NGA UNGJILLI SIPAS MATEUT 6:1-13.
Kini kujdes të mos bëni lëmoshën tuaj përpara njerëzve, që të shiheni nga ata; në mos, nuk keni pagë pranë Atit tuaj që është në qiejt. Kur të bësh pra lëmoshën, mos i bjer trumbetës përpara teje, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër udhë, që të lavdërohen nga njerëzit; me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre. Por ti, kur të bësh lëmoshën, le të mos e marrë vesh e majta jote se ç’bën e djathta jote; që të jetë lëmosha jote fshehurazi; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, ai do të ta shpërblejë ty haptas.
Edhe kur të lutesh, mos ji si hipokritët; sepse ata duan të luten duke qëndruar nëpër sinagogat e nëpër qoshet e rrugëve, që t’u duken njerëzve; me të vërtetë po ju them juve se ata e kanë marrë pagën e tyre. Po ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, edhe mbyll derën tënde, e lutiu Atit tënd që është në të fshehtë; edhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta shpërblejë ty haptas. Edhe kur të luteni, mos thoni fjalë të tepërta, si kombet; sepse pandehin se me fjalët e shumta të tyre do të dëgjohen. Mos u ngjani pra atyre; sepse Ati juaj e di për ç’gjë keni nevojë, para se të lypni ju prej tij.
Po ju lutuni kështu: Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë dëshira jote, si në qiell, ashtu edhe mbi dhe. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot, edhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; edhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu; se jotja është mbretëria dhe fuqia e lavdia në jetë të jetëve. Amin