E Diela I e Kreshmës, e Orthodhoksisë, armë fuqie dhe jete, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 13.03.2022 (Tekst)
“Me anë të besimit” (v. 24)
Himnin e besimit thur sot shën Pavli, o vëllezër. Por lulet e kësaj kurore nuk janë marrë nga livadhi i fjalëve të thjeshta. I ka këputur nga ngjarjet e mëdha të Dhiatës së Vjetër dhe nuk janë asgjë tjetër veçse emrat dhe bëmat e të drejtëve dhe profetëve, që vuajtën, pa u ankuar, çdo lloj pikëllimi, duke treguar në këtë mënyrë, se nuk ekziston në botë ndonjë fuqi më e mrekullueshme përveç besimit.
Pra, një panair për nder të besimit, është kujtimi i atyre burrave të mëdhenj, që apostull Pavli bën në këtë të diel. Një panair i vendosur në fillim të Dyzetëditëshit të shenjtë e të madh, që të mësojmë se me besimin e palëkundshëm dhe të flaktë, do të mund të nxjerrim në një përfundim triumfalë luftën e kreshmës, në të cilën u futëm.
* * *
Moisiu, thotë Apostulli, me anë të besimit tek Perëndia, megjithëse ishte rritur në pallatin e mbretit të Egjiptit, nuk pranoi të quhej bir i bijës së faraonit. Por, parapëlqeu më mirë të hiqte keq me bashkëkombësit e tij të shtypur, sesa të ketë kënaqësi të përkohshme mëkati në pallatet mbretërore egjiptiane. Dhe e konsideroi një thesar më të madh se thesaret mbretërore të Egjiptit idhujtar, “talljen e Krishtit”, domethënë, gjithë përbuzjet dhe sharjet, që ishin të ngjashme me ato që hoqi Jisu Krishti më vonë. Dhe Moisiu arriti në lartësinë e atij vetëmohimi, sepse “shikonte në shpërblim”.
Llogariti shpërblimin që jep Perëndia tek besimtarët e tij, tek çmimi që Ai u premtoi atyre që mbetën të përkushtuar, në mënyrë të qëndrueshme, ndaj emrit dhe vullnetit të tij. Për hir të atij shpërblimi, Moisiu, sakrifikoi të përkohshmet. Siç dihet, një pjesëtarë i shkëlqyeshëm, sipas botës, ishte në pallatin mbretëror. Sepse ishte rritur si princ dhe do të mund të arrinte në detyra të larta. Shumë do ta kishin zili për pozitën e tij. E megjithatë, ai i përbuz të gjitha.
Nuk verbohet nga shkëlqimi i të përkohshmeve dhe të kotave, sepse e tërheqin të përjetshmet dhe të paprishshmet. Dëshiron “dhuratat më të mira”, më të larta dhe mbitokësore. Dhe zgjedh më mirë lavdinë e qiellit, në vend të madhështive të varfra të tokës dhe të njerëzve.
Nga profeti Moisi vjen më pas Apostulli i Madh dhe në raste të tjera, sigurisht, bëma të mëdha dhe heroike burrash të mëdhenj, besimtarë dhe të shenjtë, të Dhiatës së Vjetër. Janë ata, Gedeoni, Baraku, Samsoni, Jefthaeu, Davidi, Samuili dhe gjithë profetët. Dhe ata arritën gjëra të pabesueshme, të pamundshme nga njeriu, “mundën mbretëri, punuan drejtësi, fituan premtime, thurën gojë luanësh, shuan fuqinë e zjarrit… u bënë të fortë në luftë, thyen ushtritë e të huajve”. Domethënë, bën çudira të mëdha e të mrekullueshme dhe thyen fuqitë kundërshtare që, ata, të paktët, të tregohen fitimtarë mbi të shumtët, të dobtët, triumfues mbi të shumfuqishmit.
