E Diela IV e kreshmëve, Shën Joani i Shkallës, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, 03.04.2022 (Tekst)

“Kisha, si një nënë e dashur kujdeset gjithmonë me shumë dashuri për ne”

Kisha të dashur besimtarë, është për ne të gjithë si një nënë e dashur dhe një nënë e dashur gjithmonë kujdeset me shumë dashuri për fëmijët e saj. Një nënë e cila na ka lindur shpirtërisht, një nënë e cila vazhdimisht kujdeset dhe na rrit, një nënë që vazhdimisht na ushqen, një nënë e cila vazhdimisht kujdeset të na forcojë dhe të na përgatisë për vështirësitë dhe sfidat e shumta që do përballim në jetën tonë. Dhe si një nënë e dashur ,kuptohet që,nuk na mëson dhe nuk na detyron të bëjmë diçka që është e dëmshme për jetën tonë.

Na ka futur Kisha në këtë periudhë, në përgatitje të festimit të Ngjalljes së Zotit. Na ka futur Kisha në këtë periudhë kreshme dhe gjersa na mëson që duhet të jetojmë në këtë periudhë me kreshmë, patjetër Kisha na mëson dhe e di që kreshma është e dobishme për jetën tonë, është e dobishme për shpirtin tonë, është e dobishme për vetë trupin tonë.

Sot ,të dielën e katërt të kreshmëve të mëdha, Kisha, kujton Shën Joanin e Shkallës. Një shenjtor i cili jetoi në shekullin e VI. Quhet Joani i Shkallës sepse ka quajtur një libër që quhet “Shkallë” . Në këtë libër ai na flet për shkallët, gradët ,të cilët ne duhet të përparojmë në jetën tonë shpirtërore për të arritur në shkallën më të lartë, në shkallën e tridhjetë që përmënd shenjtori që është Besa, Shpresa dhe Dashuria. Në një nga këta kapitujt dhe një nga këto shkallët ose fjalët që përmend shenjtori është Grykësia, si ne duhet ta kalojmë këtë shkallën e grykësia e cila lidhet shumë fuqishëm me kreshmën, të cilën na mëson Kisha.

Dhe çfarë na thotë shenjtori?!

Ai na thotë se grykësia është kreu i të gjithë armiqve të rrezikshëm që neve kemi. Është kreu! Dhe për ta bërë më konkrete pse është kaq e rrezikshme grykësia, shenjtori përmend disa ngjarje biblike ose disa persona biblik të cilët kanë pësuar për shkak të grykësisë.

Dhe çfarë përmend?! Përmend Adamin të parin. Nuk është nevoja të themi përsëri se çfarë pësoi Adami për shkak të grykësisë së tij. Ishte krijesa më e përsosur që bëri Zoti, dhe nëse do të bënte përsëri njeriun, Perëndia nuk do të bënte diçka tjetër, por do të bënte përsëri Adamin, sepse Adami ishte krijesa e përsosur që do të bënte çdo herë Zoti. Dhe kjo krijesë e përsosur e Zotit, për shkak të grykësisë e humbi parajsën.

Na përmend Esaun, na përmend popullin e Izraelit, na përmend Noeun, na përmedn Sodomën dhe Gomorrën, na përmend Lotin dhe shumë personazhe të tjera Biblik.

Le të marrim disa prej tyre: Esaun. Kush ishte Esau?!

Esau ishte vëllai i Jakobit, nipi i Abrahamit që ta kujtojmë më lehtë, por ai për shkak të grykësisë , çfarë bëri?! Humbi të drejtën si djali i parëlindur. Kishte një uri të madhe, e kujtojmë ngjarjen, kishte një uri të madhe kur u kthye nga arat në shtëpinë e tij, dhe Jakobi vëllai i tij binjak, i thotë nëse do që të të jap diçka për të ngrënë më jep të drejtën që ke ti si djalë i parëlindur. Dhe ai më të rëndësishme kishte ushqyerjen sesa diçka tjetër, ja dha këtë përparësi.

Kujtojmë Noeun. Një person shumë i rëndësishëm biblik. Ai për shkak të besimit të tij, për shkak se ishte një njeri i drejtë nëpërmjet tij shpëtoj jo vetëm gjithë njerëzimin por edhe gjithë krijesës. Kujtojmë varkën e Noeut! Ai u bë shkaktar i shpëtimit tonë dhe të gjithë krijesës. Por çfarë ndodhi me Noeun? Pasi përfundoj përmbytja, ai mbolli një vresht dhe piu nga vera e vreshtit të tij dhe u dëfre aq shumë sa harroj çfarë po bënte dhe u zhvesh lakuriq dhe qëndronte në mes të vreshtit të tij dhe e pa një nga djemtë e tij. Kush Noeu!

