Një libër i ri i Kryepiskopit Anastas

 

 

Doli në qarkullim libri i Kryepiskopit Anastas “Bashkekzistencë: PAQJA, NATYRA, VARFËRIA, TERRORIZMI, VLERAT (Këndvështrim fetarologjik)”. Ky libër është botuar deri tani në disa gjuhë, si greqisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht etj., dhe tani vjen edhe në shqip, i përkthyer nga Vangjel Dule. Botimi është një bashkëpunim midis Shtëpisë Botuese “Toena” dhe Botimeve “Ngjallja”, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Bashkekzistenca ishte elementi përbërës bazë i jetës së njerëzimit… Bashkekzistenca sabotohet dhe helmohet shpesh. Dobësimi i saj, si rregull, i detyrohet virusit të egocentrizmit, individual apo grupor, që manifestohet në mënyrë shumëformëshe…

Padrejtësitë, korrupsioni dhe varfëria nuk pushuan së shkatërruari bashkekzistencën harmonike të njerëzimit. Dhjetëvjeçarët e fundit madje, dhuna ka marrë forma të reja të pakontrollueshme, me pikë kulmore terrorizmin shumëformësh. Agresiviteti njerëzor u shtri në shfrytëzimin, madje edhe në përbuzjen e krijesës, me pasoja të dhimbshme si për mjedisin natyror, ashtu edhe për vetë jetën njerëzore.

Për këto probleme, religjionet e mëdha që ndikuan në civilizimin e popujve të ndryshëm kanë krijuar koncepte dhe parime të caktuara. Në shkrimet që përfshin kjo përmbledhje, kemi një qasje nga këndvështrimi teologjik dhe fetarologjik të disa problemeve globale.

 

Një vlerësim për librin

 

Juria e dhënies së çmimit për esenë e mendimit të lirë, në kujtim të Panajotis Foteas, që u mblodh më 23 prill 2016 në Athinë, përzgjodhi me kuorum të plotë për çmimin prestigjioz “Fotea” 2015, librin e Kryepiskopit Anastas “Bashkekzistencë: Paqja, natyra, varfëria, terrorizmi, vlerat – këndvështrim fetarologjik”.

Po japim të plotë vendimin e komisionit për vlerësimin dhe përzgjedhjen e këtij libri:

“Ky libër përmban ese që trajtojnë tema të një dimensioni universal, si paqja, natyra, varfëria dhe terrorizmi, të para nga një këndvështrim teologjik e fetarologjik. Komisioni thekson si karakteristikë kryesore të këtyre eseve meditimin, spiritualitetin e thellë, frymën e lartë dhe, mbi të gjitha, fjalën koncize e të kthjellët që zgjon njeriun modern nga indiferenca dhe hipnoza e ndërgjegjes. Gjithashtu, komisioni vlerëson edhe personin e Kryepiskopit Anastas si një personalitet i shquar, i vlerësuar botërisht për aktivitetin e tij të shumanshëm, për ringritjen nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të shpërbërë krejtësisht, si dhe për veprën e tij të gjerë hierapostolike e sociale”.