Për hir të besimit, profetë të Perëndisë, ngjallën të vdekur, si profeti Ilia që ngjalli birin e të vesë në Sareptë të Sidonës dhe Eliseu birin e Samanises. Dhe të tjerë, për të qëndruar besnik tek Perëndia, parapëlqyen thyerjen e kockave të tyre dhe vdekjen martirike mbi mjete torturuese, si shtatë Makabenjtë. Nuk pranuan në asnjë mënyrë të mohojnë besimin e tyre, për të shmangur torturat e ashpra. Mbetën të fortë e të qëndrueshëm, për të arritur kështu, si shpërblim, ngjallje nga Perëndia për një jetë të paimagjinueshme dhe të lumur në qiell. Heronj të tjerë të besimit, rangje të shenjta martirësh të panumërt, kryesisht të Dhiatës së Re, provuan të përqeshura e të rrahura, por edhe të lidhura e burg, si Apostujt e Krishtit. U vranë me gurë, si martiri i parë Stefan, u nganë, iu pre koka si Joan Pararendësi dhe apostull Jakovi; shenjtorë dhe dëshmues të tjerë, endeshin lart e poshtë, veshur me lëkurë dhensh e me lëkurë dhish, duke u privuar nga të gjitha, duke pasur shtrëngime e duke hequr keq, duke shkuar andej e këtej nëpër shkretëtira e nëpër male e nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut.
Me mijëra janë martirizimet, që provuan martirët e Kishës, “për besën e shenjtë tek Krishti”. Të virgjër, foshnje të pafajshme, të moshuar të rraskapitur, por edhe filiza të rinj, me guxim të pashembullt dhe heroizëm të admirueshëm, përballuan rrota dhe thika, vajra të nxehtë, bisha të egra, sopata me dy presa, internime…
Të “drejtët” e Dhiatës së Vjetër dhe milionat e shenjtorëve dhe martirëve të epokës së Dhiatës së Re, ndoqën mijëra Etër dhe Mësues të Kishës, të cilët ngritën zërin e tyre kundër mashtrimit dhe herezive të shumëllojshme; rendën, qëndruan zgjuar, u munduan, u lodhën për grigjën e Krishtit dhe shpëtimin e besimtarëve. Pema e shumëfrytshme e krishterimit është vaditur me gjakun e çmueshëm të martirëve të besimit dhe djersën e ushtrimit të mbrojtësve të Orthodhoksisë sonë. Dhe kjo luftë vazhdohet. Erdhi momenti, që një pjesë e madhe e lindjes së krishterë, u mbështoll në kthetrat e herezisë dhe mashtrimit të Ariosit.
Por mashtrimi dhe herezia nuk mbizotëroi. Dalë-ngadalë, me zjarrin e madh të besimit të drejtë, që dilte nga fjala dhe vepra e Sinodeve Ekumenike dhe lutjet e Etërve të Kishës, u dogj kashta dhe ndryshku i herezisë dhe mbeti ari i pastër e i kulluar i besimit orthodhoks. Kështu u ruajt thesari i shenjtë i Orthodhoksisë, në mënyrë që sot, të krishterët orthodhoks, të besojnë dhe të shpallin: “Siç e panë Profetët, siç e mësuan Apostujt, siç e mori Kisha, siç e dogmatizuan Mësuesit… kështu le të kujdesemi, kështu le të flasim, kështu le të predikojmë”. Kisha e shenjtë e besimit të drejtë, që është brumosur me gjakun dhe lotin e Etërve tanë, na detyron të braktisim qëndrimin indiferent dhe të përpiqemi me çdo mënyrë për shkëlqimin dhe rrezatimin e tij.
Zakoni dhe padija kanë krijuan një shtresë së trashë pluhuri, që mbulon arin e pastër të besës sonë. Ikonostasi i shtëpisë është hequr në shumë banesa. Bien kambanat për Liturgjinë Hyjnore dhe ekzistojnë orthodhoksë që qëndrojnë mbuluar në shtrat apo ulur në karriget e kafeneve. Orthodhoksë të tjerë kanë vite pa u rrëfyer dhe pa u kunguar. Nuk studiojnë Shkrimin e Shenjtë, nuk lexojnë një revistë orthodhokse, një libër të krishterë orthodhoks.
* * *
Pra, ç’do të bëhet, vëllezërit e mi të dashur më Krishtin? Ç’do gjë duhet të bëhet, që të shkëlqejë përsëri Orthodhoksia. Që besimi i drejtë të bëhet urtësia dhe jeta e të gjithë orthodhoksëve. Ikonat e shenjta dhe të hirshme, duhet të ç’pluhurosen, të lartësohen përsëri dhe të rivendosen në ikonostasët e shtëpive orthodhokse. Nuk duhet të ekzistojë orthodhoks, që të mos kishërohet, të mos rrëfehet dhe të mos kungohet. Nga ana tjetër, priftërinjtë, kryepriftërinjtë dhe mësuesit e Orthodhoksisë, duhet të punojnë me zell, për përtëritjen e besës dhe rigjallërimin e jetës fetare të popullit orthodhoks. U bëftë.