Na përmend Lotin! Kush ishte Loti? Përsëri një njeri i drejtë dhe besnik të cilën Zoti e nxorri nga shkatërrimi i Sodomës dhe Gomorrës. Atë, gruan e tij dhe dy vajzat e tij. Sepse Zoti do të shkatërronte Sodomën dhe Gomorrën siç e shkatërroj dhe donte të shpëtonte familjen e tij për shkak të besimit të tij. Por çfarë ndodhi me Lotin?

Dukej që pëlqente verën dhe vajzat e tij e dinin këtë dobësi, dhe i dhanë të pinte verë, e dehën dhe fjetën me të atin e tyre që ai të kishte pasardhës. E shikojmë pra të dashur besimtarë që shumë persona biblik të shquar që dallohen për besimin e tyre, për ndershmërinë e tyre por për shkakë të grykësisë së tyre ranë kaq poshtë.

Prandaj shenjtori thotë: “Ai që kujdeset më tepër se duhet për barkun e tij ,është si ai njeri që përpiqet të shuaj zjarrin duke hedhur vaj.” Kur neve thotë shenjtori kujdesemi shumë për trupin tonë nuk e ndihmojmë atë, por bëjmë të kundërtën e egërsojmë akoma më tepër trupin tonë. Prandaj është e dobishme kreshma në të cilën neve na mëson dhe na fut Kisha në periudha të ndryshme të viti kishtar, sepse Kisha e di dobinë e kreshmëve.

Pse ne kur na thotë doktori që nuk duhet të hani këtë ushqim sepse është i dëmshëm për shëndetin tuaj, do ta dëgjojmë doktorin menjëherë. Nëse doktori na thotë që duhet ti merni këto ilaçe dhe do ti pini çdo ditë, do ti marrim ato ilaçe. Nëse akoma doktori na thotë që ju duhet të shkoni në palestër që të kujdeseni për trupin tuaj dhe të shpenzojmë orë dhe kohë për tu kujdesur për trupin, do ta bëjmë.

Pse për të gjitha këto gjërat neve bëjmë dhe për atë të cilën na mëson Kisha nuk bëjmë?!

Përsëri nuk jemi vonë. Na kanë ngelur akoma edhe tre javë të tjera deri në festimin e Pashkës. Kështu që nëse akoma nuk kemi filluar me kreshmën le ta fillojmë që sot dhe ata që e kanë vazhduar le ta çojnë deri në fund kreshmën tonë. Le të bëjmë kujdes në këto ditë në vazhdim që vijnë që është rrezik nëse ne fokusohemi në diçka tjetër. Këtë rrezik na e përmend edhe shenjtori. Katërmbëdhjetë shekuj më parë përmend një rrezik që neve e ndeshim vazhdimisht në jetën tonë. Cili është ky rrezik?!

Ka rrezik që në këto ditë të fokusohemi në përgatitjen e darkës, drekës, gostisë në emër të kësaj feste dhe ta harrojmë qëllimin dhe kremtimin e vërtetë të festës. “Shërbëtorët që janë shërbëtorë të barkut thotë shenjtori ata mendojnë për ushqimin dhe për drekën! Ndërsa ata që janë shërbëtorët e Perëndisë, kujdesen thotë çfarë dhurata do të ofrojnë tek Zoti”.

Shumë nga neve sapo fillojmë të mendojmë për Pashkën, mendojnë për gatimin dhe festimin e pashkëve dhe harrojnë atë që është më e rëndësishme.

Çfarë duhet të ofroj unë si një dhuratë në shkëmbim të asaj dashurie të madhe dhe sakrifice të madhe që bëri Krishti për neve. Ai vdes për mua, vdes për secilin prej nesh!

Kush është ajo dhurate vogël, qoftë edhe një dhuratë të cilën unë do ti ofroj Zotit në shkëmbim të dashurisë së tij të madhe!

Le të vazhdojmë të dashur besimtarë, me këtë këmbëngulje kreshmën tonë, le të përpiqet secili prej nesh të gjejë qoftë edhe diçka të mirë në shkëmbim të dashurisë së Tij! Amin.