UNGJILLI – Marku 12:28-37.
Atëherë një nga shkruesit, që i dëgjoi ata duke biseduar, duke parë se iu përgjigj mirë atyre, e pyeti: Cili urdhërim është i pari i të gjithëve? Edhe Jisui iu përgjigj se i pari i gjithë urdhërimeve është: “Dëgjo, Izrael, Zoti Perëndia ynë është një Zot. Edhe të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë fuqinë tënde”. Ky është i pari urdhërim.
Edhe i dyti që ngjan me këtë është ky: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”. Tjetër urdhërim më të madh nga ky nuk ka.
Edhe shkruesi i tha: Mirë, mësues, me të vërtetë the se një Perëndi ka, dhe s’ka tjetër veç atij. Edhe se ta duash atë me gjithë zemrën dhe me gjithë mendjen dhe me gjithë shpirtin dhe me gjithë fuqinë, edhe të duash të afërmin si veten tënde, është më tepër se të gjithë therorët me djegie të plotë dhe flijimet.
Edhe Jisui kur pa atë se u përgjigj me mend, i tha: Nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë. Edhe asnjë më s’guxonte ta pyeste.
Edhe Jisui u përgjigj e tha, duke mësuar në tempull: Si thonë shkruesit se Krishti është biri i Davidit? Sepse vetë Davidi ka thënë me anë të Frymës së Shenjtë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbëse të këmbëve të tua”.