85 Vjetori i shpalljes së Autoqefalisë.

 

Nga historia e Kishës sonë:

Në 12 prill 2022 bëhen 85 vjet nga një nga ngjarjet më të shënuara për Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë. Duke dhënë Tomosin e Autoqefalisë, Patriarkana Ekumenike, njohu ngritjen kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ngjarje që e futi Kishën tonë si të barabartë në familjen e Kishave Orthodhokse.

Më 12 prill 1937, në prani të një delegacioni nga Shqipëria, Patriku Veniamin dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës nënshkruan Tomosin Patriarkal të njohjes së Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Tomosi iu dorëzua Imzot Kristoforit, duke e caktuar atë si Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Patriarkana Ekumenike i dërgoi mesazh edhe Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kota. Më 24 maj 1937 Kryepiskopi Kristofor, me cilësinë e kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, iu përgjigj me një letër falënderimi Patrikut të Konstandinopojës Veniaminit. Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhej nga: Kryehirësia e Tij Kristofori Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe Episkop i Beratit, Evllogj Kurilla Episkop i Korçës, Pandejleimon Kotoko Episkop i Gjirokastrës.

Me rastin e shpalljes së Autoqefalisë në kishën katedrale të Tiranës u celebrua një Liturgji panagjirike me pjesëmarrjen e hierarkëve dhe klerikëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në këtë ceremoni qe i pranishëm edhe mbreti Zog. Nga Episkopi i Gjirokastrës Pandejleimon Kotoko u lexua përmbledhja e Tomosit Patriarkal për dhënien e Autoqefalisë Kishës sonë.

* * * *

Kryepiskopi Anastas, në librin Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, shkruan:

“Periudha e pestë shtrihet nga themelimi i shtetit shqiptar (1912) deri në shpërbërjen e plotë të Kishës Orthodhokse gjatë persekutimit të pareshtur komunist (1967-1990) dhe ndahet në tri faza:

a) Kërkimi i pavarësisë së plotë kishtare. Me fitimin e pavarësisë politike, autoritetet shqiptare shtruan çështjen e pavarësisë së të gjitha komuniteteve fetare të vendit nga qendrat, që ndodheshin në shtete të tjera. Në shtator të vitit 1922, Kongresi kishtar orthodhoks i mbajtur në Berat, i mbështetur nga qeveria e atëhershme shqiptare, shpalli Kishën e Shqipërisë Autoqefale.

Patriarkana Ekumenike nuk i pranoi këto veprime antikanonike, duke shpallur në të njëjtën kohë gatishmërinë e saj për t’i dhënë kësaj Kishe vetadministrimin, si dhe përdorimin paralel të gjuhës shqipe në adhurim, në predikim dhe në arsim. Si përfundim, gjatë periudhës së Patriarkut Veniamini I, Patriarkana dha Tomosin Patriarkal dhe Sinodik “Mbi bekimin e Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse në Shqipëri” (17.4.1937). Rol qendror në zhvillimet e atëhershme kishtare patën episkopi Theofan (Fan) Noli, i cili ishte protagonist në kërkimin e statusit të autoqefalisë dhe që për gjashtë muaj kreu detyrën e Kryeministrit, si dhe kryepiskopi i shpallur në mënyrë jo kanonike, nga viti 1929 deri më 1937, Visarion Xhuvani.