prapa thërritnin, duke thënë: Hosana birit të Davidit. I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. Hosana në më të lartat. Dhe kur ai hyri në Jerusalem, u tund tërë qyteti duke thënë: Cili është ky? Edhe turmat thoshin: Ky është Jisui, profeti, nga Nazareti i Galilesë.
Po kryepriftërinjtë dhe shkruesit, kur panë çudirat që bëri, edhe djemtë duke thirrur në tempull e duke thënë: Hosana birit të Davidit, u zemëruan dhe i thanë atij: Dëgjon se ç’thonë këta? Edhe Jisui u thotë: Po. Kurrë s’keni lexuar “Se nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave përsose lëvdim”?
Edhe si i la ata, doli jashtë qytetit, në Betani, edhe atje e kaloi natën.
* * * * *
Liturgjia e Shën Joan Gojartit.
FILIPIANËVE 4:4-9.
Gëzohuni përherë në Zotin; përsëri do të them: Gëzohuni. Butësia juaj le të njihet në të gjithë njerëzit. Zoti është afër. Mos u shqetësoni për asgjë; po në çdo gjë kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me falënderime me anë të faljes e të lutjes. Edhe paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja me anë të Jisu Krishtit.
Prandaj, o vëllezër, sa janë të vërteta, sa janë të hijshme, sa janë të drejta, sa janë të pastra, sa janë të dashura, sa janë me emër të mirë, nëse ka ndonjë virtyt, edhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni. Ato që edhe mësuat edhe morët edhe dëgjuat e patë tek unë, këto bëni; edhe Perëndia i paqes do të jetë bashkë me ju.
* * * * *
JOANI 12:1-18.
Jisui pra gjashtë ditë përpara pashkës erdhi në Betani, ku ishte Llazari që pati vdekur, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish. Edhe i bënë darkë atje; edhe Marta shërbente; edhe Llazari ishte një prej atyre që rrinin në tryezë bashkë me të.
Atëherë Maria si mori një litër miro prej nardi të papërzier, shumë të shtrenjtë, leu këmbët e Jisuit, edhe me flokët e saj fshiu këmbët e tij; edhe shtëpia u mbush me erën e miros.
Një, pra, nga të dymbëdhjetë nxënësit e tij, Juda Iskarioti, i biri i Simonit, ai që kishte për ta tradhtuar, thotë: Përse të mos shitej kjo miro treqind dinarë e t’u jepej të varfërve? Edhe këtë e tha, jo se donte t’ia dinte për të varfrit, po se ishte vjedhës dhe kishte kuletën e asprave, përvetësonte çfarë viheshin në të. Jisui pra tha: Lëre, se e ka ruajtur për ditën e varrimit tim. Sepse të varfrit i keni përherë me vete, po mua nuk më keni përherë.
Një turmë e madhe pra prej judenjve morën vesh se është atje; edhe erdhën jo vetëm për Jisuin, po që të shohin edhe Llazarin, të cilin e ngjalli prej së vdekurish. Po kryepriftërinjtë morën vendim, që të vrasin edhe Llazarin. Sepse shumë veta prej judenjve vinin për atë, edhe i besonin Jisuit.
Të nesërmen një turmë e madhe që kishte ardhur në të kremten, kur dëgjuan se vjen Jisui në Jerusalem, morën degë palmash, edhe i dolën përpara ta presin, edhe thërrisnin: Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit.
Edhe Jisui si gjeti një pulisht, ndenji mbi të, siç është shkruar: “Mos ki frikë, bijë e Sionit, ja mbreti yt tek po vjen duke ndenjur mbi pulisht gomareje”. Edhe nxënësit nuk i kuptuan këto në fillim; po kur u lavdërua Jisui, atëherë u ra ndër mend atyre se këto ishin shkruar për të, edhe se këto ia bënë atij.
Turma pra që ishte bashkë me të kur thirri Llazarin nga varri, edhe e ngjalli prej së vdekurish, dëshmonte për këtë. Prandaj edhe turma i doli përpara, sepse dëgjoi se ai kishte bërë këtë çudi.