E diela V e kreshmëve, Shën Maria e Egjiptit, Ilaçi i Pavdekësisë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 10.04.2022 (Tekst)

“Krishti, kryeprifti i të mirave të ardhshme… me anë të gjakut të tij hyri një herë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, dhe fitoi shpërblim të përjetshëm” (Heb. 11-12)

Sa më shumë afrohen ngjarjet e Javës së Madhe, aq më tepër Kisha, me leximet e shenjta, nxjerr përpara Sakrificën mbi Kryq të Zotit, si burimin e vetëm të shpëtimit tonë. Asnjë sakrificë dhe asnjë blatim nuk kishte fuqinë t’u jepte njerëzve çlirimin e paçmueshëm. Me sy të përlotur dhe të dëshpëruar nga filozofët, njerëzit që jetonin para Krishtit, prisnin me padurim SHPËTIMIN. As vetë hebrenjtë, me Ligjin e Moisiut dhe sakrificat e kafshëve, nuk arrinin t’i afroheshin çlirimit. Dhe prisnin, sipas profetësive të Dhiatës së Vjetër, Mesian dhe Çlirimtarin KRISHT. Dhe kur u plotësua koha “i dërgoi shpërblimin popullit të tij Zoti” (Ps. 110:9). Zoti i qiellit zbriti në tokën tonë dhe me GJAKUN e Tij, që u derdh mbi Kryq, na dhuroi çlirimin dhe shpëtimin. Dhe, që atëherë, GJAKU I TËRËSHENJTË I KRISHTIT, u bë burim dhuratash dhe shpëtimi për shpirtrat tanë.

* * *

Apostulli, e paraqet Jisu Krishtin, sot, si Kryeprift, por krejtësisht të ndryshëm nga kryepriftërinjtë e hebrenjve, që ofronin gjakra kafshësh. Zoti hyri një herë e përgjithmonë, jo në shenjtëroren e Tendës së Besëlidhjes, por në “Shenjtëroren e shenjtëroreve” të qiejve, nëpërmjet një Tende tjetër, të përsosur dhe që nuk është bërë me duar njerëzish. Kjo Tendë, siç thonë Etërit e shenjtë, ishte Trupi i Tij i Tërëshenjtë, brenda të cilit ishte tendësuar hyjnia e Tij. Ky Trup, nuk ishte bërë me ndërhyrjen e fuqisë njerëzore, por me veprimin e Shpirtit të Shenjtë. “Nuk ishte i bërë me duar njerëzish”. Ofroi si sakrificë, pra, Vetveten e Tij dhe arriti për ne çlirim të përjetshëm, jo me gjak cjepsh e viçash, por me vetë Gjakun e Tij të Gjithënderuar dhe të Tërëshenjtë.

Apostull Pavli, sot, këtë na fton të vërejmë. “Vëllezër -na thotë- Krishti vjen si kryeprift i të mirave të ardhshme”, kryesisht këto na premton të na sigurojë. Të mirat e ardhshme, të përjetshme dhe qiellore. Sigurisht na dhuron, me mirësinë e Tij, edhe tokësoret, si garanci. Të nevojshmet për të ushqyerit dhe mirëmbajtjen. Bukën e përditshme. Shëndetin e çmueshëm dhe fuqinë, sepse edhe ato na nevojiten. Jep nga ana materiale. Por, kryesisht jep shpirtëroret dhe të shenjtat, dhe na siguron të ardhshmet dhe qielloret. Ky ofrim i të mirave të përjetshme të Mbretërisë së Perëndisë, është ana më tronditëse e dashurisë së Perëndisë. Dhe ne, duke iu përgjigjur atij veprimi të Tij, duhet të dëshirojmë dhe të kërkojmë në lutjet tona, kryesisht, të mirat e ardhshme shpirtërore dhe të përjetshme.

* * *

Sakrifica e paçmueshme e Zotit, e cila ka një rezultat kaq të madh, u bë posaçërisht për ne. Për çlirimin tonë nga mëkati, për shpëtimin tonë. Por, fatkeqësisht, shumë nga ne, për shkak të plogështisë dhe përtacisë sonë shpirtërore, nuk i kujtojmë të gjitha këto dhe nuk i çmojmë. U mësuam t’i dëgjojmë me ftohtësi dhe pandjeshmëri, këto të vërteta të mëdha rreth shpëtimit tonë. Por, le ta shndërrojmë këtë mpirje dhe ashpërsi shpirtërore, në ngazëllim për dhuratën e paçmueshme të Zotit tonë Jisu Krisht.

