UNGJILLI – Marku 13:1-9.
Edhe ndërsa po dilte nga tempulli, i thotë një nga nxënësit e tij: Mësues, shiko çfarë gurësh e çfarë ndërtesash! Edhe Jisui u përgjigj, e i tha: I sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur që të mos rrëzohet.
Edhe ndërsa po rrinte në Malin e Ullinjve, përballë tempullit, e pyetnin atë veçan Pjetri dhe Jakovi dhe Joani dhe Andrea: Thuajna, kur do të bëhen këto, edhe ç’shenjë do të jetë, kur do të mbarojnë këto të gjitha? Edhe Jisui, duke u përgjigjur, nisi t’u thotë atyre: Vini re, se mos ju gënjejë ndonjë ju.
Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; edhe do të gënjejnë shumë vetë. Edhe kur të dëgjoni luftra, edhe zëra luftrash, mos u frikësoni; sepse duhet të bëhen, po ende nuk është fundi. Sepse do të ngrihet komb kundër kombi, edhe mbretëri kundër mbretërie; edhe do të bëhen tërmete në vende të ndryshme, edhe do të bëhen zi buke e trazira. Këto janë fillimet e dhembjeve të lindjes.
Po ju vështroni veten tuaj, sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër këshilla, e nëpër sinagoga do të rriheni, edhe përpara qeveritarëve e mbretërve do të rrini për shkakun tim, për dëshmi tek ata.