Lutje për paqe në të dielën e orthodhoksisë.

Çdo vit, të Dielën e Parë të Kreshmës, të Orthodhoksisë, Kisha jonë kremton fitoren kundër herezisë ikonoklaste. Kjo fitore përkon me rivendosjen e ikonave në Kishat Orthodhokse, në vitin 843, pas një vale të gjatë persekutimi. Që atëherë u vendos të kremtohet me madhështi kjo ngjarje e madhe. Njëkohësisht, kjo ditë fitoi një përmbajtje më të gjerë dhe arriti të shënojë triumfin e Orthodhoksisë sonë, kundër gjithë herezive dhe gjithë kundërshtarëve të saj ndër shekuj.

Sot, më 13 mars 2022, u krye Liturgjia Hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, nga Mitropoliti Nathanail, në prani të Kryepiskopit Anastas, bashkë me klerikë të kryeqytetit. Për të Dielën e Orthodhoksisë besimtarëve të shumtë të mbledhur për këtë të kremte të shënuar u foli Ikonom Stavrofor atë Aleks Ndoni.

Në mbyllje të Liurgjisë u krye litania e ikonave.

Në përfundim, besimtarëve iu lexua thirrjet e Kryepiskopit Anastas për ndalimin e luftës dhe paqen në Ukrainë dhe u bë një lutje e posaçme për paqe:

* * * * *

E diel, 27 shkurt 2022

Lutje e nxehtë për ndalimin e luftës vëllavrasëse dhe paqtimin në Ukrainë

Duke marrë shkas nga ngjarjet dramatike në Ukrainë, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, i fton besimtarët dhe çdo njeri vullnetmirë të intensifikojnë lutjen e tyre për paqe dhe thekson se:

“Dhimbja dhe hidhërimi i thellë mbushin shpirtrat e njerëzve kur ndërpritet dialogu për paqen dhe nis lufta vëllavrasëse me monologun e dhunës së të fortit dhe me viktima, zakonisht njerëz të pafajshëm, të pambrojtur dhe valët e refugjatëve.

Ndërgjegjja e krishterë dënon çdo formë akti dhune, duke nxitur fort secilin të kontribuojë sipas mundësisë në arritjen e paqes dhe pajtimit në Ukrainën e shumëvuajtur dhe kudo në botë.

Parimi ynë i përhershëm mbetet fjala e Krishtit: “Lum ata që bëjnë paqe, sepse këta do të quhen bij Perëndie”.

* * * * *

E diel, 13 mars 2022

Në datën 13 mars 2022, të Dielën e Orthodhoksisë, në Kishën Katedrale të Tiranës, gjithashtu tha:

“Le të intensifikojmë lutjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të luftës vëllavrasëse të Rusisë kundër Ukrainës, për shërimin e plagëve, për lehtësimin e gjendjes së refugjatëve dhe për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit të armatosur.

Gjithashtu le të fuqizojmë lutjen tonë për rivendosjen e unitetit midis orthodhoksëve, për paqtimin, për faljen, për solidaritetin, për pajtimin, që me ndërgjegje të pastër t’I drejtojmë himn dhe lutje Zotit të kryqëzuar dhe të ngjallur, Atij që i paqëson të gjitha”.

Lutemi edhe për pushimin e menjëhershëm të luftës vëllavrasëse të Rusisë kundër Ukrainës, për shërimin e plagëve, për lehtësimin e gjendjes së refugjatëve, për ndalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit të armatosur.

Lutemi edhe për rivendosjen e shpejtë të unitetit të orthodhoksëve, për paqtimin, faljen, solidaritetin, pajtimin, që me ndërgjegje të pastër, ti drejtojmë himn dhe lutje Zotit të kryqëzuar dhe të ngjallur, Atij që i paqëson të gjitha.”

 


 

 

Foto Album:

 

Lutje për paqe në të dielën e orthodhoksisë.