Qëllimi dhe shpërblimi i kreshmës -rrugën e gjatë, të vështirë dhe të lavdishme, të së cilës, përshkojmë tashmë në Dyzetëditshin e Shenjtë- është vetë Zoti, që do të hyjë në çdo bir besnik, me Kungimin Hyjnor. “Unë jam buka e jetës”. “Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim ka jetë të përjetshme” (Joani 6:56). Dhe shën Pavli, jehona e madhe e fjalëve të Zotit, përsërit së fundmi, se për të shpëtuar dikush nga veprat e vdekura të mëkatit -i quan të vdekura sepse sjellin vdekjen e shpirtit- të lahet dhe të pastrohet dikush nga mëkati, duhet të pranojë brenda tij Gjakun e Krishtit.

* * *

Por, si do të parapërgatitet i krishteri, për këtë banjë shpëtuese, për këtë pritje hyjnore, për këtë darkë qiellore dhe të shenjtë? Si duhet t’i afrohet Tryezës së Zotit? Dhe, si duhet të sillet, duke ikur? Një dhe e vetme është dera nga ku hyn dikush në gosti. Është dera e ngushtë e pendimit të sinqertë dhe rrëfimit të pastër, para atit shpirtëror. Pa rrëfimin dhe pohimin e mëkateve tona, nuk kemi të drejtë të kungohemi me Trupin dhe Gjakun e Çlirimtarit tonë.

Nga ajo Sakrificë e Madhe dhe nga Gjaku i Krishtit, marrin hirin e tyre shpëtues misteret e shenjta të Kishës sonë. Janë burimet e pastrimit tonë. Me Pagëzimin e shenjtë pastrohet ekzistenca jonë nga mëkati stërgjyshëror dhe vishemi me Krishtin. Me misterin e Rrëfimit hyjnor dhe Pendimit, që quhet pagëzimi i dytë, pastrohet shpirti ynë nga mëkatet, që bëjmë pas Pagëzimit tonë. Dhe, me misterin e Falënderimit Hyjnor, ku kungohemi me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, plotësohet pastrimi dhe kështu mundemi ta adhurojmë, në mënyrë të pëlqyeshme, Perëndinë tonë.

Në misteret e shenjta, duhet të marrim pjesë shpesh, natyrisht, me parapërgatitjen përkatëse, “me frikë Perëndie, besë dhe dashuri”. Njeriu që kungohet me zemër të pastër, me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, merr brenda tij jetë hyjnore dhe jeton për Krishtin. Ungjillor Joani vërteton: “Ai që më ha mua -tha Zoti- do të rrojë për mua” (Joani 6:57). Gjaku i Perëndi-njeriut qarkullon në damarët tanë dhe na jep jetë të re. Pjesëmarrja jonë në Misteret e kulluara, jo vetëm na pastron dhe na shpëton, por na bashkon me Perëndinë. “Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë, edhe unë tek ai” (Joani 6:56), na thekson Zoti.

Por, edhe pas kungimit të shenjtë, shën Joan Gojarti thotë se, “i krishteri është i frikshëm tek demonët, të cilët shpërndahen të tmerruar në kalimin e tij”. Nevojitet kujdes i madh. I krishteri që u kungua, është mbajtës i Krishtit, fron i Ndërtuesit, i ngjashëm me engjëjt, mbi flatrat e të cilëve qëndron Zoti i lavdisë. Si mundesh, o i krishterë krishtmbajtës, duke pasur Krishtin në shpirtin dhe në trupin tënd, të ecësh në monopatet e sprapsjes dhe pajtimit me djallin? Si është e mundur të lësh Mbretin tënd, që tashmë mban përsipër, në një ambient armiqësor?

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Me besim, me lumturi, me mburrje për “të Fortin në fuqi”, që është bashkë me ne, një me ne, do të përparojmë. Dhe duke ikur nga tryeza qiellore, do të jemi sigurt, se armiku nuk mund të na bëjë ballë. Kështu, do të kemi si marsh në ecurinë tonë, këto fjalë të apostull Pavlit, të mbushura me ngazëllim dhe mburrje: “Të gjitha do t’i arrij me hirin e Zotit që më forcon”. Jehonë e këtyre janë dhe vargjet e poetit të krishterë, drejtuar Krishtit: “Me Ty do të jem i gjithëfuqishëm dhe fitimtar i gjithë botës”. Amin.

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:

MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS

† IGNATI

Berat më 10,04,2022